Delegacioni gjermano-francez takon krerët e Kosovës
3 Qershor 2019Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe ekipi negociator i Kosovës për dialog me Serbinë, pritën në takime të ndara një delegacion nga Gjermania dhe Franca. Në delegacion ishin një grup këshilltarët diplomatikë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emannuel Macron. Ata kanë ardhur në Prishtinë për të diskutuar me palën kosovare lidhur me takimin e Parisit (vazhdimësi e takimit të Berlinit), që mbahet me një korri. Tema e vetme e kësaj konference është dialogu Kosovë-Serbi.
Takimet me dyer të mbyllura
Takimet u zhvilluan me dyer të mbyllura, pa pranië e medieve. Ndërkohë që as pas takimeve, asnjë prej pjesëmarrëvesve të delegacionit gjermano-francez nuk pranoi të flasë para gazetarëve. Por nga qarqet qeveritare merret vesh se këshilltarët e kancelares Merkel dhe presidentit Macron kanë ardhur në Prishtinë me mesazhe të qarta. Përmbajtja e mesazheve nuk është publikuar, por thuhet se takimi i Berlinit dhe takimi i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit në dialog, apo të zëvendësuesit të rolit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Udhëheqësit e Kosovës thonë se ata janë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por pa kushte. Sipas tyre, taksa ndaj prodhimeve të Serbisë nuk hiqet, pavarësisht pohimeve të palës serbe se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen e taksës. Presidenti Hashim Thaçi, thotë se ai e mirëpret angazhimin francezo-gjermanë për takimin në Paris.
Thaçi: Dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime
"Dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime, ndërsa taksat duhet të mbeten në fuqi”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se "Kosova nuk do të pranojë kushte të tjera për liberalizimin e vizave, kushte për heqjen e taksave apo për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Sipas presidentit Thaçi, "qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të mbahen të izoluar dhe të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”.
"Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse. Marrëveshja duhet të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e mirëpret angazhimin e Gjermanisë dhe Francës për t'a rithyer dialogun me Serbinë në binarët e duhur. Haradinaj disa herë e ka akuzuar shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini për devijim të qëllimit të dialogut me Serbinë.
Haradinaj: Kosova është gati për marrëveshje me Serbinë
Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë Samitin e Berlinit, si një mundësi kthese në zhbllokimin e procesit dialogues të Brukselit. "Takimet e tilla janë mundësi e mirë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet me të cilat ballafaqohen Kosova dhe Serbia”, thotë Haradinaj.
"Sa i përket takimit të Parisit, institucionet e Kosovës janë duke u përgatitur me seriozitet maksimal. Nga ky takim presim hapa konkretë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës janë të vendosura dhe unike në prezantimin e qëndrimeve dhe pozicioneve tona në Paris”, thuhet në komunikatën e kryeministrit Haradinaj. "Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t'i kontribuojë fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obligative, që presupozon njohje në territorin e saj kushtetues. Kosova mirëpret rolin konstruktiv të Gjermanisë dhe Francës, për ta vendosur dialogun në drejtimin e duhur”, kumtoi Haradinaj, i cili kohët e fundit ka polemizuar në distancë me presidentin Hashim Thaçi, lidhur me qasjen ndaj dialogut me Serbinë.
Presidenti Thaçi deklaroi para dy ditësh në një konferencë me Budva të Malit të Zi, se Kosova dhe Serbia duhet ta shënojnë vijën kufitare përmes demarkimit të kufirit. Ai tha se "mund të ketë një korigjim të lehtë, por pa ndryshuar kufiri". Ndërsa Haradinaj është kundër ndryshimti të kufijëve të Kosovës.
Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë është vendosur për shkak të "agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”. Ndërsa Serbia ka bërë të ditur se pa heqjen e taskës nuk mund të vazhdojë as dialogu. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar masa kundër Kosovës, në rast se në Paris nuk gjendet ndonjë zgjidhje për hejqen e taskës dhe vazhdimin e dialogut. Por nuk ka treguar se çfarë masash do të ndarmarrë Serbia.