1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brinkhaus: Zgjedhja ime nuk është "dramë e madhe"

26 Shtator 2018

Pas zgjedhjes si kryetar i ri i Grupit Parlamentar të CDU, Ralph Brinkhaus flet si mbështetës i vendosur i Kancelares. Por megjithë deklarimet për besnikëri ai përpiqet të vendosë menjëherë pikërëndesat e tij.

https://p.dw.com/p/35Vqu
Ralph Brinkhaus, CDU
Fotografi: picture-alliance/Eventpress Stauffenberg

Kryetari i ri i Grupit Parlamentar Ralph Brinkhaus (CDU) do t'i mbrojë pozicionet e deputetëve unionistë në të ardhmen edhe përballë qeverisë në mënyrë më të hapur. Njëkohësisht, në disa intervista televizive Brinkhausi i shprehu Kancelares Angela Merkel mbështetjen e tij. "Unë kam vullnetin për ta mbështetur atë, për ta bërë të fortë qeverinë", theksoi Brinkhaus për shembull në ZDF. Edhe Grupi Parlamentar dëshiron të bashkëpunojë mirë me Kancelaren. Prandaj zgjedhja e tij "nuk është ndonjë dramë e madhe". Grupi Parlamentar i CDU dhe CSU e rrëzoi Kauderin pas 13 vjetësh në post kundër vullnetit të shefes së CDU-së. Brinkhausi fitoi me 125 vota përballë 112 votave papritur votimin konkurues, dy deputetë abstenuan.

"Në vitet e fundit janë prishur shumë gjëra"

Për sa i përket Kancelares, Brinkhausi tha se nuk e sheh të dëmtuar atë: "Jo, fare jo." është "krejtësisht e sjellshme, miqësore dhe besnike" që Merkeli e mbështeti Kauderin. Për kërkesën që ajo duhet të kërkojë votëbesimin, Brinkhaus tha "ky është budallallëk". Kryetari i Liberaldemokratëve, Christian Lindner e pati përmendur këtë. "Një qeveri jostabile, e cila grindet vetëm me veten dhe nuk përcakton drejtimin se nga duhet të ecet, këtë nuk e ka merituar ky vend", tha Lindner. "Prandaj unë i rekomandoj zonjës Merkel që të kërkojë votëbesimin. Me këtë ajo ose mund të rivendosë besimin, ose t'ia japë drejtimit të tjerëve. Edhe kancelarë të tjerë para saj e kanë përdorur këtë instrument."

Brinkhausi, që përfaqëson që në vitin 2009 në Bundestag zonën e tij elektorale Gütersloh të Vestfalisë lindore, tha më tej në ZDF se tema e madhe tani është kohezioni i shoqërisë. "Këtu në tri vitet e fundit janë prishur shumë, shumë gjëra dhe në përputhje me këtë ne duhet të mundësojmë sërish dialogun me njerëzit, të cilët i kemi humbur si zgjedhëse ose zgjedhës të protestës".

Schuster: Merkeli duhet të "menaxhojë" tranzicionin te pasardhësi

Politikani i politikës së brendshme të CDU, Armin Schuster mendon se me ndërrimin e rojeve në krye të Grupit Parlamentar unionist Merkeli më tepër është forcuar se dobësuar, i tha ai Agjencisë Gjermane të Lajmeve, dpa. Kancelarja ka tani shansin që "këtë kohë të ndërrimit të rojeve, të tranzicionit në të ardhmen" ta moderojë në mënyrë aktive, ta menaxhojë. CDU/CSU duhet të ketë në 2020 një pozicionim të shkëlqyer për fushatën elektorale të vitit 2021. Gazetës "Stuttgarter Zeitung" Schusteri i tha: "Nga kancelarja pres që ta na thotë në kongresin e partisë se si do ta menaxhojë tranzicionin deri në 2020 në një kandidat të ri për kancelar."