Ekstremizmi i djathtë, motivi i dy vrasjeve në Hale
9 Tetor 2019Dy persona janë vrarë gjatë të shtënave para një sinagoge dhe një dyqani dëneri në Hale an der Saale, bëri të ditur policia. Një person që dyshohet të ketë lidhje me të shtënat është arrestuar, kurse dy persona të tjerë kanë rrëmbyer një makinë dhe janë futur në autostradë në drejtim të Mynihut.
Ministri i brendshëm, Hors Seehofer tha se të paktën njëra nga vrasjet është me motive antisemitiste. „Sipas vlerësimeve të Hetuesisë së Përgjithshme, të dhënat janë të mjaftueshme për të folur për një sulm me motive ekstremiste të djathta“, tha në Berlin ministri. Sipas të dhënave të Agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, atentatori është një 27 vjeçar nga Halle, i quajtur Stephan B, me nënshtetësi gjermane.
Hetuesia Federale morri përsipër zhvillimin e hetimeve, për shkak të rëndësisë së veçantë që ka akti i kryer. Hebrejtë janë duke festuar në gjithë botën festën e Jom Kippurit.
Xhirimet e skenës tregojnë një burrë të veshur me veshje luftarake dhe helmetë në kokë, që i fshehur pas një makine shtin disa herë me armë. Më pas ai futet në makinë dhe largohet.
Në afërsi të sinagogës gjendet një i vrarë
Të shtënat kanë ndodhur në lagjen Paulus të Hales, në veri të qendrës së qytetit. Një nga dy viktimat u gjet 30 metra larg sinagogës. Kryetari i Komunitetit Hebre, Max Privorozki, i tha gazetave "Stuttgarter Zeitung" dhe "Stuttgarter Nachrichten", që një person kërkoi të futej me dhunë në sinagogë. "Në kamerat e sinagogës ne pamë se si një person i armatosur rëndë, me veshje luftarake dhe helmetë, filloi të qëllonte mbi dyert tona,“ tha Privorozki. Brenda në sinagogë ndodheshin 70 deri 80 persona. Porta e sinagogës i përballoi të shtënat.
Dorasi, apo dorasit qëlluan më pas mbi portën e varrezave hebreje, që ndodhen ngjitur, tha Privorozki. Njerëzit në sinagodë u shokuan rëndë. "Ne i barrikaduam dyert nga brenda dhe pritëm që të vinte policia,“ tha ai.
Disa orë më vonë një person i dyshuar u arrestua. Qytetarëve të Hales iu kërkua nga policia që të qëndrojnë në banesat e tyre ose të kërkojnë vende më të sigurta.
Një i vrarë në restorantin me dëner
Një dëshmitar tregoi për televizionin n-tv se si një person i maskuar dhe me helmetë në kokë, qëlloi me armë në një restorant dëneri. Më pari ai pati hedhur lëndë eksplozivi, e cila u përplas në fasadë dhe shpërtheu. Në restorant ndodheshin pesë – gjashtë klientë, tha dëshmitari.
Dëshmitarja Myriam Skalska, e cila po ashtu përjetoi të shtënat në restorant i tha Deutsche Welles: „Unë e pashë vrasësin. Ishte i veshur me veshje ushtarake, komplet uniformën, me helmetë dhe kamera sipër helmetës”.
"Pronari i lokalit, Izzet Cagac, i konfirmoi Deutsche Welles, se në restorantin e tij ka pasur një të vdekur.
Deri tani policia nuk ka folur për dy viktimat, as për gjininë, as se ku janë gjetur.
Të shtëna të tjera në Landsberg
Krah të shtënave në Hale pati të shtëna edhe në Landsberg, që ndodhet 15 kilometra larg Halles. Këtë e bëri të ditur një zëdhënëse e policisë në Hale. Detajet për ngjarjen nuk janë bërë të ditura.
Administrata e qytetit të Halles flet për "gjendje amoku"
Duke pasur parasysh ngjarjet, kryetari i Bashkisë së Hales, Bernd Wiegand, krijoi një shtab krize. Në një njoftim u fol për „gjendje amoku“. Të gjitha forcat e shpëtimit të zjarrfikëseve ndodhen në gjendje gatishmërie. Në Berlin, zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha se qeveria shpreson që dorasi, ose dorasit të kapen menjëherë. Ngushëllime iu dërguan „miqve dhe familjarëve të viktimave“, tha ai. Parlamenti Europian nderoi viktimat me një minutë heshtje. Ne e kemi mendjen tek Gjermania, policia gjermane dhe komuniteti hebre në Gjermani, tha në Bruksel presidenti i Parlamentit, David Sassoli.
Këshilli hebre kritikon ashpër policinë
Kryetari i Këshillit Hebre në Gjermani, Josef Schuster, foli I shokuar për vrasjet dhe ngriti akuza kundër policies. Atentatori është përpjekur të futet me dhunë në sinagogë, dhe ka qëlluar mbi varrezat hebreje që ndodhen aty afër, prandaj kemi të bëjmë me një motiv antisemitist, shpjegoi Schuster. „Është skandaloze, që sinagoga e Hales nuk është ruajtur nga policia në ditën e festës hebreje, Jom Kippur, tha kryetari i Këshillit Hebre. Kjo pakujdesi morri hak në mënyrë të ashpër. „Brutaliteti i sulmit i kalon të gjitha përmasat e incidenvete të ndodhura vitet e fundit dhe ka shkaktuar shok të rëndë për të gjithë hebrejtë në Gjermani“. Komuniteti hebre është „i shqetësuar shumë dhe i trembur“.
Rritet prezenca e policisë para sinagogave
Si masë paraprake, policia në Berlin shtoi numrin e forcave të sigurisë në sinagodat e Berlinit, Lajpcigut, Drezdenit.