Dyndje refugjatësh në ishullin turistik
Ishulli grek Kos po përballet me një valë të madhe refugjatësh. Autoritetet greke nuk janë të përgatitura për një valë të tillë. Së fundi si vendtrehim për ta u vu në dispozicion trageti "Eleftherios Venizelos".
Strehime emergjente
Anija e madhe "Eleftherios Venizelos" përdoret tani si strehim emergjence. Në anijen e marrë me qira nga qeveria e Athinës mund të zenë vend 2500 vetë. Veç kësaj, ajo do të shërbejë si qendër regjistrimi për refugjatët. Regjistrimi nevojitet, për të marrë lejen për të vazhduar rrugën në Greqi.
Hapja
Refugjatët e parë hipin në bord të dielën në mëngjes. Tani ata mund të qendrojnë disa ditë në anije. Pas regjistrimit dhe marrjes së dokumentave, refugjatët dërgohen me anije të tjera në Athinë. Për shumicën, Greqia është vetëm një stacion i ndërmjetëm. Prandaj këtu ata nuk paraqesin lutje për azil. Ata duan të vazhdojnë rrugën për në Evropën Perëndimore.
Lejohet të hyjnë vetëm sirianët
Refugjatët kanë pritur gjithë natën që t'i lejojnë të hyjnë. Për arsye sigurie, autoritetet greke kanë vendosur që në anije të strehohen vetëm refugjatë nga Siria. Me këtë synohet të pengohet shpërthimi i konflikteve midis nacionaliteteve të ndryshme. Ditët e fundit ka pasur rrahje midis migrantëve.
Njerëz nga zonat e krizës
Migrantët në Kos vijnë nga e gjithë bota. Më shumë se gjysma vijnë nga Siria. Shumë vijnë nga vende si Afganistani, Pakistani, Iraku dhe Irani. Por edhe afrikanë nga Mali, Eritrea dhe Somalia janë në ishull. Madje edhe refugjatë nga Amerika Latine gjen në Kos: vizën për në Turqi ata e marrin relativisht lehtë dhe e vështrojnë këtë vend si rrugën e vetme për në Evropë.
Evropa kaq pranë gati e prekshme
Nga bregdeti turk, ishulli grek Kos është vetëm katër kilometra larg. Prandaj shumë njerëz nga Siria, por edhe nga shtete të tjera duan të shkojnë më parë në Turqi, për shembull në Stamboll. Prej atje vazhdon rruga për në bregdet. Këtu refugjatët hipin shumicën e herëve në varka gome për të mbërritur në Evropë.
Më në fund në BE
Një njeri nga Irani sapo ka mbërritur me të shoqen dhe të birin në Kos. Babai i familjes qan nga lumturia. Ai nuk e merr me mend se odiseja e tij vetëm sa ka nisur. Nuk e di se çfarë e pret këtu dhe se do të pasojnë drama të tjera ose të paktën mundime të pakëndshme.
Pa çati mbi kokë
Rreth 600 deri 800 vetë vijnë sipas të dhënave të rojes bregdetare çdo ditë në Kos. Javën e fundit, në ishullin e vogël me 30.000 banorë kishte 7000 refugjatë. Shumë njerëz nuk gjejnë vend ku të strehohen, shëtitorja buzë detit i ngjan një kampi refugjatësh. Midis palmave, disa kanë ngritur çadra të vogla, të tjerë jetojnë nën qiell të hapur. Sepse këtu nuk ka kamp pranimi për refugjatët.
Gjithmonë e më shumë familje
Nga Siria, deri pak kohë më parë në Kos janë regjistruar para së gjithash të rinj. Por ndërkohë vijnë gjithnjë e më shumë familje - gra me fëmij të vegjël, gra të reja, shtatzëna. Veçanërisht për to këtu është shumë vështirë. Atyre u duhet pak më shumë sferë private se meshkujve. Në mënyrë që pas arratisë të mund të çlodhen pak dhe të kujdesen për fëmijët.
Pa vulë mbetesh në vend
Të gjithë migrantët në Kos duhet të regjistrohen. Vetëm kur e kanë në dorë dokumentin lejohen që të largohen nga ishulli. Por autoritetet këtu kanë vetëm pak aparate për marrjen e gjurmëve të gishtave. Prandaj edhe regjistrimi ecën ngadalë. Disa presin edhe tri javë e më shumë për dokumentat e tyre.
Të porsardhurit
Përditë shumë njerëz rrezikojnë jetën për të ardhur në Kos. Varkat e gomës me refugjatët shumicën e herëve nuk janë të përshtatshme për det të hapur. Veç kësaj ato janë të tejmbushura. Shumë nga migrantët veç kësaj nuk dinë not. Por shumica nuk ka se ç'të humbasë më. Prandaj rrezikon gjithçka. Edhe jetën.