1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për "kulturën dominante" jo vetëm në Gjermani

Felix Schlagwein | Klaus Krämer
9 Maj 2017

Në Gjermani është rindezur debati për "kulturën dominante". Po si e kanë zgjedhur këtë problem vendet e tjera? Ja disa shembuj.

https://p.dw.com/p/2ccvc
Bild am Sonntag Innenminister Thomas de Maiziere
Fotografi: Bild/Foto: DW/M. Fürstenau

Gati asnjë fushatë elektorale në Gjermani nuk kalon pa filluar debatin për integrimin e të huajve, politikën ndaj refugjatëve, numrin e migrantëve që mund të vijnë në vend dhe natyrisht politikën ndaj përcaktimit "multi-kulti". Edhe nocioni "kultura dominante" është një prej temave më të prekura. Për herë të parë ate e ka përdorur në Gjermani profesori Bassam Tibi, në vitin 1996, një profesor me origjinë nga Siria. Por Tibi ka folur më shumë në kuptimin e një "kulture dominante evropiane".

Para 17 vitesh Friedrich Merz, asokohe shef i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ka kërkuar që në Gjermani të respektohet "kultura dominante". Më saktësisht: ai që do të jetojë më gjatë në Gjermani, duhet të përshtatet me bazat e kulturës gjermane, tha ai. Kjo kërkesë është pasuar me debate të ashpra, më së shumti rreth "kulturës dominante", dhe deri më sot nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim.

Debati sërish është ndezur pas kërkesës së ministrit të Brendshëm Thomas de Maizière, për respektimin nga ata që duan të jetojnë në Gjermani të dhjetë parimeve. Në dokumentin e tij "Ne nuk jemi burka" ai kërkon që personat që jetojnë në Gjermani të respektojnë vlerat e këtij vendi dhe kulturën në këtë vend. Do të thotë: debati për këtë çështje do të ndizet edhe në këtë fushatë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2017.

Deutschland Friedrich Merz CDU in Berlin
Friedrich MerzFotografi: imago/J. Heinrich

Danezët kanë votuar për këtë çështje

Po si qëndron puna në vendet e tjera dhe a ka diskutime të ngjashme? Danezët kanë votuar në nëntor të vitit 2016 për "Kanunet e Danimarkës". Votimin e ka inicuar ish-ministri i Kulturës Bertel Haarder. "Të huajt duhet të kuptojnë, se në cilat çështje nuk mund të ketë kompromise", thotë ai. Nga 2.500 propozime, një komision i formuar enkas për këtë punë, ka nominuar 20 nocione, nga të cilat 10 prej tyre janë votuar nga danezët si bazë për respektimin e vlerave në këtë vend. Në vendet e para në këtë Kanun janë "mirëqenia e shtetit" dhe "liria". Profesori Moritz Schramm për Deutsche Wellen thotë se "nocioni mirëqenia e shtetit" nënkupton mbrojtjen e vendit, që do të thotë se ka kuptim nacional.

Që në vitet 2002/2003, populistët e djathtë kanë filluar të flasin për vlerat kulturore daneze. Dhe prej tyre është krijuar Kanuni i Kulturës, shpjegon Schram. Kanuni danez ka edhe vende të tjera ku flitet shumë më qartë për çështjen nacionale, ku flitet për "Hygge", (kultura e mirëqenjes daneze), "gjuhën daneze" apo "botëkuptimet daneze për lirinë".

Pa rëndësi

Bild am Sonntag Innenminister Thomas de Maiziere
Fotografi: Bild/Foto: DW/M. Fürstenau

Por sot, një gjysmë viti pas votimit zyrtar, Moritz Schramm mendon se kësaj çështjeje i është dhënë tepër rëndësi. "Kjo është një lojë e pastër për elitat dhe galerinë - një lojë për mediat, e cila nuk ka të bëjë asgjë me të përditshmen." Danimarka është sot si shumë vende të tjera, një vend me shumëllojshmëri dhe ndikime të ndryshme. "Unë nuk shoh fare ndonjë ndikim të veçantë të këtij Kanuni në jetën e përditshme. Bashkëjetesa në parim funksionon shumë mirë."

Australia

Gati njëkohësisht me ndezjen e debatit në Gjermani edhe në Australi ka nisur ky diskutim. Kryeministri Malcolm Turnbull në fund të prillit ka bërë të ditur se "vlerat australiane janë një pjesë shumë e rëndësishme e testit për integrim". Por kryeministri nuk tha se çfarë do të thotë kjo konkretisht. Turnbull theksoi se kjo nënkuton "respektimin e femrave dhe fëmijëve" dhe "heqjen dorë nga dhuna". Ndërkohë që ata që duan të integrohen në shoqëri, duhet ta dinë edhe gjuhën angleze në nivelin universitar dhe të kenë jetuar në vend të paktën katër vjet pa ndërprerje (në vend të një viti si deri tani).

Kritikat ndaj qeverisë

Kritikët thonë se me këtë politikë është rritur edhe influenca e populistëve të djathtë si ata të "One Nation". Në shkurt gazeta britanike "Financial Times" ka kritikuar kryeministrin Turnbull dhe partinë e tij konservatore për qëndrime dhe retorikë radikale, me qëllim fitimin e votave. Kritika të ngjashme janë dëgjuar edhe ndaj propozimeve të minsitrit të Brendshëm Thomas de Maizière. Disa i kanë krahasuar këto kërkesa me ato të radikalëve të djathtë nga AfD.