Diktatori Kim mungon në festimin e ditëlindjes
10 Tetor 2014A do të vijë ai apo jo? Kjo qe pyetja vendimtare, që vëzhguesit e Koresë së Veriut dhe shtypi ndërkombëtar shtronin para kremtimeve të 69 vjetorit të themelimit të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut këtë të premte. Përgjigja është: Jo. Në listat e mysafirëve të shpërndara nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, emri Kim Jong Un nuk shfaqej. Në ceremoni në vend të tij mori pjesë Hwang Pyong So, faktikisht numri dy në hierarkinë shtetërore. Dhe hamëndjet për atë se ku mund të ndodhet Kimi vazhdojnë.
Në fakt, Kim Jong Un-i është një diktator publik. Qoftë në vizitën në fabrikë, në manovra ushtarake ose me bashkëshorten në parkun e kohës së lirë - në të gjitha takimet që ka diktatori i ri, kamerat janë të pranishme. "Kim Jong Un-i i lë njerëzit dhe mediet shumë më pranë vetes, se sa e bënte këtë p.sh. ati i tij i mbyllur", thotë Rüdiger Frank, ekspert i Azisë Lindore në Universitetin e Vienës dhe autor i librit të publikuar në shtator "Pikëpamje të brendshme të një shteti totalitar."
Por që prej më shumë se një muaji gjithçka është ndryshe. Që atëherë Kim Jong Un është zhdukur sikur e ka përpirë dheu. Për herë të fundit në publik ai u duk në 3 shtator, kur ndoqi një koncert. Që aty ra në sy: udhëheqësi çalonte, dukej se ecte vetëm duke duruar dhimbjet. Pamjet e daljes së tij në publik shtruan terrenin për një sërë spekulimesh: a ka Kimi problem me shëndetin, a vuan ai nga përdhesi apo ka probleme me këmbët për shkak të mbipeshës që ka? Dhe këto janë hamendjet më të buta.
Shumë supozime, pa fakte
Kështu shtrohet ndër të tjera çështja, nëse pas mosdaljes së tij ka shkaqe politike. A mos e kanë rrëzuar nga pushteti Kimin? Emigrantë koreanoveriorë supozojnë në portalin e lajmeve "New Focus International" pikërisht këtë, pasi më pak se një javë më parë, numri dy, tre dhe katër në hierarkinë e Koresë së Veriut shkuan papritur në Jug dhe zhvilluan atje bisedime. Një indikacion i veçantë për teoritë e rrëzimit: të tre udhëtuan me avionin presidencial. Aidan Faster-Carter, ekspert për Korenë e Veriut në Universitetin britanik Leeds i thotë DW se "mund të mos jetë diçka dramatike, si një puç". Por mund të ketë një zhvendosje të pushtetit në prapaskenë.
Rüdiger Frank ishte tri javë më parë në Korenë e Veriut dhe e konsideron një puç të hapur si jorealist. "Nga pikëpamja e elitës ky do të ishte budallallëk i madh. Më shumë mundësi ka që grupe të ndryshme të përpiqen të fitojnë ndikim ndaj udhëheqësit - por jo që ta zëvendësojnë atë."
Mediet e Koresë së Veriut thonë vetëm se pushtetmbajtësi i ri "nuk ndihet mirë". Veç kësaj, shëndeti i udhëheqësit zyrtarisht nuk është temë diskutimi. Ajo që mbetet është vetëm një gjë: pasiguria.