1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Detyrimi për vizë për kosovarët të shfuqizohet"

Greta Hamann3 Mars 2015

Dhjetramijë kosovarë po vijnë ndërkohë në BE. Ky imigracion ka një traditë të gjatë, thotë eksperti i Ballkanit Norbert Mappes-Niediek. Dhe sipas tij, nëse ata legalizohen, Gjermania mund të përfitojë.

https://p.dw.com/p/1EkX8
Serbische Polizei nimmt illegale Auswanderer aus Kosovo an der Grenze zu Ungarn fest
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Deutsche Welle: Rreth 50.000 kosovarë janë larguar vetëm brenda gjashtëmujorit të fundit nga vendi i tyre, që ka gjithsej rreth 1,7 milionë banorë. Përse i kthejnë shpinën atdheut të tyre kaq shumë kosovarë?

Norbert Mappes-Niediek: Unë besoj, se duhet të bëjmë një dallim të qartë mes arsyes dhe shkakit. Ka një largim të vazhdueshëm të shqiptarëve nga Kosova por edhe të pakicave të tjera. Arsyeja kryesore është mungesa e perspektivës. Çdo vit rreth 50.000 të rinj dalin në tregun e punës dhe nuk kanë asnjë shans atje. Shumë prej tyre praktikisht nuk kanë asnjë mundësi, veçse të shkojnë jashtë vendit.

Vala e emigracionit si në panik që arriti kulmin në dhjetor dhe ndërkohë ka nisur të bjerë, pati një dinamikë të vetën. Shkaku i vërtetë i saj është i vështirë të përcaktohet. Shumë thonë, se kjo kish të bënte me krijimin e qeverisë në fillim të dhjetorit. Pas kësaj u bë e qartë, se në Kosovë nuk do të ndryshojë asgjë. U desh të pritej gati një gjysmë viti pas zgjedhjeve derisa Kosova të bëhej me qeveri. Fillimisht u krijua një koalicion për ndryshimin e pushtetit. Por pas ndërhyrjes së fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare - edhe të Gjermanisë - kthesa në pushtet mbeti e parealizuar. Tani ka një koalicion me bazë të gjerë. Si rrjedhojë në Kosovë u krijua përshtypja: ne mund të votojmë, por në pushtet mbeten të njëjtët njerëz, nëse ata e duan këtë.

Edhe kriminaliteti i organizuar që gëlon në Kosovë jepet shpesh si arsye për arratinë e shumë njerëzve nga vendi. A mund ta pohoni edhe ju këtë?

Unë do të thoja, se njerëzit nuk largohen direkt prej kriminalitetit të organizuar, sepse ai nuk perceptohet kaq shumë në jetën e përditshme. Por padyshim që një arsye përse ata largohen është korrupsioni. Ata arratisen nga një shteti, i cili nuk ofron asgjë dhe në të cilin elita e vogël mbush xhepat e veta. Kjo elitë ka edhe lidhje me kriminalitetin e organizuar. Por në jetën e përditshme kjo nuk luan asnjë rol. Në Kosovë mund të lëvizësh i sigurt. Atje s'ke përse ke frikë, se mund të qëllojnë për vdekje apo të të ndodhë diçka e ngjashme. Atje mund të hapësh biznese pa u shantazhuar për mitmarrje. Ndoshta kjo funksionion atje më mirë se në ndonjë qytet tjetër të madh europiano-perëndimor.

Norbert Mappes Niediek
Norbert Mappes NiediekFotografi: DW/A Grunau

Ç'pasoja ka emigracioni masiv për vendin?

Së pari ka si pasojë, që më të mirët largohen. Kjo ul mundësitë, që në Kosovë të lulëzojë ekonomia. Por emigracioni ka edhe funksionin e një ventili dhe të çlirimit nga barra, sepse kur shumë njerëz largohen tregu ekzistues i punës ndodhet më pak nën presion.

Megjithatë në këtë situatë nuk ka asnjë perspektivë, njerëzit thjeshtë largohen dhe nuk i bëhen më barrë shtetit. Se si kjo do të ndryshojë ndonjëherë në këtë vend, është fare e paqartë në këtë situatë.

Çfarë zgjidhjeje shihni ju që Kosova të përparojë në të ardhmen?

Unë mendoj se së pari duhet të shfuqizohet në BE detyrimi për vizë për kosovarët. Për të gjitha vendet e tjera fqinjë ky hap tashmë është ndërmarrë. Të gjithë shqiptarët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe maqedonasit mund të lëvizin lirshëm në BE, të paktën si turistë për tre muaj.

Nëse detyrimi për vizë do të hiqet, kjo natyrisht nuk do të thotë patjetër, që kosovarët paskëtaj do të dalin për të vizitur kullën Eifel. Ata gjatë kësaj kohe do të punojhnë. E kësisoj do të dërgojnë para në shtëpi apo edhe do të kthehen pas një farë kohe, për të jetuar në Kosovë me paratë që kanë mbledhur gjatë kësaj periudhe në Perëndim. Sidoqofë në një rast të tillë krijohet një lloj shkëmbimi. Ky shkëmbim bën që në Kosovë të mundësohet më lehtë krijimi i diçkaje të re. Përveç kësaj me heqjen e vizave nuk do të kishte më largime në panik, siç kemi përjetuar javët e fundit.

Si e vlerësoni ju propozimin, që të investohet më shumë në shkollat gjermane në Kosovë, për të kontribuuar disi kundër mungesës së shumëpërfolur të forcave të kualifikuara të punës në Gjermani?

Kjo është një ide e mirë. Ky është një komportim disi provokues. Nuk duhet të harojmë, se ne nuk mund ta shkëpusim lidhjen me kosovarët. Në Kosovë thuajse nuk ka askënd që të mos ketë të afërm diku në Zvicër, në Gjermani apo në Austri. Lidhjet familjare janë shumë të forta. Ne e perceptojmë shpesh Kosovën si një vend të largët ekzotik. Por nuk është aspak kështu. Shumcia e kosovarëve kanë lidhje diku në Gjermani, në Zvicër apo në Austri. Nëse këto lidhje duhet të ripërtërihen, atëherë duhet kujdesur, që ata që vijnë tek ne të kenë kualifikim të mirë e ndoshta të kenë mësuar edhe gjermanisht, kur të vijnë këtu.

Gjermania mund të përfitojë nga një imigrim i tillë. Por për aq kohë sa ky është ilegal, ai mbetet një problem. Nëse ky emigracion legalizohet dhe vendoset mbi baza të arsyeshme, kjo është diçka e mirë.

Kosova është rajoni me dendësinë më të lartë të popullsisë në Ballkan dhe asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të mbajë vetveten. Ajo ka qenë gjithmonë pjesë e një shteti më të madh dhe të shpresosh, se një ditë kjo do të ndryshojë, unë besoj, se ky është një iluzion. Imigrimi, pikërisht i djemve të rinj, ka një traditë të gjatë. Gjithmonë ka qenë kështu, që ata janë larguar dhe familjet kanë jetuar prej asaj që ata kanë dërguar në shtëpi. Sot kjo nuk është ndryshe nga sa ka qenë para 50 apo 100 vjetësh.

Norbert Mappes-Niediek është korrespondent në Europën Juglindiore për gazeta të ndryshme gjermane dhe autor i disa librave për Ballkanin. Ai udhëton rregullisht në Kosovë.