1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Bierhoff: Özil vazhdon të heshtë

12 Qershor 2018

Menaxheri i kombëtares gjermane Oliver Bierhoff thotë se Mesut Özil do të vazhdojë të heshtë për aferën e fotografimit me presidentin turk Erdogan. Veprimi i Özilit dhe Gündoganit cilësohet si naiv dhe i pamenduar.

https://p.dw.com/p/2zNRF
Erdogan mit Özil (picture-alliance/dpa/Uncredited/Presdential Press Service)
Fotografi: picture-alliance/dpa/Presidential Press Service

Oliver Bierhoff, menaxheri i kombëtares gjermane në futboll, mendon se lojtari i kombëtares gjermane Mesut Özil do të vazhdojë të heshtë lidhur me aferën e takimit dhe fotografimit të tij dhe të Ilkay Gündoganit me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, në prag të Kampionatit Botëror 2018 të futbollit në Rusi. "Ky është vendimi i tij dhe besoj se ai nuk do ta shkelë këtë vendim", thotë Bierhoff për gazetën "Bild". Federata Gjermane e Futbollit (DFB) do të dëshironte gjithmonë të ketë futbollistë që e thonë mendimin e tyre. Por kjo do të thotë se ata duhet edhe të marrin përgjegjësinë për deklarata publike dhe veprimet e tyre në opinion. Nëse Mesuti në këtë rast ka vepruar mirë apo jo, këtë duhet ta vendosin të tjerët. Pasojat janë të njohura dhe lojtarii janë bërë të njohura qëndrimet e DFB dhe shtabit drejtues të kombëtares.

Kritikat e Rauball

Parimisht Bierhoff i ka marrë nën mbrojtje lojtarët Özil dhe Ilkay Gündogan, të cilët iu përgjigjen ftesës së presidentit turk Erdogan, u takuan dhe pouan me të gjatë qëndrimit të tij në Londër. Kjo është kuptuar në opinion si mbështetje e fushatës elektorale të Erdoganit, i cili në shumë qarqe në Gjermani nuk shikohet me sy pozitiv, për shkak të stilit të tij të qeverisjes. "Ata të dy kanë bërë një gabim. Por për ne është me rëndësi qëllimi, e qëllimi nuk ka qenë keqdashës dhe politik, por naiv dhe i pamenduar deri në fund", thotë Bierhoff.

Presidenti i Ligës gjermane të futbollit (DFL) Reinhard Rauball e ka kritikuar DFB dhe lojtarët. Bierhoff thotë se ai nuk ka mirëkuptim për këto kritika. "Deklarimet publike të një anëtari të delegacionit tonë më kanë irrituar pak. Asnjë njeri nuk është i pagabueshëm", thotë ai. "Si përgjegjës për një ekip duhet të merren parasysh shumë faktorë para se të merret një vendim. Gjërat nuk mund të vlerësohen nga jashtë". Rauball ka kritikuar krerët e DFB me fjalët se "e kanë nënvlerësuar" këtë problem.

Udhëtimi në Moskë

Bierhoff shpreson se fishkëllimat dhe protestat e dëgjuara në provën e fundit të kombëtares gjermane, kundër Arabisë Saudite në Leverkusen, nuk do të dëgjohen edhe në Rusi. Ai shpreson se tifozët do të kenë qëndrime pozitive ndaj të gjithë lojtarëve. Ai mendon se ky nuk është shkaku i paraqitjeve të dobëta të fundit të kombëtares gjermane. "Unë në përgjithësi nuk shqetësohem shumë për ekipin, por për këta dy lojtarë. Kjo çështje i ka ngarkuar shumë Mesutin dhe Ilkay", thotë Bierhoff. Por ai beson se lojtarët nuk do të tërhiqen nga kombëtarja dhe se trajneri Joachim Löw nuk do të heqë dorë nga këta dy lojtarë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar në një intervistë për ARD këtë të dielë se Özil dhe Gündogan "nuk e kanë pasur parasyshë se çfarë mund të shkaktojë një fotografi e tyre me presidentin Ergodan."