1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia izraelite e sfiduar nga kundërshtarët e tërheqjes nga Rripi i Gazës

Bettina Marx1 Korrik 2005

Dje forcat izraelite të sigurimit kanë ndërhyrë vendosmërisht në jug të Rripit të Gazës, më në fund duhet thënë, duke i dhënë fund zaptimit nga kundërshtarë ekstremistë të tërheqjes nga Rripi i Gazës të një hoteli të braktisur. Prej ditësh gjendja atje ishte acaruar. Shpesh janë të rinj fanatikë ata që e kanë shpallur sport pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe terrorizimin e banorëve. Ndërkohë veprimet e fanatikëve i kanë provuar vetë edhe izraelitët normalë, për shembull në sabotimin e qarkullimit rrugor. Që gjendja është serioze këtë e tregojnë fjalët e kryeministrit Sharon, i cili deklaroi: "Në asnjë mënyrë nuk mund ta durojmë përpjekjen e një grupi që nuk do të dij

https://p.dw.com/p/ArOq
Një kolon hebre i plagosur gjatë përleshjeve me palestinezë lokalë në Rripin e Gazës
Një kolon hebre i plagosur gjatë përleshjeve me palestinezë lokalë në Rripin e GazësFotografi: AP

� për ligj, që të fitojë kontroll mbi jetën në Izrael."

Ishte e qartë që kjo do të ndodhte herët e vonë. Përpjekja për linçimin e një të riu palestinez nuk ishte e papritur. Shkallëzimi i dhunës midis kolonëve të rinj dhe palestinezëve ishte i parashikueshëm. Dhe edhe grindja sa vjen e më e shfrenuar midis kundërshtarëve që bërtasin kundër tërheqjes së planifikaur nga Rripi i Gazës dhe shumicës së izraelitëve që hesht e duron duhet të shpërthente dikur.

Bllokadat e egra të rrugëve të kundërshtarëve të tërheqjes, të cilët hodhën gozhdë e këmbë pule në autostradë e kështu nuk deshën të dinin as për aksidentet rrugore, po regjistrohen me zemërim në rritje në Izrael. Dje pati për herë të parë përleshje të dhunshme midis demonstruesve dhe drejtuesve të automjeteve, të cilët kishin ngecur në bllokimin e provokuar.

Por e gjithë kjo është kronika e një shkallëzimi të paralajmëruar. Prej vitesh në skajet e lëvizjes kolone, izraelite po rritet një brez fëmijësh e të rinjsh fetarë, fanatikë, që nuk lejojnë t'u vendosë kufij askush. Është kjo një rini fetare pa zot. Pa zot e pa ligj. Këta të rinj, që janë vendosur në të ashtuquajturat pika të largëta, në ngulime të palejuara e të paligjshme të ngritura kudo vitet e fundit në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, nuk e njohin autoritetin e shtetit hebre.

Përparësi ka për ta jo shteti i Izraelit, por shteti i kolonëve, në të cilin vlejnë ligje të tjera. Këtu ata mund ta mundojnë popullsinë palestineze pa u ndëshkuar. Ata i vjedhin asaj tokën, i çrrënjosin pemët, i helmojnë kopetë dhe i shkatërrojnë puset. Fëmijët palestinezë që rrugës për shkollë duhet të kalojnë një ngulim të tillë, kanë nevojë për mbrojtjen e ushtrisë apo të ndihmësve vullnetarë, ndërkombëtarë. Zakonisht sulmet ndaj palestinezëve, gjatë të cilave ka të plagosur e ndonjëherë edhe të vrarë, nuk ndiqen penalisht.

Edhe ditët e fundit të rinjtë që në bregun e bllokut të kolonëve Gush Katif në jug të Rripit të Gazës hynë fillimisht në një hotel të braktisur e më pas zaptuan një shtëpi palestineze mundën të bënin të pabëra pa u penguar nga forcat e sigurimit. Vetëm pasi në përleshje një i ri palestinez thuajse humbi jetën, ndërhyri policia dhe ushtria duke i dhënë fund llahtarisë.

Pamjet e një përpjekjeje të pamëshirshme linçimi që u transmetuan në të gjitha emisionet izraelite të lajmeve, dhe pamjet e drejtuesve të automjeteve që me zemërim prej qyqari godasin bllokuesit e rrugëve, e tronditën opinionin izraelit. "Nuk duam të dukemi kështu", tha një gazetare televizive. "Nuk duam të jemi soldateskë, nuk duam ta humbim pamjen tonë njerëzore."

Por në shtetin e kolonëve në Bregun Perëndimor, shumë larg ekipeve të xhirimit dhe opinionit ndërkombëtar, Izraeli ka kohë që ngjan ashtu siç u paraqit ditët e fundit në Rripin e Gazës: irracional, ekstremist, i pamëshirshëm. Një pakicë e vogël kolonësh fanatikë, e cila prej skajeve të shoqërisë sa vjen e depërton në qendrën e saj, e shpërfytyron atje Izraelin.

Shteti i emancipuar, demokratik, hebre, që mund të paraqesë arritje rekord në teknikë, hulumtime dhe shkencë, që prodhon një jetë të pasur kulturore, që u ofron shtetasve të vet miqëqenie e siguri; ky shtet rrezikon të thyhet përballë shtetit nacionalist e fetar të kolonëve. Në Rripin e Gazës do të shihet javët e ardhshme se cili Izrael do të fitojë, ai i kolonëve apo ai i shumicës me mbrujtje demokratike.