1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CNN: Plan rus për të vrarë kreun një koncerni gjerman amësh

12 Korrik 2024

Politikanët gjermanë reaguan me tmerr ndaj raportit të CNN për planet ruse për të vrarë shefin e kompanisë së madhe gjermane të armatimeve Rheinmetall, Papperger. Cila është e vërteta?

https://p.dw.com/p/4iCuo
 Armin Papperger, shefi i Rheinmetall
Kreu i Rheinmetall, Armin PappergerFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Një raport i rrjetit televiziv amerikan CNN për planifikimin e një atentati ndaj shefit të kompanisë së madhe gjermane të armatimeve Rheinmetall, Armin Paperger, i planifikuar nga Rusia, ka shkaktuar shqetësime të mëdha në opinionin gjerman dhe tek politikanët e këtushëm. "Kjo tregon edhe një herë se Rusia po sjell luftën dhe terrorin e saj në Evropë," tha kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Markus Faber (FDP) për gazetën Bild. "Regjimi i Putinit tani po kërkon edhe jetën e qytetarëve gjermanë", tha ai.

Kryetari i Komisionit gjerman të Punëve të Jashtme, Michael Roth (SPD) i tha një tabloidi gjerman se udhëheqësi i Kremlinit Vladimir Putin po bën "jo vetëm një luftë shkatërrimi kundër Ukrainës, por edhe kundër mbështetësve të Ukrainës dhe kundër vlerave tona".

Armatime nga koncerni gjerman Rheinmetall
Koncerni gjerman Rheinmetall ka shtuar prodhimin e armëve dhe municioneve pas sulmit rus ndaj Ukrainës Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa

Eksperti i mbrojtjes i Unionit kristiandemokrat (CDU) Serap Güler pohon: "Për mendimin tim, reagimi ynë ndaj kësaj mund të jetë vetëm rritja e mbështetjes për Ukrainën."

Pjesë e një serie sulmesh në të gjithë Evropën?

CNN raportoi se shërbimet sekrete të SHBA-së i kanë zbuluar planet e qeverisë ruse për të vrarë Papperger në fillim të këtij viti (2024). Për këto plane ajo ka njoftuar palën gjermane, ndërsa Papperger është vënë nën mbrojtje.

CNN citoi pesë zyrtarë nga SHBA dhe vende të tjera perëndimore të njohur me situatën. Një zyrtar i qeverisë gjermane i konfirmoi këtij televizioni amerikan se Berlini kishte marrë paralajmërimet e duhura nga SHBA.

 Armin Papperger, shefi i Rheinmetall, në Ukraine Recovery Conference
Armin Papperger, shefi i RheinmetallFotografi: Thomas Trutschel/photothek.de/AA/picture alliance

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" po ashtu ka konfirmuar këto të dhëna. Duke iu referuar burimeve të saj, gazeta pohon se informacioni është i saktë. Sipas raportit, plani i zbuluar ishte pjesë e një serie të planifikuar vrasjesh të drejtuesve të kompanive që merren me prodhimin e armëve në të gjithë Evropën. Sulmet ishin planifikuar në veçanti ndaj drejtuesve të kompanive, armët e të cilave përdoren për të mbështetur luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë.

Kërkohet përgjigje e fuqishme

Të dhënat për këto plane i ka publikuar edhe gazeta Spiegel. Ndërsa ekologjistët gjermanë bëjnë thirrje për një përgjigje vendimtare. Konstantin von Notz, eksperti i sigurisë i të Gjelbërve, thotë se reagimet e Gjermanisë ndaj ngjarjeve të ngjashme "në të kaluarën ishin shpesh shumë hezituese dhe të ngadalshme": "Duhet të kuptojmë se këto nuk janë më incidente të izoluara, por synojnë kërcënime dhe sulme serioze nga shtete të ndryshme autoritare ndaj demokracisë dhe shtetit tonë të së drejtës”, tha ai për grupin mediatik Funke.

Ndërsa vetë koncerni Rheinmetall nuk i ka komentuar ende këto të dhëna.