Dy vjet burg për ish-ministrin serb në qeverinë e Kosovës
5 Dhjetor 2019Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burg ish-ministrin serb të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq. Ai u dënua për një deklaratë të bërë në një tubim në veri të Mitrovicës kundër bombardimeve të NATO-s, ku masakrën e Reçakut e cilësoi si "trillim të shqiptarëve të Kosovës”.
"arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. Kjo ishte deklarata e Teodosijeviq, i cili vetëm dy javë më pas u shkarkua nga detyra nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se "gjuha e urrejtjes" e një ministri nuk mund të tolerohet.
Ivan Teodosijeviq, për këtë deklaratë akuzohej për "nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mostolerimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Avokati i ish-ministrit Teodosijeviq, Nebojsha Vllajiq, "aktgjykimin e cilësoi "të padrejtë, të paligjshëm”, që sipas tij duhet të shfuqizohet.
I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar nëpërmjet Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha "Teodosijeviq u dënua, sepse e tha atë që secili serb e di dhe e ndjen".
"Të gjithë ne jemi Ivan Todosijeviqa. Ajo që ka thënë Todosijeviq, u pengon atyre meqë shteti i tyre i rremë si një kullë prej letre mbështetet në gënjeshtra dhe fshehjen e krimeve, prandaj me panik i frikësohen çdo zëri të së vërtetës”, citon agjencia Fotonet, deklaratën e Gjuriqit. Ai vazhdon më tej, duke thënë se "Popullin serb askush nuk mund ta detyrojë të pranojë interpretime të fabrikuara të së kaluarës, të mbyllë sytë para të vërtetave të pamohueshme mbi krimet e trilluara ndaj civilëve në Reçak dhe të pranojë heshtjen e krimeve që kanë kryer terroristët e UÇK-së”, citohet Gjuriq. Sipas tij, "gjyqësia e Prishtinës i ka sjellë dëme të pariparueshme procesit të pajtimit në Kosovë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ka shpallur vendimin me dënim prej dy vjetësh për ish-ministrin serb në qeverinë e Kosovës që vinte nga lista "Srpska”, Ivan Teodosijviq, përmes një komunikate për medie, thotë se:
"Todosijeviq, është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mostolerim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”.
Më tej duke specifikuar akuzën e prokurorisë thuhet se "Me datë 24.03.2019, në rrugën ”Kral Milutin” në Zveqan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër ndërhyrjes së "NATO-s”, shprehet se ”Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi: Masakra e Reçakut ishte trillim. Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi: Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi: Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiakë të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës: gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja të tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Vendimi për dënimin me dy vjet burg të ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës Ivan Teodosijeviq, mund të apelohet në Gjykatën e Apelit.