Dua Lipa merr Kaprollin e Artë në Berlin
17 Nëntor 2018Organizatorët e Bambit e quajnë Bambin çmimin më të rëndësishëm mediatik të Gjermanisë. Me këtë nuk janë dakord të gjithë. Por një gjë nuk mund t'i mohohet Bambit që këtë vit mbushi 70 vjeç. Që është çmimi që jepet me më pompozitet, e që i bën edhe më skeptikët të rrinë tre orë ulur para televizorit. Dhe siç konstatonte Der Spiegel Online sot: "Joshja ka të bëjë me kureshtjen, se cilin njeh nga ata që thirren të dalin para kamerës në atë moment".
Dua Lipa – princesha e popit
Edhe publiku shqiptar kishte së paku një fytyrë të njohur: Dua Lipa. Këngëtarja britanike me prejardhje nga Kosova, e mori kaprollin e artë në kategorinë Muzikë Ndërkombëtare: me komentin: Sa i bukur! Dhe i ofroi publikut një performancë me një potpuri nga tre këngët e saj më të famshme: "Be the one", "New Rules" dhe "IDGAF".
Dua Lipa u lind në Londër, në një familje me prejardhje nga Kosova. Interesin për muzikën e merr që në fëmijëri, falë edhe të atit, Dukagjin Lipa, i cili është një këngëtar i njohur në Kosovë (ODA). Kur Dua është 11-vjeçare, familja kthehet në Prishtinë. Pas katër vjetësh, ajo merr sërish rrugën në drejtim të Londrës, këtë radhë vetëm. Dua atëherë ishte 15-vjeçare dhe krahas shkollës nis e publikon në Youtube edhe këngë të njohura të muzikës pop të kënduara prej saj.
Derisa dikur i trokasin në derë përfaqësuesit e Warner Bros Records dhe që atëherë karriera e saj do të merrte të përpjetën. Dua Lipa i këndon me zërin e saj karakteristik e të thellë zemrave të thyera dhe xhelozisë, shkruan juria në argumentimin e saj. "Por shumë shpesh, në këngët e saj melankolike, të cilat ajo i bën vetë, janë gratë, që e mbajnë në dorë timonin."
Dua Lipa, e cila u thirr para kamerës si "princesha e popit" ishte një nga pikat kulmore të eventit të djeshëm. Për ta prezantuar, regjia kishte marrë disa pjesë nga intervista që ajo kish dhënë për ZDF me gazetaren dhe shkrimtaren gjermane, me prejardhje gjithashtu nga Kosova, Arta Ramadani. Një vit më parë në Bambi 2017 kishte kënduar këngëtarja tjetër britanike me origjinë shqiptare, Rita Ora. Bambin e saj në kategorinë "Muzikë Ndërkombëtare" ajo e kishte marrë qysh në vitin 2015.
Sophia Loren, Penelope Cruz dhe të tjerë
Fytyra të tjera të njohura, jo patjetër shqiptare të Bambit të sivjetshëm ishin: Sophia Loren. Aktorja e famshme italiane, që edhe në moshën 84-vjeçare mbetet një kënaqësi pamore, kishte ardhur të fliste me moderatorin e famshëm gjerman, Thomas Gottschalk, për 70 vjetorin e çmimeve Bambi, dhjetë prej të cilave i kishte marrë vetë ajo.
Ndërsa çmimi i sivjetshëm për aktoren femër ndërkombëtare i shkoi aktores spanjolle Penélope Cruz, laureate e Oscar-it. Një figurë e njohur që pritej ishte këngëtari britanik Rod Stewart. Ai qe ftuar të merrte çmimin e nderit: "Legjenda" e muzikës, por kishte pësuar një lëndim në këmbë teksa luante futboll, siç raportoi vetë 73-vjeçari Stewart në një mesazh me video via Facebook.
Sipas organizatorëve, Bambi nderon në radhë të parë „njerëz me vizione dhe kreativitet, suksesi i të cilëve është pasqyruar në media gjatë vitit. Bambi jepet për fusha të ndryshme të shoqërisë, ndër to edhe në kategorinë "Stille Helden" (Heronj të heshtur) për organizata dhe njerëz që angazhohen në të mirë të shoqërisë. Sivjet Bambi i kësaj kategorie iu dha shoqatës nga Kasseli "Intensiv Leben", e cila merret me familjet e fëmijëve që kanë nevojë për përkujdesje intensive dhe frymëmarrje artificiale.