Drejt Rigës! Kryeqyteti i kulturës europiane 2014
Riga, qyteti i bukur me një traditë hanseatike, me një histori plot kontraste nga pushtimet si dhe me dëshirë të pashtershme për jetën, është përfshirë (1997) në listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore të Kulturës.
E dukshme që së largu
Letonia është pushtuar nga Lindja dhe nga Perëndimi, ka vuajtur nën pushtimin nazist dhe atë sovjetik. Milda, figura prej bronzi lart në monumentin e lirisë, simbolizon pavarësinë e vendit - një objekt me shumë vlerë ky. Padyshim ky është një ndër atraksionet më të rëndësishme të Rigës. Ky monument bie në sy menjëherë kur kalon nga pjesa e re e qytetit drejt qendrës historike.
Një vend me histori të pasur
Në 1999, në 800 vjetorin e qytetit, Riga u restaurua. Me këtë rast u rindërtua edhe "Schwarzhäupterhaus", shtëpia e tregtarëve të vëllazërisë "Schwarzhaupt". Ndërtesa me fasadën holandeze të stilit të Rilindjes është kopje e origjinalit të shkatërruar në Luftën e II Botërore. Në shek. e 14-të ajo u përkiste tregtarëve beqarë, që me tregtinë përmes lumit Daugava e futën Rigën në Lidhjen e Hansës.
Histori rrënqethëse
Pushtuesit suedezë e hapën këtë portë në një shtëpi. Ajo është e mbushur me legjenda. Tregohet, se këtu dikur takoheshin fshehurazi një vajzë e re letoneze dhe një ushtar suedez. Por dashuria e tyre e ndaluar u zbulua. Si dënim të dy duheshin murosur të gjallë në muret mbrojtëse të qytetit. Mos vallë janë ata që pëshpërisin këtu në mesnatë?
Qendra e zbukuruar e qytetit
Qendra historike e Rigës në njëzet vitet e fundit është zbukuruar vazhdimisht, por edhe është shtrenjtuar mjaft. Shumica e banorëve vendas nuk mund t'i përballojnë më imobiliet me çmime marramendëse. Tani këtu dominojnë hotelet, restorantet, klubet, butikët dhe dyqanet me suvenire tipike prej leshi dhe qelibari.
Duke shijuar arkitekturën e qytetit
Jo pak turistë vijnë për të festuar në Riga. Kjo për faktin, se alkooli këtu ka çmim të ulët. Por shumë të tjerë vijnë sepse janë kuriozë për kulturën dhe arkitekturën dhe kanë kënaqësi të shëtisin nëpër rrugët me kalldrëm duke kërkuar vazhdimisht motive të reja për të fotografuar.
Fasadat tërheqëse të Rigës
Babai i regjisorit të njohur Sergeij Eisenstein quhej Michail dhe ka qenë arkitekt. Ai ka projektuar disa nga godinat më të njohura të qytetit me stil neoklasik. Të habit moria e kafshëve dhe e motiveve nga përrallat të pasqyruara nëpër fasada. Po aq tërheqëse janë edhe gratë e bukura! Koleksioni i 800 ndërtesave është pjesë e listës së UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore të Kulturës.
Lart e më lart
Në fillim të shekullit të 20-të Riga u zhvillua vrullshëm. Industrializimi përjetoi bum, numri i banorëve u rrit ndjeshëm, shtëpitë e vjetra të drurit u zëvendësuan prej ndërtesave të reja luksoze. Nëse ishe dikush, kjo duhej demonstruar, e ndër të tjera edhe përmes dekorimit të portave dhe hyrjes së shtëpive të pasanikëve.
Qendra e Balltikut
Një në tre letonezë banon në kryeqytet. Në Riga është përqendruar ekonomia e vendit. Këtu ndodhen muzetë, teatrot dhe shkollat e larta më të rëndësishme të Letonisë. Studentët e bëjnë Rigën qytetin e rinisë.
Gërshetim i modernes me tradicionalen
Pjesa e re e qytetit të Rigës është e tejmbushur me kafene e me butikë filialesh të markave të njohura të modës. Por qytetit i jepet edhe theksi i veçantë me bare të vogla, dyqane buke, sallone artizanati, punishte këpucësh e dyqane stilistësh, të cilët natyrshëm e kanë zhvilluar edhe më tej artizanatin tradicional.
Tregu i Rigës
S'ka gjë që nuk e gjen këtu: madje edhe raki të bërë vetë, peshk të freskët apo të tymosur, kastraveca, djathë me erëza apo mjaltë. Tregu qendror i Rigës është vendosur në repartet e dikurshme të fabrikës së Zeppelinëve, një atraksion i vërtetë ky. Një përjetim i veçantë është takimi me gratë e forta të tregut.
Monedha e re
Prej muajsh letonezët po ambjentohen me monedhën e re. Ata kanë llogaritur mbarë e prapsht për t'u mësuar me monedhën e përbashkët europiane. Nga 1 janari 2014 do të hidhet euro në qarkullim. Njerëzit i dëgjon të ankohen, se euroja është e shtrenjtë, sepse qysh para Vitit të Ri çmimet i janë përshtatur monedhës së re. Ky është në radhë të parë një problem për të moshuarit.
Jashtë rrëmujës e rrëmetit
Shumica e turistëve vizitojnë vetëm qendrën e Rigës, pra anën e bukur të saj. Për të mësuar më shumë mbi të kaluarën e afërt ia vlen një vizitë në muzeun e okupacionit. Por edhe një udhëtim në periferitë e qytetit është mjaft tërheqës - ai i ngjan një udhëtimi në kohë të ndryshme.
Lagjet periferike të Rigës
Riga ishte një ndër qytetet më të përparuara të Bashkimit Sovjetik - asokohe Letonia ishte republikë sovjetike. Shumë fabrika sot kanë mbetur të braktisura në mes të lagjeve me parafrabrikate dhe shtëpive të drurit të vjetëruara.
Valixhe plot me suvenire
Natyrisht që turistët kthehen nga Riga duke marrë me vete ndonjë suvenir. Por në rrugën e kthimit më plot se valixhja në fakt është koka, që vret mendjen: a të vi sërish? Po patjetër, kur Riga të jetë kryeqyeti i kulturës europiane 2014. Me siguri që do të ketë të reja për të zbuluar. Në ekspozita, koncerte e aktivitete - si dhe me njerëzit, që i japin qytetit një karakter krejt të veçantë.