"Demokracia joliberale" e Orbánit
25 Maj 2017"Soros, Soros, Soros, Soros", e titullonte artikullin e vet kryesor javën e kaluar portali hungarez i internetit 444.hu dhe shtonte se: "Qeveria komunikon me qytetarët me nivelin e një fëmije pesëvjeçar." Shkak për këtë u bë reagimi i qeverisë hungareze për një rezolutë të Parlamentit Evropian javën e kaluar i cili kritikonte demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Hungari. Kryeministri hungarez Péter Szijjártó e quajti rezolutën "Raporti Soros" dhe rezultatin e votimit si "një sulm të ri të rrjetit të Sorosit kundër Hungarisë".
Reagimi i tërbuar është i shpjegueshëm: Pikërisht ashtu si Polonia dhe Hungaria duhet të presë tani një proces të ashtuquajtur të Artikullit 7, i cili zhvillohet si pasojë e rezolutës. Kjo mund të çojë për Hungarinë, një vend anëtar i BE-së në heqjen e të drejtës së votës, nëse shkel rëndë të drejtën në fuqi të votës. Kjo nuk mendohet se mund të ndodhë, por fillimisht parlamentarët e BE-së dhe ekspertët ligjorë duhet të kontrollojnë shkeljet lgjore të Hungarisë.
Edhe vetëm kjo është për qeverinë e kryeminstrit Viktor Orbán mjaft e pakëndshme. Një kontroll i tillë i ngjashëm është bërë katër vjet më parë. Në atë kohë raporti i ashtuquajtur Tavares pati vërejtur shumë shkelje të Hungarisë kundër parimeve demokratike dhe shtetit ligjor. Në korrik të 2013 shumica e Parlamentit Evropian votoi pro raportit. Por, raporti nuk u pasua nga sanksione.
Shteti ligjor është dëmtuar
Që prej asaj kohe shteti ligjor dhe gjendja e demokracisë në Hungari janë keqësuar edhe më shumë. Shkak për rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian u bën të ashtuquajturat "Lex CEU". Në të bëjnë pjesë një projektligj kundër organizatave joqeveritare dhe një ashpërsim i ligjit për azilin, i cili kritikohet nga ekspertët si në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.
"Lex CEU", një rinovim i ligjit për shkollat e larta i aprovuar në muajin prill në një proces të përshpejtuar, kërkon të arrijë mbylljen e "Central European University" (CEU), me qendër në Budapest. Universiteti është krijuar në vitin 1991 nga George Soros – qeveria hungareze e sheh atë si një vend për përgatitjen e kuadrove nga Soros. Një ligj tjetër parashikon të detyrojë organizatat jo qeveritare në të ardhmen që pas një niveli shume të dhuruar, të deklarojë në çdo dokument në mënyrë të dukshme si "financim nga jashtë”.
Në muajin mars u ashpërsua shumë ligji i azilit. Refugjatë, mes të cilëve edhe minorenë nën 14 vjeç, do të mbahen të internuar në zonën tranzite të kufirit gjatë kohës që zhvillohet procesi i tyre. Një paragraf i zgjeruar i ligjit ofron një mënyrë veprimi, i cili i jep fund procesit të azilit, nëse refugjatët nuk kooperojnë. UNHCR e shikon këtë rregull të si shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Procese të ashpra kundër refugjatëve
Në shtator të vitit 2015 Hungaria futi një ligj të veçantë kundër refugjatëve ilegal, të ashtuquajtur "shkelës kufiri". Që prej asaj kohe ata mund të dënohen në një proces të përshpejtuar. Ekspertët shohin në këtë ligj shkelje të parimeve elementare të drejtësisë, të ligjeve të BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare për azilin, prandaj që prej dhjetorit të 2015 ndaj Hungarisë është duke u zhvilluar një proces për shkeljen e pakteve.
Përveç kësaj për shkak të krizës së refugjatëve për të gjithë territorin e Hungarisë që prej marsit të 2016 është në fuqi një e ashtuquajtur situatë krize, e cila i lejon policisë, trupave kufitare, ushtrisë dhe shërbimeve sekrete të kenë të kompetenca të zgjeruara kontrolli dhe hetimi. Çdo gjashtë muaj parlamenti duhet të aprovojë zgjatjen, kjo gjë ndërkohë është kthyer në rutinë.
Në përgjithësi shteti ligjor dhe demokracia në Hungari janë dëmtuar rëndë që prej 2010-ës, kur Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz morën pushtetin me dy të tretat e shumicës. Në shumë raste janë përpiluar ligje të cilat nuk përbëjnë shkelje të qartë të ligjeve të BE-së, por që ndodhen në zonën gri. Kjo vlen për shembull për ligjin e mediave i cili u aprovua më dhjetor 2010. Zyrtarisht ai nuk i kufizon të drejtat e shtypit në Hungari. Zyrtarisht nuk ekziston as censura. Megjithatë ligji nëpërmjet paragrafëve të paqartë rregullon punën e gazetarëve të mediave kryesisht publike, të cilat janë pothuajse të gjitha njësoj edhe sepse drejtimi i tyre dhe organizmat e kontrollit janë zënë vetëm me personel që është besnik me Orbánin.
Kufiri me autoritarizmin është i rrjedhshëm
E njëjta gjë vlen edhe për drejtësinë. Zyrtarisht ajo është e pavarur, nëse personeli nuk do ishte kontrolluar nga besnikë të Orbánit, si për shembull shefja e Entit të Gjykatës së Qarkut OBH, një lloj autoriteti i lartë kontrolli i drejtësisë. Ajo ka për shembull kompetencën të delegojë procese të caktuara në gjykatës së zgjedhur prej saj. Po ashtu me ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2013, janë shkurtuar të drejtat e Gjykatës Kushtetuese.
Shumë ekspertë hungarezë dhe të huaj e shohin ndërkohë Hungarinë të ndodhet në një zonë gri midis demokracisë dhe autoritarizmit. Viktor Orbán e quan këtë "demokraci iliberale".
Një sistem, siç e formuloi ai në fjalimin e mbajtur në verë të 2014, në të cilin ekzistojnë liritë, por ku interesat shtetërore dhe kombëtare kanë prioritet në krahasim me të drejtën individuale.