1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestag-u forcon rregullat ndaj COVID 19

13 Janar 2022

Në ditën kur Gjermania raportoi një numër rekord të rasteve me COVID-19, Bundestagu ka forcuar kufizimet. Jo të gjithë parlamentarët janë dakord, në radhë të parë AfD-ja e ekstremit të djathtë është kundër.

https://p.dw.com/p/45SC0
Deutscher Bundestag I AFD Protest Plakataktion
Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Të mërkurën (12.01) një tabelë me shënimin teste për COVID-19 i orientonte deputetët drejt kësaj stende. Ky rregull për parlamentarët vjen pikërisht në ditën kur Instituti i Mbikqyrjes Shëndetësore dhe Profilaksisë Robert Koch (RKI) komunikoi një rekord të ri të infeksioneve brenda një dite, mbi 80.000 raste me COVID.

Në sfondin e rritjes së rasteve me COVID-19, parlamenti gjerman të mërkurën (12.01) votoi vendosjen e rregullave më të forta në mbarë vendin, e po ashtu edhe për hyrjen në parlament. Deputetët për të hyrë në sallën plenare dhe në sallat e mbledhjeve të grupeve parlamentare e të komisioneve duhet në rast se nuk kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës të paraqesin përpos dokumentit të vaksinimit, ose vërtetimit të shërimit nga COVID edhe një test negativ antigjen.

Deputetët që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore mund të hyjnë në sallën plenare me një test negativ PCR. Por deputetët e tjerë që nuk janë vaksinuar plotësisht lejohen të marrin pjesë në seanca vetëm duke qendruar në lozhën e publikut. Por edhe për të hyrë në këto mjedise lipset një test negativ antigjen.

Për ata që nuk duan t'u përmbahen këtyre rregullave janë parashikuar gjoba. Administrata e Bundestag-ut planifikon gjoba nga 1.000 euro për herën e parë dhe 2.000 euro nëse shkejet përsëriten. Madje ata mund të konfrontohen edhe me refuzimin e fletëhyrjes.

AfD kundër

Të gjithë grupet parlamentare në Bundestag votuan në favor të rregullores së re, me përjashtim të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), së cilës i mungonte gati gjysma e deputetëve në seancën e së mërkurës.

Disa prej deputetëve të AfD-së ishin ulur në lozhën e publikur, ndërsa të tjerë në vendet e tyre të zakonshme. Por gati gjysma e vendeve të tyre në sallë ishin të zbrazur.

Deputetët e AfD-së - si ata të ulur në sallën plenare edhe ata në lozhën e publikut disa herë e ndërprenë fjalimin e kancelarit Olaf Scholz duke mbajtur pllakata në shprehje të kundërshtimit të tyre ndaj masave rigoroze, gjë që në fakt është kundër rregullores së Bundestag-ut.

Deutschland | AfD Fraktion im Bundestag
Deputetët e pa vaksinuar në lozhën e publikutFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Në pankartat e tyre shkruhej "liri në vend të përçarjes" — duke iu referuar komentit të deputetit të AfD-së Bernd Baumann, i cili tha, se masat e marra po përçajnë jo vetëm shoqërinë, por edhe këtë parlament."

Deputetja e partisë "E Majta" Sahra Wagenknecht, e cila e thotë hapur se nuk është vaksinuar ndaj COVID-19, gjithashtu i kritikon rregullat e vendosura në seancën e së mërkurës. "Ndalimi i deputetëve (të pa vaksinuar) nga prania në sallën plenare në vend që të vendosen testime për të gjithë, është e paarsyeshme në aspektin epidemiologjik e po ashtu edhe antikushtetuese nisur nga fakti, që vaksina nuk të mbron plotësisht nga një infektim", i tha Wagenknecht portalit news hub RND.

AfD-ja thotë se do të ngrejë padi kundër rregullores së re në Bundestag. Alice Weidel, bashkëkryetarja e AfD-së, tha se "mandati i lirë i deputetit është i kufizuar tashmë prej rregullave të reja".

'Roli shembull' për shoqërinë

Andrew Ullmann, deputeti i partisë Liberal Demokrate (FDP) njëkohësisht edhe mjek për sëmundjet infektive i hedh poshtë kritikat: "Këto rregulla të reja në parlament janë të rëndësishme për t'u treguar njerëzve jashtë parlamentit, se edhe për ne vlejnë të njëjtat rrregulla. Ne kemi përgjegjësinë të veprojmë këtu si një shembull", tha Ullmann për DW.

Rregullat e reja në Bundestag janë të njëjtat sikurse vlejnë edhe për baret e restorantet në mbarë vendin.

Të pesë grupet parlamentare votuan në favor të rregullores së re duke argumentuar, se qëllimi është të sigurojnë që puna të vazhdojë pa u cënuar.

"Gjatë Krishtlindjeve pamë, se si disa deputetë merrnin pjesë në mbledhjet e komisioneve edhe pse ishin testuar pozitivisht. Kjo bëri që për shkak të kontaktit të dërgoheshin të gjithë deputetët në karantinë", tha Ullmann. Bundestagu aplikon rregulla strikte edhe për përdorimin e maskës mbrojtëse. Tani lejohen vetëm maskat FFP2 /N95 në të gjithë godinën. Maskat mund të hiqen vetëm kur deputetët referojnë në pult.