1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Draghi duhet ta nxjerrë Italinë nga kriza

3 Shkurt 2021

Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane është ngarkuar nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella për të formuar qeverinë. Draghi u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij për unitet.

https://p.dw.com/p/3oq21
Italien Mario Draghi äussert sich zur Regierungsbildung
Fotografi: Alessandra Tarantino/Pool/AP/picture alliance


"Unë e falënderoj Presidentin për besimin," tha Mario Draghi në Romë. Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ishte i bindur se bisedimet me palët do të çonin në një zgjidhje të përgjegjshme. Në deklaratën e tij, ai foli për një "moment të vështirë për vendin" dhe për një "krizë të madhe shëndetësore". Ekonomisti 73-vjeçar bëri thirrje për "unitet" në këtë kohë "të vështirë" për Italinë.

Më parë patën dështuar negociatat për një qeveri të re të aleancës së mëparshme qeveritare të partive të qendrës së majtë me Giuseppe Conten në krye. Presidenti Sergio Mattarella, i cili dëshiron të parandalojë zgjedhjet e reja në mes të krizës së Coronas, ftoi më pas Draghin në rezidencën e tij zyrtare për një bisedë për një qeveri ekspertësh. Të martën, presidenti u kërkoi partive në parlament të mbështesnin një zgjidhje të tillë.

Draghi - opsion prej disa javësh

Emri i ekonomistit kishte kohë që diskutohej si kryetar i një qeverie eksperësh, që supozohet se do ta drejtojë Italinë përmes krizës së rëndë ekonomike dhe shëndetësore. Mbi të gjitha, Draghi duhet të arrijë një marrëveshje për rreth 210 miliardë euro nga fondi i rindërtimit të BE për të kapërcyer krizën e Coronas, marrëveshje e cila u përdor për të prishur aleancën e qendrës së majtë më parë në pushtet. Ish-Kryeministri Matteo Renzi dhe partia e tij e vogël Italia Viva u larguan nga koalicioni. Renzi e akuzoi Conten për shpërdorim miliardash nga fondet dhe bëri thirrje për përdorim më të arsyeshëm.

Me tërheqjen e Italia Viva, aleanca e mbetur e Lëvizjes Pesë Yje, Social Demokratëve (PD) dhe Liberi e Uguali (Të Lirët dhe të Barabartët) e humbën shumicën e tyre parlamentare.

Renzi sinjalizoi mbështetje edhe para ngarkimit zyrtar të Draghit me formimin e qeverisë. "Kushdo që është me vullnet të mirë duhet të marrë parasysh thirrjen e Presidentit Mattarella dhe të mbështesë qeverinë e Mario Draghit," shkroi ai në Twitter. Edhe kryetari i PD, Nicola Zingaretti u tregua "i hapur për një dialog për të mirën e vendit".

Vito Crimi, politikani kryesor i Lëvizjes me Pesë Yje, megjithatë e kundërshtoi një qeveri ekspertësh nën Draghin. "Kjo lloj qeverie është përdorur në të kaluarën, me pasoja jashtëzakonisht negative për qytetarët italianë," tha ai.
 

aud (dw, dpa)