"Çështja e vogël" me Brexitin
22 Gusht 2019Ky qenka burri për të cilin është folur kaq shumë këto ditë në Berlin. Boris Johnson. Gjërat e para zhvillohen si në çdo vizitë kryeministri të huaj. Nderimin ushtarak Johnson dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e ndjekin ulur. Kjo është duke ndodhur prej disa javësh në Berlin, që kur Merkeli pati kaluar dridhje të mëdha gjatë pritjeve zyrtare më këmbë. Johnson, bën çfarë i thotë kancelarja.
Protesta kundër kryeministrit britanik
Para gardhit të ndërtesës së kancelarisë ndodhen shumë vizitorë, të cilët thërrasin me zë të fortë "No Brexit" dhe "gënjeshtar", që dëgjohen edhe në oborr. Pritja miqësore ka tjetër pamje. Pastaj Merkel dhe Johnson japin deklarata të përbashkëta. Një zakon që ka kohë që ndiqet në Berlin. Shtypi informohet para zhvillimit të bisedimeve. Se si janë zhvilluar në fakt bisedimet nuk thuhet. Salla në katin e parë të zyrës së kancelares është e mbushur me gazetarë. Merkeli dhe Johnson mundohen të tregohen miqësorë.
Johnson thotë: "Ne do ia dalim mbanë" - në gjermanisht
Merkel shpjegon: "Ne si palë gjermane kemi thënë shpesh se na vjen keq për daljen nga BE, por ky është një fakt". Gjermania preferon që dalja e Britanisë së madhe nga BE, "të bëhet me marrëveshje", megjithatë është e përgatitur edhe për një Brexit pa marrëveshje. Johnson merr fjalën këtu duke numëruar se tek të drejtat e njeriut, ndryshimi i klimës, anëtarësia në NATO, vlerat janë të përbashkëta.
Megjithatë, thotë Johnson, ekziston "një çështje vogël" e me Brexitin. Ai do që dalja e vendit të tij nga BE të bëhet me marrëveshje, thotë Johnson duke shtuar në gjermanisht: "Wir schaffen das!" ("Ne do ia dalim mbanë!"). Këtë shprehje Merkeli e pati përdorur katër vjet më parë, pas ardhjes së rrymave të mëdha të refugjatëve. Sot, kjo fjali ka mbetur fjalia më e njohur e Merkelit gjatë kohës që ka qenë në pushtet. Të dy, Merkel dhe Johnson flasin për alternativa të mundshme për të dalë nga qorrsokaku. Po cilat janë këto alternativa nuk bëhet e qartë.
Të mërkurën në Berlin, të enjten në Paris
Vëzhgues në Londër patën shprehur shqetësimin, se qëllimi i udhëtimit të Johnsonit në Berlin dhe Paris është që t'ia lejë fajin europianëve për ndonjë Brexit, që mund të jetë pa marrëveshje. Nga burime të tjera thuhet se Johnson, beson se do jetë në gjendje më shumë të bindë kancelaren Merkel, por jo presidentin francez Emmanuel Macron. Por edhe Merkeli pati bërë të ditur ditën e martë gjatë një vizite në Islandë se: "Ne sigurisht që do të vrasim mendjen për zgjidhje praktike. Por për këtë nuk do të hapim nga e para marrëveshjen e daljes."
Johnsoni e ka hallin tek rregullat për kufirin irlandez
Johnson e ka hallin në këtë raund bisedimesh për të ashtuquajturën "Backstop". Ky rregull, që është pjesë e marrëveshjes me BE, parashikon që pas daljes nga BE, Britania e Madhe të qëndrojë në një union doganor me Bashkimin Europian, deri sa të gjejë një zgjidhje për problemin kufitar me Irlandën, një vend anëtar i BE dhe Irlandës së Veriut, që është pjesë e Britanisë së Madhe. Johnson e quajti këtë rregull "jodemokratik".
Por për shtetet e BE është shumë e rëndësishme mbrojtja e Irlandës. Frika është se nëse dalja e Britanisë bëhet pa marrëveshje, atëherë midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut do të ngrihen sërish barrikadat. Sidoqoftë Merkel thotë se aty ku është vullneti "mund të gjendet edhe një zgjidhje për Backstop-in, mbase në 30 ditët e ardhshme", pra para datës së daljes nga BE më 31 tetor.
Zëvendëskancelari Olaf Scholz: Kurrkush nuk duhet të presë ndryshime
Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari Olaf Scholz nga socialdemokratët u dëgjua të fliste më ashpër të mërkurën: "Ne kemi përgatitur një marrëveshje dhe kurrkush nuk duhet të presë që tek rregullat e vendosura në të të bëhen ndryshime".
Presidenti Frank-Walter Steinmeier foli pa doreza për Brexitin. Zakonisht ai nuk përzihet në politikën e ditës. Steinmeier tha të mërkurën: "Të gjitha variantet që mund të propozohen tani kanë qenë objekt i bisedimeve të mëparshme". Ai tha, se ka përshtypjen se tek Johnsoni çështja kryesore është "kush e ka fajin".
Qytetarët e Berlinit nuk duan Brexit
Në sheshin "Pariser Platz" para Portave të Brandenburgut, që ndodhet afër zyrës së kancelares, bëhet e qartë çfarë mendohet për Boris Johnsonin dhe Brexitin: "Unë shpresoj që faktikisht të mbetemi siç jemi tani. Unë mendoj se kjo është më mirë për Europën, thotë një burrë. Një grua e moshuar kujton, se Europa ka kaluar ditë më të mira dhe thotë: "Nuk mund të shpërbëhet sërish ajo çka na ka bërë bashkë në ditë të vështira".
Një grua e zemëruar kërkon që europianët të mos dorëzohen: "Do ishte e kotë nëse do dorëzoheshim para Johsnonit. Unë nuk do shkoja më në votime." Por në moment duket se 27 vendet e BE janë të përçara. Kështu që më 31 tetor pritet më shumë që Brexiti të bëhet pa marrëveshje.