Italia fuqimisht pro hapjes së negociatave
16 Tetor 2019Kryeministri Italian, Giuseppe Conte, premtoi në Tiranë, të martën pasdite, (15.10.2019) mbështetjen e tij maksimale, pro hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në BE. Fjala është për votën pozitive të Italisë në samitin e Këshillit Europian me kryemninistrat e 28 vendeve anëtare të BE, për të marrë vendimin lidhur me fillimin e negociatave të hyrjes në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në samitin me 17 – 18 tetor.
Conte: Përparim i Shqipërisë - në interes të BE
Kryeministri Giuseppe Conte e argumentoi mbështetjen e premtuar të Italisë në Këshillin Europian pro hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë me fuqinë shtytëse që këto negociata kanë drejt përparimit të Shqipërisë.
"Hapja e negociatave është mjeti më i mirë për përparimin e Shqipërisë, gjë që është edhe në interesin të BE, në të gjitha aspektet - politike, ekonomike, të sigurisë. Dhe kjo vlen edhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Conte në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryemnistrin Rama.
Conte premtoi se "Italia do të bëjë çfarë është e mundur për të arritur hapjen zyrtare të negociatave. Kjo është rruga më e përshtatshme për t'i ofruar popullit shqiptar një perspektivë konkrete. Ne jemi të ndërgjegjshëm, është një rrugëtim shumë angazhues, me shumë përgjegjësi. Është një sfidë shumë e madhe për popullin shqiptar, institucionet, qeverinë e vendit, por është e qartë se është e domosdoshme të merren disa masa konkrete për mundësinë e realizmit të këtij rrugëtimi, në mënyrë që të mund të zhbllokohet”.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryemnistri Rama kur vuri në dukje se "është me rëndësi strategjike që përfundimi i këtij procesi të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të përveçme kombëtare, por edhe me sytë e interesit të përbashkët, sepse është sa në interesin tonë, aq edhe në interesin e vetë BE-së, që ky proces të shkojë përpara. Nuk jemi në këtë proces se na e kërkon BE, por se atë e kërkon e ardhmja, Shqipëria europiane.”
Masa konkrete për ҫbllokimin e procesit
Ajo ҫfarë duhet të bëjë Shqipëria për të ҫbllokuar procesin është përmbledhur në 9 pikat e rezolutës së Bundestagut gjerman, plotësimi i të cilave do të hapë dritën e gjelbër edhe nga 3 vendet skeptike: Franca, Holanda, Danimarka. Në këtë kontekst, kryemnistri Conte foli të martën në Tiranë për “masa konkrete dhe mbështetjen e Italisë".
"Italia do të bëjë çfarë është e mundur për të arritur hapjen zyrtare të negociatave. Ne jemi të ndërgjegjshëm, është një rrugëtim shumë angazhues, me shumë përgjegjësi. Është një sfidë shumë e madhe për popullin shqiptar, institucionet, qeverinë e vendit, por është e qartë se është e domosdoshme të merren disa masa konkrete për mundësinë e realizmit të këtij rrugëtimi, në mënyrë që të mund të zhbllokohet”.
Vazhdim i reformave- prioritet
Në fazën kyçe ku ndodhet Shqipëria lidhur me procesin e hyrjes në BE, kryeministri Italian Giuseppe Conte vuri në dukje rëndësinë që ka vijimi i reformave për të ecur përpara në procesin e afrimit me BE. "Kërkohen reforma, që janë të kushtueshme, që duan angazhim dhe kurajo. Populli është shprehur pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj duhet që institucionet të vijojnë në rrugën e nisur për të mos i zhgënjyer në këtë aspiratë. Prioritet mbetet vijimi i reformave, duke nisur me zbatimin e Reformës në Drejtësi, ku janë shënuar hapa domethënës, e duke vazhduar me rivënien në funksion të gjykatave, dhënien jetë institucioneve të reja të drejtësisë për të luftuar me më efikasitetit krimin dhe korrupsionin” tha ai nëkonferencën e përbashkët për shtyp.
Giuseppe Conte u ndal dhe të kriza e gjatë politike në Shqipëri. ”Vëmendja jonë dhe e Europës është e fokusuar dhe drejt aftësisë së Shqipërisë për të zgjidhur krizën”, gjë e cila do të ishte sipas tij "një shenjë pjekurie politike dhe institucionale. Besoj se shumica dhe opozita kanë interes që ta arrijnë këtë me mjetet e tyre. Uroj – vijoi me tej kryeministri italian – që qeveria t'i parashtrojë së shpejti opozitës një platformë për rifillimin e dialogut në mënyrë konstruktive dhe nxis që linja e zgjedhur nga opozita të evoluojë drejt një dialogu konstruktiv pa parakushte”.
Zgjidhja e krizës politike - sinjal pjekurie
Marrja e vendimit të Këshillit Europian lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit përkon në kohë me krizën politike 8 mujore dhe një situatë jo të favorshme për vendim-marrje pozitive. Opozita përmed zgjedhje të parakohshme, rifillim protestash, reformë zgjedhore me praninë e ndërkombëtarëve.
Kryeministri italian Conte e ka parë zgjidhjen e krizës politike në kuadër të vendm- marrjes së Këshillit Europian. „Mazhoranca duhet t'i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës. Dialogu konstruktiv duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët. Vëmendja jonë është përqendruar te aftësia e Shqipërisë për të zgjidhur krizën politike, që do tregojë dhe një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale. Mazhoranca dhe opozita kanë interes ta zgjidhin këtë krizë,” Conte në Tiranë.