Dialogu kombëtar për ujin në Gjermani
8 Gusht 2019Ky paralajmërim erdhi përmes celularit. Rezervat e ujit të pijshëm janë "shqetësuese", njoftoi në fund të qershorit aplikacioni paralajmërues NINA i Entit Federal për Mbrojtjen e Popullsisë dhe Ndihmat për Katastrofat (BBK). Paralajmërimi i referohej rastit në Herford, një rajon në landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë.
Por edhe pak kilometra më tutje u shfaq një situatë e ngjashme. Disa banorë të qytezës Lohne në Saksoninë e Ulët kishin mbetur pa ujë. Nga rubineti kryesisht mbrëmjeve nuk dilte asnjë pikë ujë. Të dy këto shembuj tregojnë atë se me çfarë nuk janë mësuar ndonjëherë gjermanët: Uji është një burim, që dikur shteron.
Në Gjermaninë e pasur me ujë në fakt kjo është e papërfytyrueshme. Në vitin 2013, sipas Entit Federal për Mjedisin (UBA) janë konsumuar 25 miliardë metra kub ujë. Në këtë mënyrë Gjermania ka përdorur vetëm 13 përqind të rezervave të saj me ujin e pijshëm. Por qysh atëherë vera me nxehtësi rekord më 2018, dimri me pak reshje dhe ditët e nxehta e me thatësirë të kësaj vere kanë ndikuar në burimin e ujit, që janë ujërat nëntokësore.
Një burim i shumëkërkuar
Lutz Neubauer nga Shoqata për Mbrojtjen e Natyrës (NABU) në Saksoninë e Ulët mendon, se vetëm në landin e tij "niveli i ujërave nëntokësore ulet me 1,5 deri në 2 në vit." Kjo do të thotë që mbetet më pak ujë në dispozicion, ndërkohë që njëkohësisht fazat e të nxehtit me thatësira bëjnë që këto rezerva të mos rigjenerohen.
Të nxehtit bën gjithashtu edhe që të rritet kërkesa për ujin. Bari në kopsht thahet, gjithkush dëshiron të freskohet në pishinë. Të gjitha këto ndikojnë në shfrytëzimin e rezervave të ujit. Në verilindje të landit të Renanisë Veriore - Vestfalisë këtë verë janë vendosur gjoba, nëse ndonjë qytetar është kapur duke mbushur pishinat ose duke larë makinat me ujë të pijshëm.
Konkurrencë nga një drejtim i pazakontë
Sidoqoftë vitet e fundit është shtuar edhe një grup tjetër, që ka shfrytëzuar gjithnjë e më me intensitet ujërat e nëntokës: bujqit. "Po krijohet një situatë konkurrence për ujin. Ne duhet që të mendojmë pa qenë vonë për shpërndarjen me efikasitet të burimeve të ujit", thotë Jörg Rechenberg, ekspert i ujit në UBA. Deri më sot bujqit nuk kanë pasur nevojë të përdorin ujërat e nëntokës. Reshjet kanë mjaftuar për ujitjen e fushave. Por kjo ka ndryshuar. Vala e të nxehtit i ka tharë fushat e tyre. Pasoja është, që bujqit e kërkojnë tani ujin nga burime të tjera. "Numri i kërkesave që paraqesin bujqit për përdorimin e ujërave nëntokësore është rritur ndjeshëm", thotë Neubauer nga NABU për rajonin e tij në Saksoninë e Ulët.
Janë njerëzit si Tobias Gerdesmeyer, të parët ata që i vërejnë pasojat e këtyre zhvillimeve. Ai është kryetar bashkie në Lohne, ku në qershor mungoi uji. Por për këtë shkak nuk ishin ujërat nëntokësore, por tubacionet e vjetra, që nuk mund të përcillnin më ujin në sasinë e duhur. Një linjë me tubacione të reja nga shtatori do ta përmirësojë gjendjen. Kësisoj qytetarët sërish do të furnizohen rregullisht me ujë.
Megjithatë problem është edhe rritja si asnjëherë më parë e konsumimit të ujit. Edhe në këtë drejtim duhet të merren masa urgjente. Sidoqoftë në Gjermani nuk ka mungesë uji, për këtë ekspertët janë të sigurtë. "Nuk ka arsye për panik apo për masa radikale", thotë Rechenberg nga UBA. "Por tani ka ardhur koha, që ne të fillojmë të vemë në jetë konceptet, në mënyrë që të ruajmë rezervat e ujit e kur të hapim rubinetin të mos na mungojë asnjëherë uji i pijshëm."
Prej disa muajsh në periudha të caktuara kohore zhvillohet tani i ashtuquajturi "Dialogu kombëtar për ujin" nën drejtimin e Ministrisë Federale të Mjedisit. Në këtë forum marrin pjesë përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe të industrisë. Deri në vjeshtë 2020 duhet të zhvillohet koncepti se çfarë është urgjentisht e nevojshme për një strategji afatgjatë për ujin, e cila të mbajë emrin "E ardhmja e ujit".