Bisedimet në Bruksel për listat e votuesve serbë
1 Tetor 2013Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, të prira nga Edita Tahiri dhe Veljko Odaloviq, po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, për listat e serbëve të regjistruar në Serbi, për të cilët thuhet se kanë të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme lokale, më 3 nëntor. Me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian do të bisedohet edhe për përgatitjet e tjera të zgjedhjeve lokale.
Pala serbe ka dërguar në Kosovë një listë prej 39.000 personave, për të cilët thuhet se janë shpërngulur nga Kosova dhe kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka pranuar si të vlefshme vetëm emrat e 1200 personave.
Pala serbe kërcënon me rishikimin e vendimit
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri Ivica Daçiq kanë kërkuar nga OSBE-ja që të rishikojë këto lista dhe që ato të merren parasyshë për votimet e ardhshme. Nikoliq tha se Serbia do të rishikojë edhe një herë vendimin e saj për t'i bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, "në qoftë se nuk plotësohen të gjitha kushtet demokratike për zgjedhje".
Lidhur me këto çështje, presidenti serb ka biseduar gjatë qëndrimit të tij të fundit në Nju Jork edhe me të ngarkuarën e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton. "Nëse nuk plotësohen kushtet demokratike dhe nëse serbëve që kanë të drejtë të votojnë u mohohet kjo e drejtë, atëherë Serbia do ta rishikojë vendimin për pjesëmarrjen në këto votime", deklaroi Nikoliq. Ndërsa baronesha Ashton ka kërkuar që palët të angazhohen për një pjesëmarrje sa më masive të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Të premten fillon fushata elektorale
Kryeministri i Serbisë Daçiq u shpreh se Serbia i ka nisur përgatitjet për fushatën elektorale dhe se qëllimi i saj është menjanimi i të gjitha parregullsive në listat e zgjedhësve serbë me të drejtë vote në Kosovë. Beogradi e ka mbështetur listën serbe dhe shpreson se në zgjedhje do të dalin sa më shumë serbë. Por përfaqësuesit e opozitës në Serbi e kanë kritikuar qeverinë "se po ushtron dhunë ndaj serbëve në Kosovë, duke i detyruar ata që të marrin pjesë në zgjedhje". Partia Demokratike e Serbisë kumtoi se me daljen në zgjedhjet e Kosovës shkelet Kushtetuta e Serbisë.
Për zgjedhjet lokale në Kosovë janë paraqitur 105 subjekte politike - 33 parti politike, dy koalicione, 53 inciativa qytetare dhe 15 kandidatë të pavarur. Një e treta e numrit të përgjithshëm të kandidatëve janë serbë. Fushata parazgjedhore fillon të premten me 4. tetor dhe do të përfundojë me 1 nëntor, kur fillon heshtja parazgjedhore.