1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

B-H: Çelja e negociatave me BE si vendim gjeopolitik

24 Mars 2024

Bosnje-Hercegovina ka bërë hapa përpara, por rruga drejt BE është ende e gjatë. Me hapjen e negociatave të anëtarësimit BE donte të jepte një sinjal gjeopolitik, se BH është pjesë e Europës së lirë.

https://p.dw.com/p/4e3Dr
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe drejtuesja e Këshillit Ministror Boshnjak, Borjana Kristo në konferencë për shtyp - Ursula von der Leyen me xhaketë bezhë buzëqesh, edhe Borjana Kristo e qeshur, veshur me xhaketë të zezë
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe drejtuesja e Këshillit Ministror Boshnjak, Borjana KristoFotografi: Elvis Barukcic/AFP/Getty Images

Për pak nuk do të ishte realizuar. Komisioni Europian ia kishte rekomanduar me urgjencë krerëve të shteteve e qeverive në samitin e tyre në Bruksel(21-22.03) të hapnin negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën. Por vetëm të mërkurën parlamenti holandez me një shumicë të ngushtë votoi kundër kërkesës që duhej të ndalte negociatat e anëtarësimit me Bosnjen. Kryetari i qeverisë në detyrë, Mark Rutte mundi të jepte kështu miratimin të enjten në samitin e BE për të arritur vendimin unanim të të 27 vendeve anëtare për hapjen e negociateve me Bosnje-Hercegovinën. Rutte megjithatë theksoi se janë edhe të paktën pesë kushte të tjera që duhet të plotësohen para së të fillojnë formalisht bisedimet. Fillimisht BE me qeverinë e Bosnje-Hercegovinës duhet të nënshkruajë një marrëveshje kornizë për negociatat. Edhe kjo duhet të miratohet unanimisht. Vetëm pas kësaj mund të thirret konferenca e parë qeveritare, në të cilën hapen kapitujt e parë të negociimit që lidhen me shtetin ligjor, ekonominë, arsimin dhe transportin.

Ursula von der Leyen dhe Charles Michel në konferencë shtypi
Hapen negociatat e anëtarësimit me BE - Ursula von der Leyen dhe Charles MichelFotografi: Zhao Dingzhe/Xinhua News Agency/picture alliance

"Ende jo gati, por shumë përpara"

Se sa do të zgjasin hapat e tjerë, varet nga suksesi i reformave të një qeverie mundësisht stabël në Sarajevë, bëri të qartë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Von der Leyen lëvdoi faktin që Bosnje-Hercegovina ka pranuar ndërkohë plotësisht politikën e jashtme të BE. Në drejtim të kontrollit të migracionit, te ligjeve kundër larjes së parave apo kundër financimit të terrorit ky vend ka shënuar ndërkohë arritje konkrete. Kryeministri në detyrë, Mark Rutte i përmblodhi me këtë fjali sukseset e shtetit multietnik të dalë nga Marrëveshje e Paqes së Dejtonit, 1995. "Jo komplet gati, por shumë përpara për t'i filluar negociatat. Por jo ende gati për një marrëveshje kornizë të zgjeruar." Edhe deklarata e samitit mund të lexohej kështu. Në të theksohet, se korniza e negociimit do të vendoset sapo KE të japë dëftesën, se BH përmbush të gjitha kriteret.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e uroi në twitter Bosnje-Hercegovinën. Për të ky hap tjetër që hedh Bosnje-Hercegovina është një sinjal edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që negociojnë me BE, si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. "Ajo që për mua vlen, është që shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të kenë besim tek ne. Premtimi është dhënë që para 20 vjetësh. Tani na duhen hapa të tjerë", tha Scholz në Bruksel. Kosova është tani i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk negocion me BE.

Vendim me karakter simbolik

Diplomatët e BE thonë se për Bosnje-Hercegovinën do të ndryshojnë pak gjëra pas vendimit. Hapi aktual që ndërmori BE ka vetëm një karakter simbolik për t'i sinjalizuar edhe Rusisë, se Bosnje-Hercegovina është plotësisht pjesë e "kampit perëndimor", megjithë përpjekjet e përfaqësuesit të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik për të trazuar situatën.

Borjana Kristo flet pas vendimit për hapjen e negociatave
Drejtuesja e Këshillit Ministror Boshnjak, Borjana KristoFotografi: Armin Durgut/AP Photo/picture alliance

Fqinjët e Bosnjes e kanë uruar vendin. "Vendimi ynë është një mesazh i mrekullueshëm për të gjitha vendet dhe institucionet", tha kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, që e ia mveshi Kroacisë një pjesë të suksesit të Bosnje-Hercegovinës. Në fund të fundit shumica e figurave drejtuese janë kroatë. Kryetarja aktuale e Këshillit Ministror Boshnjak është kroatja etnike, Borjana Kristo. Ajo falënderoi pjesëmarrësit në samitin e BE për vendimin. "Vendosmëria e të gjithëve dhe përpjekjet kanë kontribuar në përmbushjen e kushteve të nevojshme. Ne do të vazhdojmë kështu që puna jonë të kurorëzohet në progres dhe zhvillim për Bosnje-Hercegovinën."

Por Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt e shikon ende të gjatë rrugën që ka përpara ky vend. Për Deutschland Funk ai tha, se demokracia në Bosnje-Hercegovinë është ende mjaft e brishtë, 21 vite pas luftës. Por në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës duhet të transmentohet mesazhi, se Bosnje-Hercegovina është pjesë e Europës së lirë, tha Schmidt.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE