1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E kaluara me shtazin në RDGJ - Seancë e posaçme për Gregor Gizin në Bundestag

Anila Shuka28 Maj 2008

Kryetari i grupit parlamentar të të majtëve gjermanë, Gregor Gizi ndodhet nën presion. Ai akuzohet të ketë furnizuar me informacione për klientët e tij sigurimin e atëhershëm në RDGJ, Shtazin (Stasi)

https://p.dw.com/p/E7pK
Salla plenare e BundestagutFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjatë seancës aktuale enkas për të, Gregor Gizi (Gysi) u shfaq vetëm për të hedhur poshtë akuzat: "Që prej shumë vitesh po përpiqeni me të gjitha mënyrat të më dëmtoni për të goditur partinë time, por gjithnjë del në pah se ju nuk keni informata dhe të paktën shumë shpesh reagoni me keqdashje", tha Gregor Gizi, kryetari i grupit parlamentar të partisë gjermane "E Majta" të mërkurën në Berlin.

Unionistët dhe socialdemokratët e kishin thirrur 60-vjeçarin të jepte llogari për veprimtarinë e tij në periudhën e komunizmit në Gjermaninë Lindore. Shkak për këtë ishin dëshmi të reja që thotë se ka në dorë tani e ngarkuara e qeverisë gjermane për të kaluarën në periudhën e RDGJ-së, Mariane Birthler: "Dokumentet tona tregojnë se ato janë bërë nga një bashkëpunëtor i ministrisë, dhe sipas tyre ky bashkëpunëtor mund të ketë qenë vetëm Gregor Gizi," tha Birthler në kanalin televiziv gjerman ZDF. Fjala është për një bisedë mes Gizit dhe disidentit Robert Havemann, pasazhe të së cilës janë gjetur tani në dokumentet e Shtazit. Gizi atë periudhë ka qenë avokat i Havemanit. Gjatë debatit deputët kërkuan, që Gizi të tërhiqet si nga parlamenti ashtu edhe nga profesioni i tij si avokat, pasi ai ka shkelur parimin e ruajtjes së sekretit.

Problemi Gizi dhe lidhja e tij e mundshme me Shtazin e preokupon opinionin dhe politikën gjermane që në fillim të viteve 90-të. Gizi, i cili ka qenë avokat i disidentëve në periudhën e regjimit komunist, akuzohet se i ka transmetuar të sigurimit të shtetit informata për ta. Ndaj këtyre akuzave Gizi gjithmonë është mbrojtur në rrugë gjyqësore: Gjyqi i parë u zhvillua në vitin 1995, ku ai arriti që të ndalonte dy medie dhe një ish-disidente gjermane, që të mos e quanin atë "spiun të Shtazit". Por në vitin 1998, Bundestagu u mor sërish me këtë çështje në një komision hetimor për të kaluarën e deputetëve dhe arriti në konkluzionin, se Gizi ka qenë bashkëpunëtor joformal i sigurimit të RDGJ-së. Gizi atëherë e quajti këtë procedurë të padrejtë dhe doli para Gjykatës së Lartë Kushtetuese, por humbi.

Para pak kohësh ai u përpoq sërish që ndalonte publikimin e dokumenteve të rastit Havemann, dhe së fundi i ka dërguar edhe një kërkesë ZDF-së që të mos e transmetojë më thënien e Birthlerit. Përgjigja e kryeredaktorit Nikolaus Brender: Ne nuk do ta lëmë Zotin Gizi të na heqë lirinë e raportimit të pavarur."