1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat për Evropën pa kundërshtarë

Eliana Xhani30 Prill 2014

Me kandidatë të njohur në zgjedhjet evropiane, partitë duan t'i bëjnë tërheqëse këto zgjedhje. Fitimtari mund të bëhet presidenti i Komisionit Evropian. Kandidatët u përballën me njëri-tjetrin në dy debate televizive.

https://p.dw.com/p/1BraG
Spitzenkandidaten Europawahl
Fotografi: DW/B. Riegert

Bëhet fjalë për postin më të lartë të BE-së, por kandidatët duket se nuk janë në pozicione të vërteta luftarake. "Kjo është para së gjithash detyrë e qeverive kombëtare. Dhe unë nuk besoj se politikanët mund të krijojnë vende pune", shprehet duke ulur paksa pritjet që në fillim të debatit, kandidati kryesor i konservatorëve evropianë, luksemburgasi Jean-Claude Juncker.Është e qartë se në ndërtesën e parlamentit në Bruksel fjala është për masat që mund të marrë Evropa e shtangur nga kriza, kundër papunësisë masive në jug të kontinentit. Edhe sfiduesi i Junckerit, kandidati gjerman Martin Schulz i socialistëve evropianë, "nuk dëshiron të japë premtime, që nuk mund të përmbushen". Por që të dy duan të luftojnë një një Komision të drejtuar prej tyre, për struktura, të cilat u mundësojnë sipërmarrjeve të krijojnë përsëri më shumë vende pune. Për këtë janë në një mendje.

Ndërgjegja sociale dhe politika reale

Megjithëse kandidatët kryesorë të partive evropiane përfaqësojnë katër rryma krejtësisht të ndryshme, në shumë çështje evropiane të gjelbrit, konservatorët, socialdemokratët dhe liberalët janë në një mendje. Epoka e kursimeve të rrepta duhet të marrë fund, përgjigjen kandidatët thuajse njëzëri.

Sidoqoftë dallimet janë të dukshme, kur liberali Guy Verhofstadt dhe konservatori Jean-Claude Juncker theksojnë displinën buxhetore, ndërkohë që politikania e gjelbër Ska Keller nuk dëshëron ta përmendë këtë fjalë. Ish kryeministri belg Verhofstadt dhe veterani i BE-së Juncker duket se nuk duan të ofrojnë mundësi sulmi.

Martin Schulz und Guy Verhofstadt
Fotografi: DW/B. Riegert

Në debatin e zhvilluar miqësisht shihet se me Jean-Claude Juncker (59 vjeç), Martin Schulz (58) dhe Guy Verhofstadt (61), marrin pjesë në garë kandidatë, të cilët të gjithë duan të sjellin erë të re në Komisionin e ri të BE-së, por vetë bëjnë pjesë prej kohësh në inventarin e BE-së. Vetëm 32-vjeçarja Ska Keller dallon në këtë grup me pozicionin e saj. Ajo duket se nuk shqetësohet shumë për kufizimet nga politika reale, kur kërkon më shumë para për Greqinë, mbështet eurobond-et dhe i kërkon evropianëve të pranojnë më shumë refugjatë. Në debat, politikania e gjelbër, e cila është prej vitit 2009 në Parlamentin e BE-së, merr rolin e ndërgjegjes sociale.

Akti i themelimit të një demokracie evropiane?

E megjithatë politika reale i ka nën kontroll kandidatët: në biseda drejtpërdrejt gazetarët e rrjetit evropian të radios "Euranet plus" u drejtuan pyetje politikanëve. Regjia e mbështetur në procedurën e festivalit evropian të këngës "Eurovision Song Contest", trajton kompleksin tematik "energji" tek fqinjët e BE-së në lindje të Evropës, ku kriza e Ukrainës ka lënë gjurmë të forta. Pyetja nga Polonia për një union energjitik pritet mirë nga kandidatët, për të kërkuar pikërisht këtë union. Veç kësaj flitet edhe për marrëveshje të përbashkëta gazi me rusët dhe diskutohet një energji-miks i përbashkët për gjithë Evropën. Më shumë bashkëpunim evropian: kjo është melodia që përsëritet në 75 minutat e emisionit.

Franziska Keller und Jean Claude Juncker
Fotografi: DW/B. Riegert

Një melodi, që ashtu si një ditë më parë në hapjen e debatit në Mastrihtin holandez, i arrin shikuesit në anglisht. Ashtu si në vendlindjen e monedhës së përbashkët, politikanët diskutojnë edhe në Brukselin frankofon në anglisht. Për të ftuarit dhe pjesëmarrësit ai duket krejt qartë një model solid për të ardhmen evropiane, pasi edhe pse në disa vende debati ka ngecje, në fund rezulton i krahasueshëm me duelet televizive kombëtare në vendet anëtare. " Ndoshta ky debat ishte akti i themelimit të një demokracie të vërtetë evropiane", do të shkruante në internet pas premierës një vëzhgues.

Demokracia evropiane flet anglisht

Nëse ishin problemet me gjuhën shkaku pse Aleksis Cipras, kandidati kryesor i të majtëve radikalë në Evropë, refuzoi të marrë pjesë në debat, mbetet e hapur. Ndoshta ai ka menduar vetëm në aspektin ekonomik, pasi as debati në Mastriht dhe as ai në Bruksel nuk u transmetuan nga kanalet e mëdha televizive. Një debat i vogël evropian u zhvillua megjithatë: rreth 50.000 njoftime në Twitter gjatë premierës numëroi faqja e fushatës për zgjedhjet evropiane "Europe decides".

Europawahlkampf Debatte Jean-Claude Juncker Martin Schulz
Fotografi: DW/B. Riegert

Të paktën indirekt në fund të 75 minutave të debatit në Bruksel, e morën fjalën edhe ata, për të cilët analistët e sondazheve parashikojnë shtim të madh të votave në zgjedhjet evropiane: kritikët e BE-së nga kampi populist i djathtë. Ata nuk kanë paraqitur një kandidat për Evropën dhe kështu nuk mund të marrin pjesë në debatet elektorale. Megjithatë janë të pranishëm: pyetjen për unionin bankar, liberali Verhofstadt e shfrytëzon për një deklaratë lufte ndaj kundërshtarëve të Brukselit: "BE me unionin bankar është kujdesur që në të ardhmen për humbjet e bankave të falimentuara në shtetet e veçanta, të mos përgjigjen më taksapaguesit. Kjo dëshmon se Evropa është vërtet zgjidhja për krizën tonë." Edhe në këtë pikë të gjithë kandidatët në debatin televiziv ishin të një mendje.