Dorëheqja e turpshme e presidentit hungarez
3 Prill 2012Ai përjetoi një largim pa respekt. Presidenti i deritanishëm hungarez dhe ish-kampioni olimpik në vitin 1968 dhe 1972, u ankua gati 15 minuta për mungesë respekti dhe sulme të pabaza kundër tij. Ai fajësoi opozitën për akuza të rënda kundër tij, për mashtrime, vjedhje dhe gënjeshtra. Ai foli për tradhëtarët e kombit që kanë njollosur në botën e jashtme emrin e presidentit të Hungarisë, por nuk përmendi asnjë emër. Presidenti i deritanishëm i Hungarisë Schmitt është kritikuar ndërkombëtarisht dhe është paraqitur si njeri i pavlerë. Schmitt mbrojti edhe një herë doktoraturën e tij dhe paralajmëroi mundësinë e ankesës para gjykatave për heqjen e këtij titulli. Në fund ai megjithatë vendosi të tërhiqet nga posti i presidentit me shpjegimin se në këtë situatë mbetja në këtë post vetëm sa do të dëmtonte kombin e tij të dashur dhe nuk do të ishte në gjendje të kryente si duhet postin e presidentit. "Prandaj kam vendosur të tërhiqem nga ky post", tha ai.
Punimi shkencor i kopjuar nga një bullgar dhe një gjerman
Ishte ky fundi i një afere e cila ka zgjatur me muaj të tërë. "Logjika ka fituar ndaj irracionalitetit", thuhet në titullin e një artikulli të botuar në një portal interneti. Lajmi për dorëheqjen vlerësohet si një lajm i mirë.
Në fillim të janarit revista hungareze me autoritet Heti Világgazdaság pati zbuluar se Pál Schmitt ka kopjuar një pjesë të madhe të doktoraturës së tij të mbrojtur në vitin 1992. Punimi i tij "Analiza e programeve dhe lojërave moderne olimpike" është marrë "fjalë për fjalë" nga punimi i shkencëtarit bullgar të sportit Nikolai Georgijev, i cili ka vdekur në vitin 2005. Nga ky punim janë marrë plot 180 nga 215 faqet e tij. Më vonë portali i internetit index.hu ka zbuluar se presidenti i deritanishëm Schmitt ka marrë shumë pjesë edhe nga sociologu gjerman i sportit, Klaus Heinemann.
Komisioni në Budapest akuzon këshilltarët shkencor të Schmittit
Schmitt i hodhi poshtë kritikat në fillim. Por një komision nga Universiteti në Budapest ka hetuar rastin dhe ka konstatuar lëshime shumë serioze në këtë punim. Vendimi erdhi në një moment shumë ironik, kur Pál Schmitt ishte në Korenë e Jugut, ku u shpall si "student nderi" në Universitetin e Seulit. Komisioni konstatoi se 197 nga 215 faqet e punimit të Schmittit janë kopjuar.
Por edhe më e çuditshme është që komisioni shpalli fajtor këshilltarët e Schmittit dhe jo vet ish- presidentin. Sipas tyre punonjësit e Universitetit është dashur të zbulojnë këto lëshime. Dy ditë më vonë presidenti mbrohej në një intervistë televizive duke folur se kjo çështje ishte duke u përdorur për fushatë dhe presione politike kundër tij. Edhe vetë kryeministri Viktor Orbán pohonte shumë kohë se presidenti Schmitt është "i paprekshëm". Por presioni politik i opinionit ishte tepër i madh për të mbijetuar në këtë post.
Humbje edhe për Orbanin
Grindjet për dorëheqjen e Schmittit kanë edhe shkaqe politike. Në Hungarinë postkomuniste shumë shpesh ka pasur grindje mes presidentëve dhe qeverive. Presidenti i Hungarisë ka vetëm një funksion përfaqësimi, por ai mund të bllokojë ligjet, në qoftë se nuk i nënshkruan. Árpád Göncz, presidenti i parë pas kohës së komunizmit, në vitin 1990 përpiqej që me këto mjete të nxisë zhvillimin demokratik në vend dhe shumë shpesh binte ndesh me vendimet e qeverisë. Edhe pararendësi i Schmittit , László Sólyom, ka përdorur shpesh këto mjete.
Viktor Orbáni ka nominuar Pál Schmittit në pranverën e vitit 2010 për postin e presidentit sepse ai ishte një bashkëpuntor i tij i ngushtë. Dhe me të vërtetë: Schmitti ka nënshkruar pa asnjë fjalë me qindra ligje të dikutueshme dhe të kritikuara nga ekspertët.
Gjatë debateve të shumta për titullin e tij doktor kanë rënë në sy edhe shumë gjëra të tjera. Për shembull, presidenti kishte probleme të mëdha me drejtëshkrimin hungarez, sepse shumë fjalë i shkruante gabimisht. Tani Schmitti mendon të shkruajë një punim të ri shkencor. Ai pohon se do të dëshmojë se edhe si 70-vjeçar është në gjendje të shkruajë punime shkencore dhe të mbrojë titullin doktor. Deputetët e partisë në pushtet i kanë përshëndetur këto fjalë të Schmittit.
Autor: Keno Verseck/Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama