1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit: Vërtet raundi i fundit?

30 Nëntor 2020

Kjo javë shihet shansi i afati i fundit për arritjen e një marrëveshje tregtie mes BE dhe Britanisë së Madhe dhe mënjanimin e një Brexiti të pakontrolluar. Koha nuk pret më. Më 31 dhjetor merr fund faza e ndërmjetme.

https://p.dw.com/p/3lx4E
Großbritannien Manston Airport bei Dover | Test für Brexit
Fotografi: Gareth Fuller/empics/picture alliance

Se çfarë i pret pas 1 janarit 2021 doganierët francezë në portin e Doverit, kjo u kuptua që këtë javë që po mbaron në një simulim të kontrolleve të mauneve për kohën pas përfundimit të fazës së ndërmjetme. Pas këtij afati të gjitha eksportet nga Britania e Madhe do të presin në kufi për deklarime të detajuara doganore dhe përmbajtësore

Aktualisht në Dover-Calais kalojnë tranzit 3,5 milionë maune në vit. Autoritetet britanike gjykojnë, se do të nevojiten 270 milionë deklarime doganore. Testi i vogël që bënë francezët prodhoi disa kilometra të gjata radhë pritjeje në autostradën M20 nga Londra. Edhe banorët e Kentit në këtë zonë janë të shqetësuar për ngritjen e një parkingu gjigand për maune, dhe i tremben pasojave që do të ketë kjo në jetën e qetë të banorëve.

Kontroll maksimal

Ekipi i kryenegociatorit, Michel Barnier vazhdoi bisedimet në fundjavë në Londër me partnerët britanikë. Të dielën u bisedua për një nga temat e konfliktit BE-Britani e Madhe, peshkimin. Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab u shpreh se të drejtat e peshkatarëve të BE në ujërat britanike janë një "pikë e fortë grindjeje". Kryenegociatori i BE, Michel Barnier i ndërpreu javën e kaluar bisedimet për shkak të infektimit me Corona të një negociatori në ekipin e tij.

Një deal edhe më tej nuk është i sigurtë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e paralajmëroi javën e kaluar Parlamentin Europian për këtë. Progres të shënueshëm ka pasur në tema si bashkëpunimi mes policive dhe tek drejtësia. Ndërkohë që marrëveshja për mallrat, shërbimet dhe transportin qëndron ende mbi tryezën e bisedimeve.

Kemi nevojë për mekanizma "të fortë” për ta vënë në jetë marrëveshjen, tha von der Leyen. Pasi Londra bëri të ditur shkeljen e një marreveshjeje, duke prishur ujdinë për kufirin irlandezo-verior me ligjin e ri për tregtinë e brendshme, pozicioni i BE është ashpërsuar. Tani bëhet fjalë për kontroll maksimal për shkak të mungesës së besimit.

Belgien Großbritannien | Brexit-Verhandlungen | Michel Barnier
Michel BarnierFotografi: Yves Hermann/AFP

„Ditët në vijim janë vendimtare”, thotë von der Leyen. Parlamenti Europian ka rënë ndërkohë dakord që një seancë të posaçme për ratifikimin e marrëveshjes ta mbajë më 28 dhjetor. Koha deri në këtë datë do duhej të përdorej për përkthim dhe verifikim të 600 faqeve tekste juridike.

Përpjekja e fundit

Kjo javë shihet në tërësi si afati i fundit për një ujdi. Por nën këtë mbishkrim "rrugëdalja e fundit” ka pasur edhe bisedime të mëparshme për Brexitin, por tani objektivisht negociatorët nuk kanë më kohë. Periudha e ndërmjetme merr fund më 31 dhjetor.

Konkurrenca e drejtë, mbikqyrja e marrëveshjes dhe peshkimi janë temat e diskutueshme. E para - konkurrenca e drejtë: ujdia do arrihej, kur partnerët pranonin një gamë të gjerë brenda së cilës vendosen standartet e prodhimit. BE kërkon që sipërmarrjen të sigurojnë kushte të drejta konkurrence. Por për qeverinë britanike, Brexit është shansi për të anashkaluar standartet e BE.

Tema e mbikqyrjes dhe kontrollit të marrëveshjes: BE mendon që të vendosë menjëherë dogana ndëshkuese, nëse pala britanike nuk e respekton marrëveshjen. Londra i referohet rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që janë kaq të buta, saqë nuk trembin askënd.

Kurse tema e peshkimit ka marrë rëndësi politike. Qeveria britanike u premtoi peshkatarëve të saj, se pas daljes nga BE ata do të kenë "kontroll mbi ujërat e veta”. Sipas kësaj nga janari 2021 peshkatarët e BE nuk duhet të punojnë më në zonën britanike prej 200 kilometrash.

"Jo me çdo çmim"

Sipërmarrjeve britanike dhe qytetarëve përmes një fushate informuese të qeverisë u kërkohet që të përgatiten për Brexit. Problemi është, se shumë sipërmarrje nuk e dinë, se me çfarë do të përballen. Një Brexit i ashpër është i lidhur me shumë kontrolle dhe punë administrative, një marrëveshje ka më pak andralla.

Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak është shprehur, se ka shpresë që do të ketë një marrëveshje, por për televizionin britanik, ai tha qeveria nuk e do këtë "me çdo çmim”. Kjo nuk do ishte gjëja e duhur, sepse "ka gjëra në këto negociata që janë të rëndësishme për ne.”

Europa Ursula von der Leyen im Europäischen Parlament
Ursula von der LeyenFotografi: Oliver Hoslet/POOL/AFP/Getty Images

Kurse autoriteti britanik i Kontrollit të Buxhetit, paralajmëroi nga skenari i një Brexiti pa marrëveshje. Fuqia ekonomike do të bjerë menjëherë deri në 2% dhe do të prekë ato degë të ekonomisë që ishin të paprekura nga pandemia e Coronës. Në plan afatgjatë ky autoritet ka parashikuar një rënie të prodhimit të brendshëm bruto me 2-4%. Ministri i Financave, Sunak nuk i merr seriozisht këto prognoza. Për të pasojat e krizës së Coronës do të tejkalojnë çdo gjë tjetër.

Parimi i BE mbetet: Asnjë marrëveshje nuk i zëvendëson avantazhet e një anëtarësie. Se sa kompromise do të bëjë Londra që të afrohet me BE varet edhe nga kryeministri Boris Johnson, por der më tani ai nuk ka dhënë asnjë shenjë, se si do të bien zaren.