Britania e Madhe apo e Vogël?
18 Shtator 2014Ai duket si një skocez i vërtetë. Kilt, me çorape deri te gjuri dhe bririn tradicional të muzikës, trup i fuqishëm. Kur John Patterson luan në afërsi të kështjellës së Edinburgut melodi tipike skoceze nga malësitë e vendit, njerëz ndalen dhe duartrokasin. Në fushatën elektorale emocionale për pavarësinë e Skocisë ai sapo ka pasur një shfaqje në një kanal televiziv lokal. "Ka shumë tension në ajër", thotë John Patterson. "Njerëzit duan ndjenja." Vetë John Patterson nuk ka ide të qarta për pavarësinë. Vetëm babai i tij ka pasur disa paraardhës skocezë. John Patterson zbavitet shumë kur të gjithë e marrin për një skocez model. Nuk është fare e lehtë të kuptohet se kush është skocez i vërtetë dhe kush jo, buzëqesh ai. "Ka vetëm dy lloje njerëzish: skocezët dhe ata që do të donin të ishin të tillë."
Audry Painsarnault ka ardhur madje me katër fëmijët dhe bashkëshortin nga Kanadaja për t'u shpërndarë kalimtarëve në Edinburg postera dhe fletushka me një "JO" të madhe të shkruar mbi to. Edhe ajo nuk mund të votojë këtu. "Burri im ka paraardhës skocezë. Për këtë vendosëm të japim kontributin tonë të vogël. Kemi ardhur bashkë më fëmijët për të ndihmuar. Duam t'i bindim këta njerëz që të paktën të votojnë, për cilindo qoftë." Por ajo shpreson që unioni të mos shpërbëhet. Kanadaja ka probleme të ngjashme me separatistët në Quebec-un ku flitet frengjisht.
Meqenëse nuk është aspak e lehtë të përcaktosh se kush është skocez, Alex Salmond, ministri i parë dhe kryetar i Partisë Kombëtare skoceze ka zgjedhur një përkufizim shumë të thjeshtë. Kush banon në Skoci është skocez dhe mund të vendosë në 18 shtator nëse veriu i Britanisë së Madhe pas më shumë se 300 vjetësh do të bëhet sërish një shtet i mëvetësishëm. Të dy kampet, pro dhe kundër pavarësisë, sipas tre sondazheve të fundit janë me pozicione njësoj të forta. Kundërshtarët e pavarësisë kanë një avantazh të lehtë me 52 pikë kundrejt 48, por opinionistët nuk janë të sigurt se çfarë roli do të luajnë rreth 8 për qind të pavendosurit.
Ben Walker një sipërmarrës nga Londra, por që e sheh veten si skocez, është për qendrimin e vendit të tij në unionin me Anlginë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut. Atij i vjen keq që 800 000 skocezët që jetojnë jashtë Skocisë nuk kanë të drejtë të votojnë. "Të gjithë skocezët që jetonë në pjesë tjetër të Britanisë së Madhe, sipas rregullave të referendumit për fat të keq nuk kanë të drejtë vote", thotë Walker.
Në ditët e fundit para referendumit fushata është ashpërsuar. Nacionalistët skocezë duan siç thonë të çlirohen nga shtypja dhe i quajnë ofertat nga Londra për më shumë pavarësi rajonale si "oferta jo të besueshme të minutës së fundit". Unionistët i akuzojnë nacionalistët se gënjejnë. Kryetari laburist pro-britanik Ed Miliband madje u sulmua fizikisht gjatë një aktiviteti elektoral në Edinburg. Gazetat bulevardeske britanike kanë gërmuar edhe disa skandale. "Scottish Daily Mail" e akuzon njeriun e fortë të nacionalistëve Alex Salmond se është në kërkim të pushtetit dhe pas pavarësisë kërkon të marrë edhe një rezidencë zyrtare.
Thirrjet patetike që skocezët të marrin në dorë fatet e veta, që të dy palët kanë përhapur në orët e fundit para votimit, janë të tepruara për Ben Walker, skocezin në mërgim nga Londra. "Emocionet janë gjë e bukur. Unë jam skocez dhe kam bërë shkollën këtu. Ndiej plot pasion për vendin tim. Por nisur nga arsyeja duhet të them se nuk mund t'ia lejojmë vetes."
Pasojat ekonomike do të ishin shumë të rënda për Skocinë beson Ben Walker. "Ne po hidhemi në një humnerë. Do t'i kishim shumë keq punët. Përse duhet të shkatërrohet një shtet krejt i suksesshëm? Britania e Madhe nuk është e përsosur por ka vetëm të njëjtat probleme si shumë shtete demokratike, ashtu si Franca apo Gjermania. Pavarësia dhe nacionalizmi i shfrenuar nuk i zgjidhin këto probleme."
Disa rrugë më tutje në zyrën elektorale të fushatës pro pavarësisë, menaxherja lokale e fushatës Rachel Blair ka krejt tjetër mendim. Skocia mund të kishte si shtet i pavarur të ardhura shumë më të larta nga rezervat e saj natyrore në naftë dhe gaz, beson studentja e sociologjisë. "Për momentin kemi një qeveri në Londër e cila është shumë e huaj për njerëzit këtu. Ne kemi nevojë për një qeveri këtu në shtëpi që të jetë pranë njerëzve. Besoj se kemi shumë probleme këtu. Një në pesë fëmijë jeton në varfëri. Familjet kanë nevojë për ndihma në ushqime. Për këtë arsye duhet t'i kontrollojmë vetë burimet tona për t'u ardhur atyre në ndihmë", thotë Rachel Blair. Skocia do të mbetet në BE dhe do të mbajë edhe paundin si monedhë kombëtare. Të dyja këto kundërshtohen nga kampi kundër pavarësisë. Kjo bëhet vetëm për të frikësuar, mendon Rachel Blair. Të premten në mëngjes pas një natë të gjatë zgjedhjesh do të ketë një festë të madhe. "Jam shumë optimiste. Sondazhet tregojnë rezultat të ngushtë por ne kemi bërë sa duhet për të informuar njerëzit se një 'PO' sjell një të ardhme më të mirë për Skocinë".
Shumë shoqata sipërmarrësish kanë paralajmëruar ndaj pavarësisë. Sindikatat janë të përçara. Mbretëresha, e cila si gjithnjë qendroi në Skoci në verë, nuk është shprehur zyrtarisht. Por edhe një fjali e vogël e saj pas një meshe në afërsi të rezidencës së saj verore Balmoral e bëri vendin të mbajë frymën. Njerëzit duhet të mendohen mirë se çfarë pasojash ka referendumi, tha Elizabeta e II-të. Por një gjë është e sigurt: Mbretëresha do të mbetet kryetare e shtetit edhe në një Skoci të pavarur. Nga kjo traditë nuk janë të gatshëm të heqin dorë aq nacionalistët më të zellshëm.
Qendrat e votimit mbyllen të enjten në orën 23 sipas orës së Evropës Qendrore. Mediet presin që rezultatet të bëhen të ditura në orët e para të mëngjesit. Për këtë arsye në disa pub-e në Edinburg është hequr ora e mbylljes. Në kufirin mes Anglisë dhe Skocisë disa shakaxhinj ngritën një stacion kufitar të rremë. Ai dukej shumë i vërtetë dhe disa drejtues mjetesh ndaluan vërtet dhe treguan dokumentet. Jon Parker Lee nga Mançesteri është autori i shakasë. "Unë nuk jam as pro dhe as kundër pavarësisë. Doja vetëm që të gjithë të qeshnin një herë fort", tha ai.