1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Britania e Madhe do të forcojë ligjin e gjenocidit

21 Gusht 2009

Britania e Madhe ka bërë njohur se do të paraqesë ndryshime ligjore për të përforcuar ligjin e gjenocidit dhe krimeve të luftës. Ndryshimet do të mundësojnë ndjekjen penale të personave të dyshuar për krime lufte në vend

https://p.dw.com/p/JG6H
Qendra përkujtimore antigenocid pranë Kigalit në Ruanda
Qendra përkujtimore antigenocid pranë Kigalit në RuandaFotografi: picture-alliance/ dpa

Raporti i grupit parlamentar për të drejtat e njeriut thotë se për shkak të "zbrazëtive legale" kriminelët ndërkombëtarë të luftës po shpëtojnë prej ndjekjes penale. Sipas raportit, botuar javën e shkuar, zbrazëti të këtilla legale u mundësojnë kirminelëve ndërkombëtarë të luftës të vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar pa frikë nga ndjekja penale.

E drejta britanike të mbështesë viktimat e krimeve

Komiteti i përbashkët për të drejtat e njeriut thotë se qeveria duhet të sigurojë që e drejta britanike mbështet viktimat e këtyre krimeve dhe se të dyshuarit mund të arrestohen kudo që gjenden në Mbretërinë e Bashkuar.

Muajin e shkuar, qeveria britanike paralajmëroi ndryshime ligjore për të përforcuar ligjin e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Ministri i drejtësisë, Jack Straw tha se qeveria është e vendosur për luftën kundër këtyre krimeve. Ndryshimet e paralajmëruara do të përfshinin krimet e bëra që nga një janari i vitit 1991. Kjo është data prej së cilës Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë mori juridiksionin sipas statutit të tribunalit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të dyshuarit për krime lufte mund të gjykohen në Mbretërinë e Bashkuar, por për krimet që nga prej 2001

Të dyshuarit për krime lufte para vitit 2001 mund të ekstradohen në vendet nga kërkohen ose tek gjykatat ndërkombëtare. Personat e dyshuar poashtu mund të dëbohen dhe ndalohen nga hyrja e sërishme në vend. Sipas ligjit britanik, ekstradimi nuk lejohet në rast dyshimi "të arsyeshëm" se në vendin e orgjinës ndaj personit të kërkuar mund të ushtrohen tortura apo nëse ka dyshime për një proces gjykimi të drejtë.

Burimet qevritare thane se qeveria preferon që të dyshuarit për krime të këtilla të gjykohen në vendin e krimit. Kur kjo nuk është e mundur, ligji duhet të mundësojë ndjekjen në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas burimeve të Ministrisë së Drejtësisë qeveria dëshiron të bëjë të qartë, se ata që kanë kryer krime të këtilla nuk mund të gjejnë vend për t'u fshehur.

Autoritetet kanë regjistruar 1863 persona të dyshuar për pjesëmarrje në krime

Sipas një organizate jo-qeveritare për të drejtat e njeriut, "Aegis Trust", që nga viti 2004 autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë regjistruar 1863 persona të dyshuar për pjesëmarrje në krime të ndryshme. Prej tyre, 138 u referuan mes vitit 2004 deri 2008, ndërsa 22 u transferuan tek policia. Në raportin ekësaj organizate thuhet se ndër të dyshuarit për krime lifte që u gjetën në Mbretërinë e bashkuar ishte një anëtar i grupit paramilitary serb "Tigrat". Sipas raportit kërkesa për ekstradim janë bërë për katër të dyshuar nga Ruanda dhe dy ish-Jugosllavia.

Amendamentet do të paraqiten në vjeshtë dhe përfshijnë shtetasit dhe rezidentët në Mbretërinë e Bashkuar. Ndryshimet nuk do të përfshinin fjala vjen studentët apo azil-kërkuesit.

Nga Ministria e brendshme mësohet se nga janari 2007 të gjitha aplikimet e reja për azil janë regjistruar për pjesëmarrje të mundshme në këto krime. 30 raste u referuan tek policia. Gjatë vitit 2008, 877 raste u regjistruan për krime lufte, ndërsa këtë vit deri tani 444 raste.

Autor: Kimete Bytyqi/ Londër

Redaktoi: Auron Dodi