1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cameron dhe Hollande grinden për Evropën

Andreas Noll/ Auron Dodi2 Qershor 2014

Në Francë dhe Britani të Madhe, një shumicë zgjedhësish ka votuar për parti, që duan të largohen nga BE. Presidenti Hollande dhe kryeministri Cameron e kundërshtojnë këtë, por kërkojnë reforma rrënjësore në Bruksel.

https://p.dw.com/p/1CAEV
Takim Francois Hollande me David Cameron ne Londer, 31.01.2014
Fotografi: Reuters

Franca dhe Britania e Madhe bashkëpunojnë mirë me njëra-tjetrën. Në çështjet ushtarake, bashkëpunimi midis Parisit dhe Londrës ecën në masën më të madhe pa fërkime. Të dyja fuqitë atomike ndodhen në të njëjtën varkë. Që prej zgjedhjeve evropiane kjo vlen, të paktën teorikisht edhe për diçka tjetër: në të dyja shtetet e BE, populistët e djathtë kanë arritur rezultatet më të mira të tyre në Evropë dhe i kanë vënë në situatë të vështirë qeveritë e tyre.

24 deputetë do të dërgojë në Strasburg United Kingdom Independent Party (UKIP) rreth eurodeputetit karizmatik Nigel Farage - kurse partia konservatore në pushtet arrin të dërgojë vetëm 19 vetë. Edhe më dramatike është situata në Francë: edhe këtu, partia populiste e djathtë Front National, rreth Marine le Pen-it do të dërgojë 24 deputetë në Parlamentin Evropian, duke pasur kështu njëmbëdhjetë vende më shumë se socialistët në pushtet. Londra dhe Parisi përpiqen të gjejnë tani përgjigje politike ndaj fitoreve të fuqishme të populistëve. Dhe këto përgjigje nuk mund të ishin më të ndryshme.

Kërcënim i njëjtë - përgjigje të ndryshme

"Na duhet ndryshim në Evropë", kërkon kryeministri britanik, David Cameron. Ndryshim për konservatorët do të thotë: "Evropa duhet të përqendrohet në gjërat më të rëndësishme. Në rritjen ekonomike dhe në vendet e punës. Por BE është shumë i madh, ngul këmbë shumë në përfytyrimet e tij dhe ndërhyn shumë." Kërkesa e Cameronit: Evropë vetëm atje ku duhet patjetër. Dhe kjo do të thotë, kështu lë të kuptohet kryeministri britanik, në shumë më pak gjëra se deri tani.

Për ta vënë në jetë këtë program, Cameronit i duhen aleatë dhe mbështetës. Një president të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, i cili angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë në Evropë ai do ta pengojë: "Ne kemi nevojë për njerëz në udhëheqje, të cilët punojnë për një Evropë, në të cilët bëhet fjalë për qëndrime të hapura, për konkurencë dhe për zhdërvjelltësi - dhe jo për të kaluarën."

Jo vetëm David Cameroni, edhe presidenti francez François Hollande kërkon ndryshime, rritje dhe më shumë vende pune. Por Hollande do që presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian të ketë një detyrë, e cila të ketë pak të përbashkëta me përfytyrimet e kolegut të tij britanik. Në një kohë kur Cameroni u beson forcave të tregut, Hollande synon ta ruajë popullin pikërisht prej tyre: "Unë dua që ky mandat i Komisionit të orientohet në drejtim të rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe drejt kthesës energjetike - dhe të sjellë më tepër mbrojtje."

Hollande synon t'i japë Brukselit më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të vendit të tij: "Kur njëri ndër katër zgjedhës në Francë voton për të djathtën ekstreme, dhe e bën këtë në një shtet që e ka themeluar BE, atëherë ne kemi një problem. Por jo vetëm një problem, ndaj të cilit duhet reaguar në Francë, por ky është një problem për Evropën."

Ndryshe nga Cameroni, Hollande nuk do që t'i ndryshojë institucionet evropiane: "Ne nuk kemi nevojë t'i ndryshojmë marrëveshjet (evropiane)," thotë ai. Kancelarja Merkel, e cila është e detyruar të bashkëpunojë ngushtë me të dyja vendet, do të përpiqet të ndërmjetësojë midis vendit të dytë dhe të tretë për nga rëndësia në BE. Ndryshe nga Cameron dhe Hollande ajo është pozicionuar qartë, për Jean-Claude Junckerin në debatin për postet në Komisionin Evropian.