1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëmet nga moti po bëhen më të shtrenjta

Eliana Xhani29 Mars 2012

Industria e sigurimeve regjistroi gjatë 2011-s dëme veçanërisht të larta nga ngjarje klimaterike ekstreme si pëmbytjet dhe stuhitë. Cilat janë shkaqet për këtë - rritja e mirëqënies apo ndryshimi global i klimës?

https://p.dw.com/p/14TYp
Tornado
Fotografi: cc by Dr. Joseph Golden, NOAA

Tornado, stuhi, uraganë, rreshje të forta me përmbytje, breshër dhe rrëshqitje toke, thatësirë ekstreme apo acar -  ngjarjet klimaterike ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për industrinë e sigurimeve. Peter Höppe studion rreziqet për shoqërinë e sigurimeve "Münchener Rückversicherung". Ai dallon një tendencë të qartë statistikore që prej viteve 1970. Dhe ajo flet për dëme më të mëdha nga ngjarjet ekstreme klimaterike:  "2011 ishte viti me nivelin e dytë më të lartë të katastrofave natyrore. Në vend të parë është viti 2005, viti i uraganëve ekstremë me Katrinën, Ritën, Vilmën e të tjerë, të cilët shkatuan dëme të mëdha." 

Prof. Peter Höppe, nga shoqëria e sigurimeve "Münchener Rück"
Prof. Peter Höppe, nga shoqëria e sigurimeve "Münchener Rück"

Sistemet e mëdha klimaterike kanë oshilacione periodike

2011 nuk ishte edhe aq i keq. Por ngjarjet ekstreme klimaterike ishin të shpeshta. Dhe kjo ka të bëjë para së gjithash me shfaqjen njëkohësisht të dy fenomeneve të njohura dhe të natyrshme klimaterike, të cilët ndodhin në mënyrë periodike: zhvendosja e raporteve të presionit të ajrit në hemisferën veriore mes Islandës dhe Azoreve. Ky fenomen njihet si Oshilacioni Veriatlantik (NAO). Në hemisferën jugore dominonte në 2011 La Nina, një fazë klimaterike që pason El Ninon. Ky fenomen njihet si Oshilacioni Jugor (ENSO).

Përmbytje në Kolumbi
Përmbytje në KolumbiFotografi: AP

Diku reshje të forta e diku thatësirë

Si NAO ashtu edhe La Nina mund të kenë efekte të kundërta në rajone të ndryshme, shpjegon Andreas Becker, specialist për klimën pranë Shërbimit Gjerman të Motit: "Në rastin e La Nina-s në qendrën globale ka lagështi. Por kjo nuk do të thotë se në të gjithë botën kemi reshje të pakëta. Në të vërtetë ka rajone me reshje të forta por ka edhe rajone me shumë pak reshje." 

Ajo që ndodh më pas janë përmbytjet në një rajon dhe thatësirat në një tjetër. Kështu edhe vitin e kaluar, thotë Andreas Becker: "Përmbytje të rënda në Pakistan, një verë veçanërisht e lagësht në Korenë e Jugut. Studia tropikale Talas solli mbi 1600 milimetra shi brenda tre ditëve në Japoni. Në Australi u shënua viti i tretë më i lagësht që nga fillimi i matjeve, në Azinë Juglindore një monsun tejet i gjatë dhe i fortë me përmbytje ekstreme në Bangkok dhe me shumë viktima."

Në Kinë përkundrazi mbizotëroi thatësira. Pasoja të ngjashme pati edhe në Evropë, thotë studiuesi i klimës Becker: "Norvegjia dhe Skocia shënuan vitin më të lagësht, Gjermania, Austria, Hungaria dhe Sllovakia nëntorin më të thatë që prej fillimit të matjeve. Dhe pranvera ishte tejet e thatë në Evropën perëndimore."

"Münchener Rück" rregjistron ngjarjet klimaterike ekstreme me dëme materiale dhe persona - Grafik për vitet 1990 - 2011
"Münchener Rück" rregjistron ngjarjet klimaterike ekstreme me dëme materiale dhe persona - Grafik për vitet 1990 - 2011

Ndryshim i klimës apo rritje ekonomike?

Becker është i sigurt se NAO dhe La Nina janë shkaktarët e këtyre ngjarjeve klimaterike ekstreme. Ato nuk mund të shpjegohen vetëm me ndryshimin e klimës. Peter Höppe, eksperti për rreziqet në shoqërinë e sigurimeve "Münchener Rückversicherung" sheh diçka tjetër. Në kohën e fazës së fundit të La Nina në 2011, deti para brigjeve të Austrialisë shënoi një ngrohje veçanërisht të lartë:

"Ishte një maksimum absolut. Po të shohim oshilacionet e 100 viteve të fundit të kushtëzuara nga ENSO, vërejmë se temperatura është në në rritje të vazhdueshme dhe kjo në periudhë afatgjatë mund të shpjegohet vetëm me ndryshimin global të klimës." 

Edhe diçka tjetër e përforcon Höppen në tezën e tij se ndryshimi i klimës shkakton çrregullimet e forta të motit: dëmet nga ngjarjet klimaterike ekstreme në statistikat e shoqërisë së sigurimeve "Münchener Rück" shënojnë një rritje më të shpejtë se dëmet nga katastrofat e tjera natyrore, si për shembull tërmetet.

Por shoqëritë e sigurimeve duhet të paguajnë më shumë edhe sepse njerëzit kanë më shumë pasuri. Në të njëjtën kohë popullsia e globit po rritet me shpejtësi dhe njerëzit vendosen në zona të rrezikuara si për shembull në afërsi të lumenjve ku rreziku nga përmbytjet është më i lartë.

Shpesh është edhe çështje rastësie nëse një ngjarje klimaterike shkakton një dëm të madh apo të vogël. Kështu një tornado mbi një fushë të zbrazët  mund të shkatërrojë vetëm ndonjë mullar bari apo shtylla telefoni, por në një qytet me popullsi të dendur mund të ketë pasoja shkatërrimtare.