1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Britania e Madhe ka thirrur Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ushtarët e arrestuar në Iran

Silke Engel (ADD)29 Mars 2007

Siç konfirmohet nga fotografi satelitore, ushtarët britanikë ndodheshin në mision të OKB-së në ujëra irakiane, kur u arrestuan nga forcat iraniane të sigurisë. Nga ky shkak, kryeministri britanik i ngriu marrëdhëniet diplomatike me Iranin

https://p.dw.com/p/AqWy
Anije britanike patrullimi pranë Basrës
Anije britanike patrullimi pranë BasrësFotografi: AP

Deri tani, Britania e Madhe është përpjekur që ta zgjidhë krizën pa tërhequr shumë vëmendje. Prapa perdeve, që prej më shumë se një jave janë vënë në lëvizje të gjitha levat diplomatike për t'i liruar 15 marinarët britanikë. Por qeveria iraniane nuk lëviz asnjë milimetër nga qëndrimi i saj, kritikon ministrja e jashtme britanike, Margaret Beckett.

Prandaj Londra ndihet e detyruar që ta ashpërsojë tonin e saj ndaj Teheranit:"Ne kemi arritur një dimension të ri, prandaj qemë të detyruar të përdorim një ton më të ashpër, pra: të publikojmë materialin e dëshmive dhe të ngrijmë hë për hë të gjitha marrëdhëniet me Iranin. Për aq kohë sa të jetë zgjidhur kjo krizë."

Edhe kryeministri Toni Bler e mbrojti ndryshimin e strategjisë: ministria britanike e mbrojtjes publikoi për herë të parë fotografi, në të cilat bëhet e qartë se anëtarët e marinës britanike nuk kishin depërtuar në ujëra territoriale iraniane. Publikimi i koordinatave të sakta synon të konfirmojë se Teherani operon në mënyrë të ndërgjegjshme me informacione të gabuara.

Britania e Madhe nuk lejon që ta provokojnë më, tha kryeministri britanik Toni Blair para parlamentit britanik:"Koha ka ardhur për ta shtuar presionin dhe për ta izoluar plotësisht Teheranin."

Droja e shprehur nga opozita konservatore, se toni i ashpërsuar ndaj Teheranit i vë britanikët e arrestuar para një rreziku edhe më të madh, nuk mbështetet nga qeveria e Londrës. Ajo e sheh veten në të njëjtën linjë me bashkësinë ndërkombëtare dhe shpreson se do ta zgjidhë krizën me forca të bashkuara: "Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka përforcuar sot pasdite se sjelljen e iranianëve e dënon i gjithë BE. Si presidente e Këshillit të BE ajo kërkon lirimin e mënjëhershëm të britanikëve. Edhe NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara e mbështesin këtë kërkesë. Ne ndodhemi në kontakt të përhershëm edhe me shtetet në rajonin e Gjirit Persik", tha Bleri.

Ministrja e jashtme britanike, Margaret Beckett falënderoi në këtë kuadër vecanërisht kolegun e saj irakian, i cili konfirmoi gjithashtu publikisht se britanikët nuk ndodheshin në territor iranian. Konflikti është ashpërsuar. Megjithatë, vëzhguesit nuk besojnë se me këtë shtohen gjasat për një goditje ushtarake kundër Teheranit.