CDU debaton për Paktin e OKB-së për Migrimin
19 Nëntor 2018Norbert Röttgen, që drejton Komisionin për Punët e Jashtme të parlamentit, tha se marrëveshja, e cila nuk është e detyrueshme ligjërisht, do të ishte një hap i rëndësishëm i komunitetit ndërkombëtar në kontrollin e migrimit dhe prandaj do të ishte shumë në interesin e Gjermanisë.
"Që të përjashtosh nënshkrimin e Paktit të Migrimit, do të ishte një mungesë lidershipi, të cilën Gjermania nuk mund t'ia lejojë vetes", i tha Röttgeni së përditshmes gjermane Bild.
Spahn, i cili shpreson të marrë frerët e CDU-së, kur ato t'i lëshojë Merkeli në fund të vitit, ka bërë thirrje për të vazhduar debatin për paktin, kur CDU-ja të mblidhet për të zgjedhur kryetarin e saj të ri. Anëtarë të tjerë të CDU-së gjithashtu e kanë kritikuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në pakt. Ai është caktuar për ratifikim në dhjetor dhe pjesërisht "synon të reduktojë rreziqet dhe pasiguritë me të cilat ndeshen migrantët në faza të ndryshme të migrimit", sipas OKB-së.
"Histeria populiste"
Pakti u bën thirrje kombeve që të marrin masa vullnetare, për të ndihmuar që të përmirësohen kushtet në vendet e origjinës së migrantëve, të cilat citohen si motivatoret kryesorë të emigrimit. Një synim tjetër i tij është që të ndihmojë vendet e destinacionit të migrantëve që të integrojnë më mirë refugjatët dhe që t'u ofrojnë atyre kushte të qendrueshme. 23 objektivat e tij, e shprehur me fjalët e OKB-së, synojnë "të krijojnë kushte mbështetëse që u mundësojnë të gjithë migrantëve të pasurojnë shoqëritë tona me kapacitetet e tyre humane, ekonomike dhe sociale, duke lehtësuar kështu kontributet e tyre për zhvillimin e qendrueshëm në nivele lokale, nacionale, rajonale dhe globale".
Ndoshta një element që i frymëzon kundërshtarët e Paktit brenda koalicionit të CDU-së, SPD dhe CSU-së bavareze është se tri fqinjët e Gjermanisë - Polonia, Republika Çeke dhe Austria - dhe pranë tyre Hungaria, tashmë janë tërhequr nga pakti.
"Të synosh për rrugën e drejtë në parti është gjithmonë punë e mençur", i tha gazetës Bild Thomas Strobl, personi numër dy te CDU. "Duke pasur këtë në mendje, ishte qartësisht një gabim, që nuk u mbrojt hapur dhe me argumenta pozitive që në krye".
Strobl tha se "nuk duhet t'i lejojmë vetes që të nxitemi nga histeria populiste e së djathtës." Ai iu referua Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila shfrytëzon armiqësinë ndaj të huajve për të fituar kapital politik.