Dëmtimet psiqike tek të rinjtë
11 Tetor 2012Në krahasim me vendet e tjera evropiane, nxënësit gjermanë janë më shpesh depresivë, kanë më shpesh mendime suicidale dhe bëjnë madje përpjekje suicidale. Dita ndërkombëtare e shëndetit mendor, 10 tetori, organizohet këtë vit për herë të 20-të. Në këtë ditë duhet të identifikohen problemet, të bëhen shpjegimet dhe luftohen paragjykimet, për të prekurit nga sëmundjet mendore në moshë të madhe dhe ata në moshë rinore.
Kim ishte 15 vjeç kur Ulrike Wolf e kuptoi se e bija vuante nga probleme serioze psiqike. Ajo dëmtonte veten gjithnjë me brisk dhe thikë. Plagët i fshihte mirë nën mëngët e gjata të bluzave dhe aq prindërit as mësuesit nuk patën dalluar asgjë. "Të afërmit nuk dinë gjë çfarë është duke ndodhur. Njeriu dallon që ky fëmijë është disi ndryshe nga të tjerët, por nuk i shkon mendja se pas kësaj fshihet një sëmundje."
Sot Ulrike Wolf, e di se Kimi kishte nevojë urgjente për terapi. Të gërricin veten me sende të forta, të shkaktojnë plagë zjarri apo të rrihen, për shumë të rinj me dëmtime psiqike këto janë mundësi që të çlirojnë tensionet e brendshme, shpjegon Romuald Brunner nga Klinika Universitare në Heidelberg. "Një problem me vlerësimin e vetes, ndjenja të shpeshta dëshpërimi, mungesë gjumi, këto janë pjesë e natyrës njerëzore. Vetëm nëse këto probleme janë të forta, kur shfaqen shpesh, atëherë çojnë në pasoja të rënda për pacientët, të rinj apo në moshë madhore. Atëherë ato janë shumë të rënda dhe torturuese."
Zëvendësdrejtori i Psikiatrisë për fëmijë dhe të rinj, ka drejtuar studimin SEYLE "Saving and Empowering Young Lives in Europe" për Gjermaninë. Në këtë studim kanë marrë pjesë dhjetë vende evropiane plus Izraeli. Studimi ka nxjerrë në pah dëmtime psiqike tek të rinjtë, për to nxënësit u pyetën në mënyrë anonime. Tetë përqind e vajzave të pyetura thanë për shembull se kanë ndërmarrë një herë në jetë përpjekje suicidale.
Në Evropën qendrore vetëvrasja është shkaktarja më e shpeshtë e vdekjeve, pas aksidenteve automobilistikë. Studimi do pasojë tani më programe preventive. "Shkak është nxjerrja e rezultatit se mendimet suicidale, përpjekjet suicidale, por edhe veprime të tjera që dëmtojnë vetveten, si të presësh veten për shembull me një brisk, kanë marrë përmasa të tmerrshme," thotë Profesor Romuald Brunner.
Shumë të rinj e zëvendësojnë bashkëjetesën reale me njerëzit dhe lidhjet sociale me botën artificiale. Ata vuajnë nga varësia prej internetit, shokët i gjejnë në facebook, dhe janë të mendimit se nuk mund të ekzistojnë pa celular. Për Prof. Brunner: "Mbase është paradoks që nga njëra anë nëpërmjet internetit krijohen kaq shumë mundësi kontaktimi të cilat edhe shfrytëzohen, por nga ana tjetër këto kontakte nuk mund të zëvendësojnë kontaktet e vërteta. Ky grup preket shumë shpesh nga simptomatika depresive, por edhe nga idetë suicidale dhe frikërat, nga probleme psiqike të shumëllojshme."
Përvoja të ngjashme ka edhe në klinikën Somnia në afërsi të Këlnit. Këtu rregullat thonë se pacientët duhet të dorëzojnë celularët dhe laptops kur pranohen në klinikë. Elaine de Guzman, specialiste në psikiatrinë e fëmijëve dhe të rinjve, kujton një paciente 16 vjeçare, e cila nuk donte të ndahej nga celulari. "Dhe dy ditë më vonë më tha në bisedë: 'Zonja de Guzman, nuk e kisha menduar se mund të kaloja një orë pa celularin tim." Kjo i ndodh këtu shumë pacientëve, të cilëve u bëhet e qartë sa të varur, janë bërë nga kjo medium. Dhe dikur e kuptojnë se edhe pa to mund të jetohet, se njeriu mund të kënaqet dhe mund t`i pëlqejë edhe të bisedojë "vërtet" me dikë, ose të marrë ngrohtësi të vërtetë, apo të përqafohet vërtet me dikë," thotë Elaine de Guzman.
Trajtimi në Klinikën Somina zgjat mesatarisht tre deri tetë javë. Pjesa më e madhe e të rinjve që vijnë këtu janë 12 deri 20 vjeçarë dhe vuajnë përshembull nga frikërat. Gjendja vështirësohet nëse ata ndodhen në mes të adoleshencës, thotë Elaine de Guzman dhe shton: "Kur shikoj të rinjtë e sotëm vërej se ata janë të gjithë mobil dhe shumë të shpejtë në botën virtuale dhe lëvizin shumë në të, dhe prindërit nuk i ndjekin dot natyrisht. Gjatë pubertetit kur fillojnë të bëhen të pavarur dhe të ndahen nga prindërit, por vazhdojnë të kenë modelet e të rriturve para syve, atëherë krijohet një hendek i madh komunikimi apo diskrepancë dhe kjo e bën të vështirë sjelljen me njëri tjetrin."
Sa më herët të zbulohet një dëmtim spiqik, aq më mirë mund të trajtohet. Në studimin SEYLE studiuesit zhvillojnë mundësitë e njohjes së hershme të dëmtimeve. Profesor Brunner tregon: "Ne kemi shkuar në shkolla dhe kemi trajnuar mësuesit, në mënyrë që ata të bëhen më të vëmendshëm ndaj problemeve psiqike, kur përshembull flitet për idetë suicidale të nxënësve apo hidhet një fletushkë me ide suicidale apo kërcënime suicidale. Trajnimi ishte intensiv."
Po ashtu nxënësit duhet të sensibilizohen për ndjenjat e tyre dhe problemet e nxënësve të tjerë. Në rastin më të mirë, të rinjtë mund të ndihmojnë njëri tjetrin. Anomalitë mund të trajtohen para se të bëhen manifestive. Sepse sa më herët të fillojë terapia, aq më e madhe është mundesia e suksesit.