D-Day: Fronti i dytë kundër Hitlerit
Para 70 vjetësh trupat aleate zbarkuan në Normandi dhe hapën një front të dytë kundër Hitlerit. Ky ishte fillimi i fundit të Luftës së II Botërore - dhe një çast me ngarkesë mitike i shekullit të 20-të.
Dita e vendimit
"D-Day" me këtë emërtimin hyri në histori 6 Qershori 1944. Çfarëdo që të nënkuptojë "D" "Day" apo "Decision", një gjë është e qartë, kjo ishte dita e vendimit. Me zbarkimin e aleatëve në Normandi u hap një front i dytë kundër Hitlerit. Ky ishte fillimi i fundit të Luftës së II Botërore dhe i fundit të sundimit të nazistëve.
Operacioni "Overlord"
Me këtë emër ishte koduar operacioni ushtarak. Edhe plazheve në Normandi iu vunë emërtime koduese ushtarake: "Utah", "Omaha", "Gold", "Sword" dhe "Juno" Beach. 14 kombe morrën pjesë në këtë aksion historik zbarkimi. Krahas amerikanëve, britanikëve, polakëve, kanadezëve dhe francezëve edhe Greqia, Çekia dhe Australia vunë kontigjente në dispozicion të trupës.
Komandanti suprem
Komandanti suprem i forcave aleate në Evropën e Veriut ishte Gjenerali i SHBA-së Dwight D. Eisenhower, i cili më vonë u bë presidenti i 34-t i SHBA-së. Muaj më parë Eisenhower kishte komanduar zbarkimin e trupave në Siçili dhe në pjesën kontinentale të Italisë.
Orët e mëngjesit 6.6.1944
Pak para nisjes së operacionit "Overlord" rreptësisht sekret dhe të planifikuar gjatë Normandia u përfshi nga stuhitë dhe reshjet e vazhdueshme. Ishte pikërisht moti, që i detyroi personat përgjegjës ta shtyjnë me një ditë invazionin - për në mëngjes herët më 6 qershor 1944. Kështu nisi operacioni më i madh i zbarkimit në historinë ushtarake.
Komandoja e vdekjes
Rreth 160.000 ushtarë në ditën "D-Day" zbarkuan në tokë. Në pesë zona plazhi ato sulmuan fortikimet e ashtuquajtura "Atlantikwalls", pas të cilave ishin fshehur forcat gjermane të Wehrmacht-it. Të pambrojtur ushtarëve të forcave aleate fillimisht u duhej të dilnin nga deti e më pas të arrinin duke kaluar përmes plazheve të dukshme drejt linjës armiqësore gjermane: një komandë e vdekjes kjo.
Parashutistët
Në retrospektivë parashutistët u stilizuan si heronj, që mbijetuan. Ata ishin të parët, që zbarkuan në territorin e errët armiqësor dhe që andej duhej të merrnin nën kontroll pozicionet kyç. Disa prej tyre jo vetëm ngjyrosën fytyrat për t'u maskuar, si në këtë fotografi, por ata përdorën edhe maskimin e luftës si dhe krehje mohikanësh për ta trëmbur armikun.
Sulmi nga ajri dhe deti
Fillimisht aleatët bombarduan plazhet e Normandisë. Në zonat më në thellësi zbarkuan mijëra parashutistë, e më pas në brigjet franceze mbërritën mbi 1000 anije luftarake dhe gati 4200 barka zbarkimi. Mijëra avionë dhe tanke u vunë në përdorim për mbështetjen e operacionit. Një breshëri bombash u hodhën mbi fshatrat përreth, kryesisht ndaj pozicioneve të Wehrmacht-it.
Furnizim për ditët pasuese
Një nga komponetët e operacionit të zbarkimit më të madh në historinë ushtarake ishte planifikimi prej aleatëve pas zbarikimit të suksesshëm në Normandi edhe i dy pikave portuale për ankorimin e anijeve të furnizimit. Pjesët e veçanta të këtyre porteve u konstruktuan në Angli dhe më pas u montuan në brigjet e Normandisë. Në fotografi porti Mulberry në Colleville pak pas invazionit.
Manovër e suksesshme maskimi
"Operation Overlord" ndër të tjera ishte i suksesshëm, sepse udhëheqja gjermane u kap tërësisht në befasi prej zbarkimit në Normandi. Deri në fund alatët kishin bërë të gjitha përpjekjet që ta bënin Gjermaninë të besonte, se destinacioni i një invazioni të planifikuar do të ishte Calais, që shtrihej më në verilindje dhe se ai do të niste më vonë.
Udhëheqja nacionalsocialiste me pushime në atdhe
Kjo manovër pati sukses. Ushtarakët drejtues nacionalsocialistë besonin, se mund t'i lejonin vetes ca ditë pushimi në Paris apo në atdhe. Edhe marshalli Erwin Rommel kishte shkuar në Jug të Gjermanisë për të festuar 50 vjetorin e gruas. Në fotografi: Trupat gjermane të Wehrmacht-it 1940 në brigjet e Normandisë, as që e merrnin me mend, se këtu katër vjet më vonë ato do të kapitullonin.
Fodullëku i Hitlerit
Hitleri ndodhej më 6.6.1944 në Obersalzberg. Revista "Der Spiegel" njofton, se ai u informua prej ushtarakëve të vet rreth orës 10:00 të mëngjesit. Askush nuk e kish marrë guximin më herët që ta zgjonte "Führer-in". Hitleri, thuhet, se ka reaguar me eufori "S'ka lajm më të mirë." Tani i kemi anglezët pikërisht atje, "ku mund t'i godasim."
Njëmbëdhjetë muaj me humbje të mëdha
Ndonëse zbarkimi i aleatëve në Normandi është një ndër kthesat më të rëndësishme të Luftës së II Botërore, u deshën edhe njëmbëdhjetë muaj derisa iu dha fund luftës në Europë. Shumë ushtarë, të cilët kishin luftuar në D-Day më pas u dërguan në mision lufte në hapësirën aziatike të Paqësorit. Atje lufta vazhdoi deri në shtator 1945.
Heronjtë e luftës
Rreth 57.000 ushtarë aleatë u vranë gjatë operacionit "Overlord" dhe u regjistruan 155.000 të plagosur e 18.000 të zhdukur. Nga pala gjermane pati 200.000 të vrarë. Edhe sot vazhdon të përkujtohet më 6 qershor zbarkimi i aleatëve. Krahas krerëve të shteteve të kombeve pjesëmarrëse, në këtë ditë në Normandi vijnë edhe shumë veteranë në moshë të thyer, të cilët udhëtojnë prej vendeve të largëta.
Nga kundërshtarë në miq
Para dhjetë vjetësh më 6.6.2004 për herë të parë në ceremoninë përkujtimore të D-Day ishte i pranishëm edhe një kryeministër gjerman. Kancelari Gerhard Schröder me vetëdije u pozicionua në këtë ceremoni: "Ne nuk do t'i harrojmë viktimat". Ai shtoi: "Ajo që unë përfaqësoj nuk është Gjermania e vjetër e atyre viteve të zymta." Në Caen ai u përqafua me presidentin asokohe francez Jacques Chirac.
70 vjet pas D-Day
Sivjet në ceremoninë përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Niormandi krahas kreut të shtetit organizator, presidentit francez François Hollande, do të jenë të pranishëm edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, mbretëresha britanike Elizabeth e II., presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe kreu i Kremlinit Vladimir Putin.