Britania e Madhe dëbon 23 diplomatë rusë
14 Mars 2018Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May deklaroi para parlamentit britanik se do të dëbojë 23 diplomatë rusë, në përgjigje të sulmit me lëndë luftarake nervore ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus.
"Në bazë të Konventës së Gjenevës, Mbretëria e Bashkuar do të dëbojë tani 23 diplomatë rusë, që janë identifikuar si punonjës të padeklaruar të shërbimit të fshehtë", deklaroi May. "Ata kanë vetëm një javë kohë që të largohen".
May tha se këto janë dëbimet më të mëdha nga vendi i saj dhe do ta dobësojnë aftësinë e zbulimit të Rusisë në Britani për vitet e ardhshme.
Ajo shtoi se do të ngrijë pasuritë shtetërore ruse, në të gjitha rastet kur ka evidenca se mund të përdoren për të kërcënuar jetën ose pronën e shtetasve britanikë ose të rezidentëve. Ish-agjenti i dyfishtë rus, Sergej Skripal mbante nënshtetësinë britanike, kurse e bija ishte nënshtetase ruse.
Bllokohen kontaktet e nivelit të lartë me Rusinë
May deklaroi më tej se qeveria e saj do të ndërpresë përkohësisht të gjitha kontaktet me përfaqësues të lartë të shtetit rus. Në këtë kuadër do të anulohet ftesa për një vizitë në Londër të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov. Veç kësaj, ministrat britanikë dhe familja mbretërore nuk do të shkojnë në Rusi për Kampionatin Botëror të Futbollit.
May tha se nesër do të zhvillohet për këtë takim një takim i Këshillit të Natos. Në të do të diskutohet përdorimi ilegal i armëve kimike nga shteti rus dhe programet ilegale për zhvillimin e tyre.
"Ne nuk kemi gjë kundër popullit të Rusisë", tha kryeminstrja e Britanisë së Madhe. Por shtoi se "është tragjike, që Presidenti Putin ka zgjedhur të veprojë në këtë mënyrë".
Theresa May tha se kishte telefonuar 24 orët e fundit me Presidentin e SHBA, Donald Trump, me Kancelaren Angela Merkel dhe me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se pret që Londra të bëjë një propozim për mënyrën si duhet reaguar ndaj Rusisë. Ai është i gatshëm që ta vendosë këtë rast në rendin e ditës të takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të BE, javën e ardhshme. "Sulmi brutal" "me shumë gjasa është nxitur nga Moska", tha Tusk. "Solidariteti ynë dhe uniteti në këtë kuadër janë të domosdoshëm."
Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të debatojë sot (14.03.2018) për këtë çështje.
May kishte vënë Rusisë një ultimatum deri të mërkurën në mbrëmje. Deri atëherë Kremlini duhet të jepte sqarime, përndryshe pasoja do të qenë "sanksione drastike".