Britanikët duan ta luftojnë Coronën me karantinë
23 Maj 2020Britania e Madhe synon që me masat e karantinës të mënjanohet që infeksionet e mundshme nga jashtë ta shkaktojnë një valë të dytë pandemie në këtë vend, thotë ministrja e Punëve të Brendshme, Priti Patel. Të gjithë udhëtarët që vijnë nga jashtë nga 8 qershori, pavarësisht nënshtetësisë së tyre duhet të lenë në kufi të dhënat e kontaktit dhe adresën.
Britanikët që vijnë nga jashtë duhet të qëndrojnë në karantinë në shtëpitë e tyre, të tjerët duhet të marrin masa për izolimin. Kush nuk e respekton karantinën duhet të llogarisë me gjoba deri 1000 paund (rreth 1117 euro). Sipas mediave britanike, karantina do të kontrollohet në mënyrë sporadike. Kjo masë fillimisht është e pakufizuar në kohë. Çdo tre javë do të kontrollohet zgjatja e saj.
Përjashtime
Përjashtime ka për pak persona. Shoferët e transportit, punëtorët sezonalë, udhëtarët nga Irlanda, Isle of Man dhe ishujt e kanalit të La Manshës si edhe personeli mjekësor që jep kontribut në luftimin e pandemisë mund të lëvizin pa kufizime në vend.
Prej javësh qeveria në Londër ndodhet në kritikë për shkak të mënyrës së veprimit me virusin Corona. Në asnjë vend tjetër në Europë nuk ka pasur kaq shumë raste vdekjesh që lidhen me COVID-19 sa në Britaninë e Madhe. Më shumë 41.000 raste. Ndërkohë numri i infektimeve të reja ka rënë.
Ekonomia paralajmëron nga pasojat
Kritika mbi masat e karantinës vijnë nga ekonomia britanike. Pa një kufizim kohor një detyrim i tillë për karantinë e bën „një situatë të vështirë për degën e fluturimeve në Britaninë e Madhe dhe të gjitha sipërmarrjet që lidhen me të edhe më të vështirë ", thuhet në një letër të Shoqatës së Fluturimeve për kryeministrin Boris Johnson. Njerëzit nuk do të fluturojnë as nga e as për në Britaninë e Madhe, thuhet në letrën e shoqërive të fluturimit.
la/qu/rb (dpa, rtr, afp)