1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE do të diskutojë për sanksione ndaj Bjellorusisë

12 Gusht 2020

Lajmi për takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të BE të premten vjen pas dhunës në rritje prej zgjedhjeve në Bjellorusi. Zyrtarët atje kanë konfirmuar se kundër protestuesve janë përdorur armë zjarri.

https://p.dw.com/p/3gr0t
Minsk Protest Wahlbetrug Frauen
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Gapon

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të premten për të diskutuar situatën në Bjellorusi, njoftoi të mërkurën kryediplomati i BE, Josep Borrell.

Sundimtari i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko është rizgjedhur si president në mes të protestave për falsifikime të zgjedhjeve nga opozita.

Duke folur për DW, Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius tha se shpresonte në takimin e së premtes do të jenë në tryezë të gjitha opsionet, përfshirë edhe sanksionet.

"Unë thjesht mund të shpresoj se ai [Lukashenko] do të tregojë vëmendje," tha Linkevicius. "Ai nuk mund të qëndrojë në këtë botë iluzionesh, duke menduar se ka mandat të veprojë si ka vepruar në tri netët që kanë kaluar nga zgjedhjet dhe kjo dhunë në rrugë duhet të ndalet."

Minsk Proteste Wahlbetrug Polizei Demonstranten
Fotografi: Reuters

Duke konfirmuar ftesën e saj, Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde i tha radios suedeze se çështja e sanksioneve të mundshme kundër Bjellorusisë do të jetë një nga temat që do të diskutohen.

"Unë mendoj se duhet të konsiderojmë zgjerimin e sanksioneve kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve (dhe) për mashtrimet zgjedhore - për të gjithë të përfshirët në procesin zgjedhor, që nuk ka rezultuar i lirë dhe i drejtë," tha Linde.

Bjellorusia nuk është anëtare e BE, por ajo ka një marrëdhënie bilaterale me Brukselin.

Protesta të dhunshme

Njoftimi për mbledhjen e jashtëzakonshme vjen pasi Bjellorusia përjetoi një natë të tretë protestash kundër mandatit të gjashtë të Lukashenkos.

Ministria e Brendshme Bjelloruse tha të mërkurën janë arrestuar më shumë se 1.000 protestues, ndërsa 51 demonstrues dhe 14 oficerë të policisë janë plagosur gjatë natës. Policia tha që kishte përdorur armë zjarri në një qytet jugor. Të paktën një protestues është vrarë që prej shpërthimit të protestave të hënën.

Weißrussland Minsk Proteste Wahlen Verletzte
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Lukashenko i fitoi zgjedhjet me 80% të votave, sipas rezultateve paraprake të cituara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Rivalja e tij më e afërt, Svetlana Tikhanovskaya, raportohet se fitoi vetëm 9.9% të votave, megjithëse mitingjet e saj në fushatë tërhoqën mijëra vetë.

Opozita thotë se zgjedhjet ishin të falsifikuara, dhe Tikhanovskaya që atëherë ka ikur në Lituani, duke thënë se e bënte këtë për hir të fëmijëve të saj.

"Ne po mundohemi t'i ndihmojmë ata që janë të ekspozuar ndaj rrezikut dhe po përpiqen të jenë aktivë, duke u përpjekur të grumbullohen, të konsolidojnë pozicionin evropian, duke biseduar me kolegët në rajon, duke u përgatitur për këtë mbledhje këshilli," i tha Ministri i Jashtëm i Lituanisë Linas Linkevicius për DW.

Në takimin e së premtes do të diskutohet gjithashtu për tensionet në Mesdheun lindor, në kuadër të përpjekjeve të Turqisë për të siguruar burime në ujërat e kontestuara territoriale. Do të diskutohet edhe për zhvillimet në Liban, që po shket më tej në kaos politik pas shpërthimit shkatërrues të së martës së kaluar në kryeqytetin Bejrut.

aud/tj (AFP, Reuters)