1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit rrezik për paqen në Irlandën e Veriut

31 Tetor 2018

Debati për një kufi të rreptë me Republikën e Irlandës u ngjall frikë shumë irlandezo-veriorëve. Ata druajnë një radikalizim dhe rindezjen e terrorit në rajon. Unionistët dhe Sinn Fein kanë filluar të ashpërsojnë gjuhën.

https://p.dw.com/p/37P8J
UK Brexit | Grenze in Irland
Fotografi: picture-alliance/empics/N. Carson

Që nga viti 1998 po funksionon marrëveshja e paqes mes katolikëve dhe protestantëve në Irlandën e Veriut. Vota e britanikëve për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të ndryshojë gjithçka. Në kufirin rreth 300 km, në përgjithësi një kufi i hapur për në Republikën e Irlandës, tani kërcënon sërish vendosja e telave me gjemba dhe shumë druajnë, që mund të rindizet konflikti i përgjakshëm, për të cilin deri dje besonin, që i përket së shkuarës.

Kujtimet për ditët e përgjakshme të Belfastit

Alfie McCrory e ka përjetuar vetë terrorin. Ai ka qenë i pranishëm kur një bombë shpërtheu në rrugën Shankhill Road, rrugën ku ndodhej shtëpia e tij. Nëntë vetë humbën jetën. Një nga atentatet më të përgjakshme me bomba të organizatës ilegale katolike, IRA, në Belfast. Ai kujton skenat nga ajo kohë: "Kudo këtu kishte trupa pa jetë dhe të plagosur."

Nordirland Belfast - Shankill Road
Shankill Road - BelfastFotografi: DW/L. Osborne

Edhe pas 25 vitesh kujtimet janë të dhimbshme, sidomos për ata që patën humbur aty njerëzit e afërm. Periudha më e vështirë e konfliktit të përgjakshëm ka qenë 20 vjet më parë, kur katolikët luftonin për më shumë të drejta dhe për t'u bashkuar me Republikën e Irlandës. Paramilitarët protestantë ushtronin po ashtu sulme nga ana e tyre kundër katolikëve. Mbi 3 mijë vetë kanë humbur jetën gjatë konfliktit të përgjakshëm. 

Për protestantin Alfie McCrory, atentati me bombë ishte momenti i kthesës. Më parë ai kishte pasur simpati për paramilitarët. Në momentet e hidhërimit atij iu bë e qartë sa e rëndësishme ishte kthimi i paqes. Diskutimet e tanishme për Brexitin i ngacmojnë Alfie McCrory-it plagët e vjetra. "Procesi i paqes nuk ka shumë kohë që është vendosur. Tek katolikët ka ende akte dhune dhe vrasje. Që prej 30 vjetësh ne jetojmë si të rrethuar", thotë ai.

Grupet paramilitarë nuk janë shumë aktiv sot, por ato ekzistojnë tek të dyja palët

Enklava katolike Ardoyne ndodhet disa rrugë larg Shankhill Road. Nga këtu pati ardhur ai që vuri bombën e Shankhill-it. Thomas Begley, anëtar i Ushtrisë Republikane Irlandeze, IRA, u vra gjatë atentatit që organizoi vetë dhe për këtë nderohet nga katolikët radikalë, një nga të cilët është Dee Fennel. Ai kujton: "Ne republikanët mendojmë kështu: sa kohë që vendi ynë është i pushtuar nga britanikët, ne kemi të drejtën e rezistencës."

Alex Maskey është ish-anëtar i IRA-s. Ai i përket partisë Sinn Fein dhe është politikan rajonal katolik. Si politikan rajonal ai është i afërt me procesin e paqes. Por për katolikët hapja e kufirit me Republikën e Irlandës ka qenë deri tani kusht për vendosjen e paqes. Dhe deri tani për këtë është kujdesur BE. Alex Maskey: "Për ne Brexiti është goditje e paqes. E bën bashkëpunimin me protestantët të vështirë. Tek ne shumë vetë janë të indinjuar dhe ne nuk do të lejojmë të bëjnë me ne çfarë të duan.

Nordirland Belfast -  Grenze
Belfast - Kufiri në Irlandën e VeriutFotografi: DW/J. Collins

Sidomos një kufi i ri i fortë me Republikën e Irlandës do t'i acaronte shumë katolikët. Mary McConville e partisë Sinn Fein, po ashtu politikane rajonale kaltolike, thekson: "Marrëveshja e së premtes së mirë, vazhdon të jetë e detyrueshme. Që kur ka hyrë ajo në fuqi nuk ekzistojnë më kufijtë e fortë, dhe që kur ka ndodhur kjo ne ndihemi të jemi pjesë e Irlandës. Nëse na e marrin këtë, atëherë do të ketë sërish konflikte".

Alfie McCrory dhe miqtë e tij protestantë e ndiejnë veten të rrezikuar nga kjo dhe duan të jenë pjesë e Britanisë së Madhe. Ata refuzojnë me forcë të pranojnë ndonjë status të veçantë për Irlandën e Veriut, siç propozon BE. Alfie McCrory mendon, se: "Theresa May ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do ia lerë të gjithë këtë çështje në dorë BE-së. Kjo na ka bërë të qartë edhe një herë se ne jemi po aq të rëndësishëm sa anglezët, skocezë dhe banorët e Uellsit. Brexit do të thotë që ne dalim të gjithë bashkë. Çdo gjë tjetër do të ishte tradhëti për ne." Alfie McCrory shpreson që Irlanda e Veriut të vazhdojë të mbetet në paqe. Por paqja rrezikohet prej Brexitit, aq shumë sa asnjëherë në 20 vitet e fundit.