Biografia e re e Angela Merkelit
15 Maj 2013Zbulime befasuese, apo gjëra të njohura? Mes këtyre ekstremeve luhaten përshtypjet mbi librin e ri për Angela Merkelin. Dy autorët Georg Reuth dhe Günther Lachmann në biografinë "Jeta e parë e Angela M." hedhin një vështrim në një periudhë të ndjeshme të karrierës së politikanes së lartë. Bëhet fjalë për kohën e saj në RDGJ, ku ajo duhet të ketë bërë "agjitacion dhe propagandë" për FDJ, organizatën e rinisë komuniste. Asgjë e jashtëzakonshme për një biografi nga DDR, por që mbi kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë hedh një hije irrituese.
Libri 336 faqesh, që botohet katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, synon të mbushë boshllëqet informative, që kanë lënë të hapura biografitë e mëparshme të Angela Merkelit, thotë Lachmann në një intervistë me Deutsche Welle. Dhe këtu bën pjesë edhe pyetja, nëse Merkel ka qenë sekretare e FDJ për propagandën apo jo.
Qeveria gjermane megjithatë nuk sheh në të ndonjë zbulesë spektakolare. Merkel që në vitin 2005, në një libër intervistë me titullin "Rruga ime" është shprehur në mënyrë të detajuar dhe shumë personale lidhur me këtë çështje. "Jua rekomandoj ta lexoni", tha zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter.
Autori Lachman ka tjetër mendim. Në "Rruga ime" Merkel pohon vetëm se nuk mban mend, nëse ka bërë agjitacion dhe propagandë. Por ai thotë se ka prova. "Ka dy dëshmitarë," thotë Lachman. Fjala është për miq të mirë, me të cilët Merkel atëherë bashkëpunonte ngushtë dhe me të cilët ka kaluar shumë kohë së bashku. Të dy kanë qenë sekretarë të FDJ-së në Akademinë e Shkencave. Edhe një tjetër pozitë e kancelares së sotme paraqitet në librin e ri: Ajo ka bërë pjesë edhe në kryesinë e sindikatës (BGL), duke qenë e ngarkuara për punën me rininë.
Cfarë ndikimi ka një sekretare e FDJ-së?
Mekanizmat politike dhe kausalitetet në RDGJ funksiononin sipas rregullave të veta, kështu që mbulimi i një posti zyrtar mund të keqkuptohet sot, thotë Klaus Schroeder, drejtues shkencor i shoqatës kërkimore për RDGj-në në Universitetin e Lirë të Berlinit, në një intervistë me DW.
"Anëtarësia në FDJ dhe marrja e postit nuk do të thonë gjë." Ka qenë fundja si një detyrim social për t'u angazhuar, edhe në kuadër të organizatës së rinisë. Por sekretar i FDJ për agjitacion dhe propagandë tingëllon gati, sikur Goebbels të vegjël të jenë në veprim”, thotë studjuesi i RDGJ-së.
Në fakt anëtarët kishin detyrë të përhapnin tek studentët buletinin e FDJ-së dhe të organizonin aktivitete. Cdo rast duhet parë konkretisht, por kjo është në fakt një banalitet. Edhe nga fakti, që Merkel kishte dhe një post në sindikatën BGL, nuk mund të nxirren vlerësime, thotë Schroeder. “Edhe ky është një funksion, që e kanë ushtruar qindramijëra në RDGj.”
Vendimtare në vlerësimin e ideologjisë dhe angazhimit politik të Merkelit është më tepër fakti, që ajo nuk u bë anëtare e SED si dy milionë qytetarë të tjerë: "Që të tërhiqeshe nga të gjitha angazhimet, nuk ka qenë e mundur në RDGJ". Nga populli gjithmonë është kërkuar që të jetë aktivë në një organizatë mase. "Por pragu në hapësirën politike është tejkaluar, kur je bërë anëtarë i SED, apo i një partie tjetër të bllokut.”
"Unë nuk do të kisha bërë shumë interpretime“
Por në fund të fundit se çfarë do të thotë kjo dhe se si i ushtronte Merkeli detyrat dhe çfarë pasojash kishte kjo për të tjerët, këtë Lachmann dhe Reuth nuk ua sqarojnë lexuesve të tyre dhe as vetes. "Nuk ka asnjë informacion, nëse Angela Merkel ka patur influencë ideologjike apo jo. Ne vetëm dimë se ajo ka qenë anëtare dhe se çfarë përgjegjësie ka patur", thotë Lachman.
pikërisht këto informacione janë vendimtare për të kuptuarit e rrethanave të parashtruara, sidomos për njerëzit, që kanë patur të bëjnë pak me sistemin e RDGj-së.
A duhet të tregojë Merkel më shumë për vetveten?
Të dy autorët do të kishin dëshirë që t'i kishin marrë informacionet nga kancelarja personalisht. "Në këtë kontekst nuk është aq e rëndësishme, nëse ajo ka qenë sekretare për agjitacion dhe propagandë", thotë Lachmann, "thelbësorja është se ajo i ka fshehur gjërat.“
Mos ka rrëfyer jo sa duhet për veten Merkel si bartëse e një posti të lartë publik? Në mbledhjen e të dhënave për librin ka mbetur pa përgjigje së paku një listë më pyetje drejtuar zyrës së kancelares, thotë Lachmann. Zëdhënësi i qeverisë Streiter ."Unë nuk do të bëja këtu shumë interpretime, sepse shumë njerëz, të cilët shkruajnë një libër për kancelaren dhe i shtrojnë asaj pyetje, zhgënjehen pak."
Vetë Angela Merkel kohët e fundit ka theksuar edhe një herë qëndrimin e saj të hapur lidhur me të kaluarën në Gjermaninë Lindore. Ajo kurrë nuk ka fshehur gjë, por ndoshta disa gjëra nuk i ka treguar, sepse kurrë nuk është i është kërkuar. Biografja e mëparshme e Merkelit Jacqueline Boysen sheh këtu ndoshta një reagim prej përvojës negative të Merkelit: "Një herë ajo është përpjekur shumë hapur të tregojë një histori nga koha e RDGj-së para organizatës së rinisë së Unionit Kristian Demokrat, CDU. Por u keqkuptua krejtësisht." Një arsye e mundshme për tërheqjen e saj.
Zbulimet e librit të ri Boysen i sheh me sy kritik: "Më duket disi absurde, që rikthehet gjithmonë kjo histori dhe është e dukshme, se nuk ka asgjë të re. Nuk ka asnjë arsye për irritim publik: Fjala "zbulime" është shumë e ekzagjeruar.”