1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit: Johnson përgatitet për ndarje pa marrëveshje

16 Tetor 2020

Në mosmarrëveshjen për Brexitin, kryeministri britanik duket se dëshiron të rrezikojë gjithçka. Johnsoni njoftoi se Britania e Madhe po përgatitet për një ndarke pa marrëveshje. Por mbetet një derë e pasme.

https://p.dw.com/p/3k2Jl
Johnson stimmt Großbritannien auf harten Bruch mit EU ein
Fotografi: Downing Street/PA/dpa/picture-alliance

Kryeministri britanik Boris Johnson e ka përgatitur vendin e tij për një dalje të ashpër nga Bashkimi Evropian në 1 Janar. BE qartë nuk ka interes për një marrëveshje të tregtisë së lirë të dëshiruar nga Britania e Madhe, si me Kanadanë, tha Johnson. Prandaj, tani pritet një marrëdhënie si me Australinë, d.m.th. pa marrëveshje.

Njëkohësisht, Johnsoni la të hapur një derë të pasme në mosmarrëveshjen e Brexit për të vazhduar negociatat për një marrëveshje tregtare me BE. Për ta bërë këtë, megjithatë, BE duhet të ndryshojë qëndrimin e tij, tha kryeministri në një deklaratë televizive.

BE pati ofruar negociata të mëtejshme

Johnsoni në fakt pati kërkuar një marrëveshje nga samiti i BE në 15 tetor, por kjo nuk u arrit. Pastaj ai shqyrtoi ndërprerjen e negociatave. Ai nuk komunikoi një vendim të qartë, por njoftoi përgatitjen për shkëputje pa marrëveshje.

Nga ana tjetër, BE i ofroi Johnsonit negociata intensive për dy ose tre javët e ardhshme, me synimin për të arritur një marrëveshje deri në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit. Në të njëjtën kohë, samiti i BE kërkoi koncesione nga Londra, ndaj të cilave qeveria britanike reagoi e zhgënjyer.

Humbje të ndjeshme që tani

Negociatat kanë të bëjnë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare prej vitit 2021. Britania e Madhe u largua nga komuniteti në fund të janarit, por është ende një anëtare e tregut të brendshëm të BE dhe e bashkimit doganor gjatë një periudhe tranzicioni deri në fund të vitit. Vetëm atëherë do të ndodhë shkëputja ekonomike. Pa marrëveshje, ekziston rreziku i doganave dhe i vendosjes së pengesave të larta tregtare.

Ekonomia si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në BE, ka paralajmëruar për deformime të mëdha. Humbjet mund të ndihen që tani.

Tri pika mosmarrëveshjeje në negociata

Në negociatat që kanë vazhduar për muaj me radhë, nuk ka pasur pothuajse asnjë lëvizje për një kohë të gjatë. Pikat kryesore të diskutimit që nga fillimi ishin qasja e peshkatarëve të BE-së në ujërat britanike dhe kërkesa e BE për kushte të barabarta konkurruese në ekonomi, d.m.th. standarde të barabarta mjedisore, sociale dhe përsa u përket subvencioneve.

Në këmbim, Britania e Madhe do të kishte mundësinë të shesë mallra në tregun e brendshëm të BE-së pa detyrime doganore dhe kufizime të sasisë. Pika e tretë e rëndësishme për BE janë rregullat e arbitrazhit, për rastin kur njëra palë shkel marrëveshjen. Kjo pikë ka tërhequr së fundmi vëmendjen, sepse një ligj britanik pritet të anulojë pjesë të marrëveshjes tashmë të vlefshme të daljes nga BE. Kjo ka të bëjë me rregulla të veçanta për pjesën britanike të Irlandës së Veriut. Brukseli reagoi i indinjuar ndaj të ashtuquajturit ligj i tregut të brendshëm.

Votuesit britanikë votuan në vitin 2016 me një shumicë të ngushtë për të dalë nga BE. Johnson fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2019, ndër të tjera, me deklaratën se do ta kryente vërtetë Brexitin.