Dashuri dhe urrejtje e Egjiptit ndaj Perëndimit
21 Gusht 2013
Vëllezërit myslimanë akuzojnë qeverinë amerikane se ka përshëndetur dhe mbështetur grushtin e shtetit kundër presidentit Mohamed Mursi. "Obama ka kërcënuar Mursin hapur me sanksione ekonomike", thotë Essam el-Erian, një nga udhëheqësit e partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, e afërt me Vëllazërinë Myslimane. Që prej grushtit të shtetit marrëdhënia e Vëllazërisë Myslimane ndaj perëndimit është ftohur ndjeshëm.
Por edhe pala tjetër e shpreh zemërimin e saj ndaj Shtëpisë së Bardhë. Gazeta "Al youm el-Sabi", e afërt me kampin e kundërshtarëve të Mursit, kritikoi me fjalë të ashpra politikën amerikane dhe akuzoi Obamën, se ai ka mbështetur Vëllazërinë Myslimane për të realizuar kështu interesat amerikane. "Obama e di shumë mirë se çdo gjë tjetër do të ishte një disfatë në një betejë, në të cilën qeveria e tij ka investuar miliarda dollarë."
Një ndjenjë tradhëtie
Për politologun Gamal Soltan të American University në Kajro atmosfera antiperëndimore shpreh në rradhë të parë një gjë: ndjenjën e braktisjes nga Perëndimi. Egjipti po kalon një konflikt të thellë, në të cilin të dyja palët donin ta fitonin Perëndimin si aleat, thotë Soltan në bisedë me DW. "Nga njëra anë qeveria nuk ndjehet e mbështetur sa duhet nga Perëndimi, në atë që ajo e quan luftë kundër terrorizmit. Dhe në anën tjetër Vëllezërit Myslimanë ndjehen të braktisur nga Perëndimi në luftën e tyre për ato, që ato konsiderojnë parime të demokracisë dhe të drejtat e njeriut. "Kështu të dyja palët janë të bindura se përfaqësojnë vlerat perëndimore, por tani kanë ndjesinë se përpjekjet e tyre nuk njihen nga ky Perëndim.
Në mënyrë të ngjashme e vlerëson situatën edhe Klaus Brandner, kryetar i grupit parlamentar gjermano-egjiptian. Të dyja palët, ushtarakët dhe Vëllazëria Myslimane, mendojnë se kanë të drejtë. "Dhe të dyja mendojnë se kanë vepruar me përkushtim dhe në menyrë konsekuente, por pa kënaqur në fund askënd."
Hezitimi i Perëndimit
Për ngurrimin e Perëndimit ka disa arsye, shpjegon politikani socialdemokrat. "Ne nuk mund t'u themi “po” të dyja palëve. Sepse atje mungon përvoja, që një proces i tillë demokratizimi duhet të shoqërohet nga një shkallë e caktuar gatishmërie për kompromis."
Pakënaqësia, që artikulohet momentalisht në media dhe në rrugë, mund të jetë e përhershme, mendon Soltan Gamal. Ndjenja e të qenit të tradhëtuar nga Perëndimi është e theksuar në të dyja palët. "Kjo përshtypje me siguri do të karakterizojë marrëdhëniet e qeverive të ardhshme egjiptiane me Perëndimin".
Shpresa për pragmatizëm
Megjithatë zemërimi i tanishëm edhe mund të bjerë sërish, mendon Klaus Brandner. Lidhjet me Perëndimin janë shumë të rëndësishme për Egjiptin, sa që ai t'i vinte ato në rrezik. Në Egjipt e dinë shumë mirë, se çfarë suksesesh kanë arritur në bashkëpunim me vendet perëndimore. "Këto janë sigurisht jo vetëm sukseset ekonomike. Por janë arritjet në të drejtat dhe liritë e njeriut, janë sukseset për dhënien e një arsimi më të mirë shtresave të gjera të popullsisë."
Vendet perëndimore ndodhen para një dileme. Sido që të shprehen apo të veprojnë, një nga dy palët në Egjipt do të ndjehet e dëmtuar. Të dyja grupet, thotë politologu Soltan, nuk janë aktualisht në gjendje për të parë hezitimin e Perëndimit si diçka tjetër, veçse si përkrahje për anën tjetër.