1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mos u beso atyre që thonë se kujdesen për indentitetin tuaj!

Alexander Andreev11 Mars 2015

Prof. Raymond Detrez, balkanolog dhe historian, në intervistën për DW, flet për krijimin e shteteve kombëtare dhe zhvillimin e identitetit në Ballkan

https://p.dw.com/p/1Eo9P
Raymond Detrez
Fotografi: privat

DW: Profesor Detrez, në Bullgari u publikua libri Juaj që i dedikohet identiteteve kolektive parakombëtare në Ballkan, nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit të XIX . Cila është teza juaj kryesore?

Detrez: Teza ime kryesore në libër është se para shekullit të XVIII njerëzit në Ballkan e kanë konsideruar veten para së gjithash si të krishterë ortodoksë, ndërsa kombësia e tyre ka qenë një çështje dytësore. Kjo spjegon se përse në këtë kohë nuk përmendet kombësia e “Të përvuajturve të rinj” ( viktimave të pushtimit otoman), pse ortodoksët bullgarë janë martuar me ortodoksët grekë, vllehë, me shqiptarë, madje edhe me arabë, por jo edhe me bullgarët katolikë dhe pomakët. Pse bullgarët në viset urbane janë turqizuar aq lehtë, përderisa ndryshimi identitetit etnik nuk e ka prekur identitetin fetar? Pse shqiptarët, bullgarët, vllehët dhe popujt e tjerë ortodoksë në Perandorinë Osmane, gjatë kohës e kanë përdorur greqishten si “ gjuhë të tyre letrare”. Përse kanë marrë pjesë në kryengritjen greke të vitit 1821, e cila ka filluar si kryengritje e të krishterëve ortodoksë kundër pushtetit osman? Këto janë fakte historike. Jeta kulturore e popujve të Ballkanit para shekullit të XIX, është thellë e zhytyr në religjion dhe të kërkohet në të “kombëtarja” është e pafrytshme dhe qesharake.

Unë nuk them se njerëzit në Ballkan nuk kanë ditur për kombësinë e tyre. Por them se për ta, përkatësia etnike nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë. Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar gjatë shekullit XIX. Të krishterët ortodoksë, nga prejardhje të ndryshme etnike, të cilët me shekuj kanë jetuar së bashku pa asnjë problem, që kanë pasur shkëmbim tregtar mes tyre dhe kanë formuar familje të përbashkëta, nën ndikimin e “ Zgjimit kombëtar”, të mbetur pa shpresë u detyruan të përzgjedhin një kombësi-kategori kjo me të cilën deri në atë kohë nuk ishin marrë dhe kjo kategori tani do t'i dallonte nga të tjerët. Një humorist holandez thotë se ka sëmundje nga të cilat njeriu nuk mund të preket nëse nuk i njeh. Kështu është edhe me identitetin kombëtar. Jeton në qetësi derisa nuk të pyesin se cili është identiteti yt dhe derisa nuk të bindin se identiteti yt është ky apo ai dhe se identitetin duhesh ta ruash. Me fjalë të tjera: mos u besoni atyre që ju thonë se kujdesen për identitetin tënd kombëtar.

Cilat janë temat që bëjnë lidhjen e shtetit bullgar të formuar në vitin 1878 me dy shtetet mesjetare bullgare?

Këto lidhje janë shumë të dobëta. Para shekullit të XIX në të gjithë Evropën aplikohen ideologji të ndryshme kombëtare. Disa prej tyre kanë sukses dhe mundësojnë krijimin e bashkësive kombëtare dhe shteteve kombëtare, ndërsa ideologjitë e tjera u treguan si jo frytdhënëse. Komponente e rëndësishme e këtyre ideologjive kombëtare është rrëfimi për shtetin e mesjetës, i cili duhet të rilindë. Por jo të gjitha kombet disponojnë një shtet të tillë. Dhe nëse nuk ke histori të bujshme mesjetare ti je i privuar nga një instrument i rëndësishëm propagandues, por në fund të fundit kjo nuk është aq fatale. Shqiptarët, maqedonasit, letonezët, estonezët, sllovakët, bjellorusët, ukrainasit etj. në të kaluarën nuk kanë pasur shtetin e tyre për t'u marrë me një punë të tillë. Ose në qoftëse ata e kishin, ato shtete mesjetare janë kontestuar nga të tjerët. Megjithatë shumica e tyre tashmë me dekada jetojnë si bashkësi kombëtare.

Në dekadat e fundit të shekullit XIX Rusia dhe Fuqitë e Mëdha po bëjnë përpjekje për të instaluar influencën e tyre në Ballkan. A mendoni se edhe për momentin ekziston një interes i ngjashëm?

Ky proces nuk është ndalur që kurse Fuqitë e Mëdha filluan të merren me Ballkanin. Në kohën e Luftës së Ftohtë, Ballkani ishte i ndarë në sferat e influencës midis Lindjes dhe Perëndimit. Pas luftës së ftohtë, NATO e plotësoi vakuumin që doli pas rënies së bllokut lindor, respektivisht pas shkatërrimit të Paktit të Varshavës. Mund të kuptohet se pse vendet e Baltikut, Çekia, Polonia dhe vendet e tjera nga Evropa Qendrore kërkojnë mbrojtje nga NATO, pasi gjysmë shekulli ato ishin të okpuara nga Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu e kuptohet se pse Rusia ndjehet e rrezikuar për shkak të zgjerimit të NATO-s në Lindje. Edhe pse gjatë gjithë historisë së tyre pa ndërprerje kanë bërë luftra agressive, rusët gjithmonë e kanë konsideruar veten si viktima të agresionit të jashtëm. Arsyeja kryesore e konfliktit në Ukrainë është baza detare e Krimesë, të cilën rusët nuk dëshirojnë ta humbin, aq më tepër nuk dëshirojnë që ajo të bjerë në duart e NATO-s.

Prof. Raymond Detrez ( 67vjeç) është Balkanolog, drejtor i Qendrës për kërkime Juglindore në Universitetin Gent, Belgjikë.