“Bunk’Art” - Relike që dëshmojnë paranojën e diktaturës komuniste në Shqipëri
70 vjet pas ҫlirimit dhe 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit hapet për publikun vendstrehimi antibërthamor ndërtuar 36 vite më parë. “Objekti 0774” sekret i asaj kohe ndodhet në thellësi të një kodre 6 km nga Tirana
Model koreanoverior i mbrojtjes nga sulmet e armiqve të socializmit
Një vizitë në mes të viteve ’60 në Korenë e Veriut të një grupi shtatmadhorësh të ushtrisë shqiptare ngjizi idenë e ndërtimit të këtij tuneli të nëndheshëm. Sipërfaqja 2685 metra katrore, me 106 dhoma dhe një sallë mbledhjesh kishte një konstruksion të betontë dhe metalik në trashësinë e mjaftueshme, për të përballuar çdo sulm me armë konvencionale dhe atyre bërthamore.
Paranoja e bunkerizimit të vendit
Vendstrehimi i projektuar si një destinacion ushtarak nisi të ndërtohet si një supertunel në shtator të vitit 1972. Infrastruktura akomoduese në 5 nivele dhe sistemi i ndërlidhjes me ambjentin jashtë tij, u konsideruan të gatshme më 25 qershor 1978. Ky ndërtim ishte pjesë e mentalitetit të kohës së diktaturës komuniste. Në të gjithë vendin deri në fund të viteve ’80 u ndërtuan 168 mijë bunkerë.
Vijimësia e menaxhimit të situatave edhe në kushte kritike
Nga 106 dhomat e bunkerit, tre prej tyre kishin rëndësi të dorës së parë, duke shërbyer si rezidenca akomoduese për vetë diktatorin Enver Hoxhën, për kryeministrin dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Kjo ishte zyra personale e Hoxhës, nga ku mendohej vijimësia e kontrollit dhe e komandimit për operacionet mbrojtëse në ҫdo rrethanë kërcënuese për regjimin.
Apartamenti i diktatorit si “bunker” brenda bunkerit
Ngjitur me zyrën e punës ishte apartamenti, të cilin Enver Hoxha, apo pasardhësi i tij Ramiz Alia, nuk arritën ta përdorin kurrë. Ndërtimi i këtij ambjenti ka pasur superkujdes nga konstruktorët e bunkerit: muret ishin të vetmet që kishin dhe fiber dhe fletë metalike që siguronin mosdëmtimin e njerëzve në këtë dhomë edhe nëse muri nuk i rezistonte dot goditjes me armë konvencionale ose nukelare.
Mbledhjet e qeverisë dhe të parlamentit në rast lufte
“Zemra” e bunkerit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë është salla e mbledhjeve, duke mbetur objekti i vetëm i fortifikuar në Shqipëri në shërbim të parlamentit. Kjo sallë ka funksionuar dhe si një qendër operacionale për stërvitje dhe manovra luftarake. Projektimi dhe aredimi i saj e bënte funksionale dhe për shfaqje artistike për banorët e bunkerit.
Udhëheqja mbrohej. Po populli?!
Ramadan Bekteshi, 68 vjeç, e viziton për herë të dytë këtë objekt. Nuk e ka imagjinuar një ndërtim të tillë nga koha e komunizimit. Është një shpenzim i çuar dëm, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Ne nuk kishim të hanim, kurse udhëheqësit tanë të lartë mendonin se si të futeshin në vrimë të miut. Po populli ku do të strehohej po të kishte sulm bërthamor?! Ky është një fakt rrënqethës i saj kohe.”
Shqipëria si një burg i madh kolektiv
"Bunk’Art” ka përfshirë në mjediset e nëndheshme dhe një hapësirë retro në kujtim të vrasjeve, dënimeve e persekutimeve në periudhën 1945–1990. Kursi i Enver Hoxhës pas përfundimit të luftës së dytë botëtore ishte instalimi i diktaturës së proletariatit. Ndalimi i lirisë së shprehjes dhe besimit shtuan numrin e të dënuarve, një pjesë e të cilëve nuk arritën të dilnin të gjallë nga qelitë.
Rëfim për të shkuarën e këtij objekti misterioz
Natasha Konxhi, banakiere në këtë vendstrehim ka përgatitur kafe dhe ka servirur në bar bufe nga viti 1985, duke asistuar dhe në stërvitje imagjinare që organizoheshin nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë. Në momente alerti krevati i saj ka qenë pas banakut. Natasha sot nuk përgatit vetëm kafe e çaj për vizitorët në “Bunk’Art”, por i duhet të përgjigjet papushim pyetjeve dhe hamendësive të tyre.
Vështrim historik mbi pushtimet në Luftën e Dytë Botërore
Në mjediset e “Bunk’Art” pasqyrohet dhe rezistenca e Shqipërisë në dy pushtimer e njëpasnjëshme gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore: fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë. Me dokumente, relike të kohës dhe eksponate të detajizuara vizitorët e “Bunk’Art” kanë mundësinë e kthimit në realitetin e viteve ‘43-’44, kur në territorin e vendit ishin instaluar formacione të ushtrisë gjermane.
Shija e ZIM-ëve për liderët e lartë të regjimit
Kjo makinë tip ZIM 12, prodhim rus në vitet ’50 të shekullit të kaluar është një dhuratë e Stalinit për benjanimin e tij në Shqipëri Enver Hoxha. Shumë shpejt këtë model autoveture e përdorën dhe udhëheqës të tjerë të lartë komunistë. Kalimi i tyre në rrugët e Shqipërisë ishte një “big moment”: trafiku ndërpritej plotësisht, ndërkohë që qytetarët kuriozoheshin për udhëtarin në sediljen e pasme.
Shifër rekord vizitorësh nga brenda dhe jashtë Shqipërisë
“Bunk’Art” po thyen çdo rekord për numrin e vizitorëve me rreth 35.000 syresh në dy javët e para. Shumica dërmuese janë të rinj nga shkollat dhe universitetet, por organizatorët kontatojnë larminë moshore të vizitorëve, që vijnë në mënyrë të organizuar ose individuale. Interesim i madh është dhe nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe të diasporës.