1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria daneze synon zero azilkërkues në vend

4 Qershor 2021

Parlamenti danez miratoi me shumicë një ligj që mundëson ngritjen e qendrave të azilit në vende të treta. BE-ja dhe UNHCR-ja shprehen me kritika.

https://p.dw.com/p/3uPFR
Denmark Syria Protest
Fotografi: Jens Dresling/AP Photo/picture alliance

Parlamenti danez që dominohet nga social-demokratët miratoi një ligj, sipas të cilit në të ardhmen procedurat e azilkërkuesve do të transferohen në vendet e treta. Sipas këtij ligji kush dëshiron të kërkojë azil në Danimarkë duhet të paraqesë një kërkesë për azil në kufirin danez dhe pas kësaj do të transportohen në një qendër pritjejeje në vende të treta. Në këto qendra azilkërkuesit duhet të presin deri sa të përfundojë procedura e azilit.

Danimarka është vendi i parë në BE që miraton një ligj të tillë, por nuk ka gjetur ende vende partnerë që do të jenë të gatshëm të ofrojnë qendra pritjeje për azilkërkuesit në Danimarkë. Në mediat daneze thuhet se Danimarka po zhvillon për qendra të tilla bisedime me Egjiptin, Eritrean dhe Etiopinë, si vende të mundshme partnere.

Dänemark Integrationsminister Mattias Tesfaye
Ministri danez për të Huajt dhe Integrimin, Mattias TesfayeFotografi: Emil Helms/Ritzau Scanpix/imago images

Në prill ministri danez për të Huajt dhe Integrimin, Mattias Tesfaye, zhvilloi në Kigali bisedime për ngritjen e një qendre të tillë në Ruandë, por deri tani nuk është nënshkruar ndonjë marrëveshje përkatëse.

Kurs i ashpër ndaj azilkërkuesve

Qeveria e Kopenhagës ndjek prej vitesh një kurs tepër të ashpër kundrejt refugjatëve dhe migrimit për vite me radhë. Së fundmi ajo e shpalli kryeqytetin sirian Damask si rajon të sigurt për t'i rikthyer refugjatët e luftës nga Siria atje.

Dänemark Premierministerin Mette Frederiksen
Mette FrederiksenFotografi: Philip Davali/Ritzau Scanpix/REUTERS

Kryeministrja Mette Frederiksen e ka shpallur qëndrimin "zero azilkërkues në Danimarkë" si qëllim të politikës së saj. Edhe transferimi me detyrim i refugjatëve në pjesë të vendit, sepse disa zona të caktuara të qyteteve të qyteteve daneze janë shndërruar kinse në "geto" është pjesë e këtij programi.

Kritika nga BE-ja dhe UNHCR-ja

Komisioni i BE në Bruksel i kritikoi ashpër planet e reja të qeverisë daneze duke iu bashkuar shqetësimit të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Përpunimi jashtë vendit i procedurave të azilit vë në thelb në pikëpyetje të drejtën për mbrojtje dhe nuk është në përputhje meligjet e BE-së dhe paktin e ri për migracionin dhe azilinu tha në Bruksel. Komisioni do ta shqyrtojnë me kujdes ligjin danez dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm, u njoftua më tej.

Përfaqësuesi i UNHCR-së tha se "me një ndryshim kaq drastik dhe kufizues të legjislacionit, Danimarka mund të shkaktojë një efekt domino në vendet e tjera evropiane, të cilat gjithashtu ka të ngjarë të shqyrtojnë mundësinë e kufizimit të mbrojtjes për refugjatët në territorin e tyre."

Ringjallje e një ideje të vjetër

Danimarka po përpiqet të zbatojë një ide që qe shqyrtuar më parë në debatin evropian dhe qeveria në Kopenhagë po përdor tani  diskutimet e mëparshme duke argumentuar se sistemi aktual i azilit është çnjerëzor, sepse vetëm sa i shtyn refugjatët që të bëhen pre e kontrabandistëve dhe të marrin rrugën përmes Mesdheut, e cila është e rrezikshme për jetën.

Dänemark Flüchtlinge in Rödby
Fotografi: Reuters/J. Noergaard Larsen

Studiuesi i lëvizjeve migratore Martin Lemberg-Pedersen nga Universiteti i Kopenhagës thotë se ligji i ri ndikon gjithë sistemin e azilit në Danimarkë, i cili perceptohet gjithnjë e më shumë nga perspektiva e burgjeve, dëbimeve të detyruara dhe masave totalitare të policisë. "Prej disa vitesh politika e imigracionit të Danimarkës dominohet nga logjika e frikësimit," thotë studiuesi.