Disa imazhe nga "ekzodi" ilegal i kosovarëve drejt Perëndimit
Në "vendin më të varfër të Europës" njerëzit e kanë humbur durimin. Mijëra qytetarë të Kosovës dita ditës marrin rrugën ilegalisht përmes Serbisë e Hungarisë drejt Perëndimit me shpresën për një jetë më të mirë.
Pikëkalimi kufitar Suboticë
Itinerari që ndjekin emigrantët është pikëkalimi kufitar i Merdares për në Serbi. Përderisa Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të vetën, shtetasit kosovarë mund ta kalojnë pa vizë kufirin. Në Serbi ata kalojnë më tej ilegalisht përmes brezit kufitar në Subotica për në Hungari, ku kërkojnë azil.
Policia serbe i arreston refugjatët ilegalë në kufirin serbo-hungarez
Kohët e fundit shumë refugjatë edhe kanë arritur ta kalojnë kufirin për në Hungari, por shpesh herë ato edhe janë ndaluar rrugës nga policia kufitare serbe apo hungareze, që i ka kthyer ata sërish për në Kosovë. Policia serbe (fotografia) i ka ndaluar në Suboticë disa emigrantë ilegalë nga Kosova.
Kufijtë e BE-së kalohen më shumë nga kosovarët se sa nga refugjatët e luftës
Që nga shtatori i vitit të kaluar ka pasur rritje të kalimit të kufirit prej kosovarëve. Në dhjetor shqiptarët e Kosovës përbënin 40% të kuotës së kalimve kufitare në vendet e BE-së, shumë më tepër se sa nga refugjatët e vendeve të luftës si Siria dhe Afganistani.
Në Gjermani rritet ndjeshëm numri i aplikimeve për azil nga kosovarët
Presidenti i Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë, Manfred Schmidt tha për DW: „Krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë kemi një rritje të kuotës me 572 % së kosovarëve.“ Sipas tij, kërkesat e kosovarëve për azil përpunohen me procedurë të përshpejtuar dhe vendimi për secilin rast duhet të merret sa më parë të jetë e mundur. Kuota për njohjen e azilit është gati 0,0 %.
Kuota e pranimit në vendet e BE 0,0% - Hungaria synon të marë masa
Kosovarët zunë vendin e parë për nga numri i aplikimeve për azil në Austri në muajin janar. Në Hungari, sipas autoriteteve, kanë aplikuar për azil vetëm në janar 10 200 shqiptarët nga Kosova. Kryebashkiaku radikal i djathtë i qytetit në kufi Asotthalom pranë Shegedit, Laszlo Torockai, do të vendosë një gardh përgjatë kufirit për të penguar valën e refugjatëve. (fotografi nga zona e kufirit)
Vendstrehim i përkohshëm deri në përgjigjen negative dhe riatdhesimin
Derisa shqyrtohet kërkesa për azil me procedurë të përshpejtuar refugjatët në Gjermani presin në vendstrehimet e landeve, ku janë regjistruar. Këtu (fotografia nga kampi i refugjatëve në Esen-Kupferdreh) atyre u jepen ndihmat elementare për mbijetesë. Vendimi merret brenda 10 ditësh. Përgjigjet janë negative, sepse të gjitha kërkesat janë të paargumentuara dhe pas kësaj pason kthimi në Kosovë.
Dialogu Serbi - Kosovë dhe "ekzodi" i kosovarëve
Ndërkohë që nga stacionet e autobusëve në Kosovë (në fotografi Prizreni) nisen dita ditës emigrantë ilegalë, të hënën (09.02.) pas një viti heshtjeje BE-ja do të risjellë në tryezën e bisedimeve kryeminsitrat e Serbisë dhe Kosovës. Dialogu synon të gjejë zgjidhjen e problemeve për qytetarët. Por nëse ekzodi vazhdon me këto ritme, problemet për zgjidhje mund të marrin një kahje krejt tjetër.