1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
ShëndetiAmerika e Veriut

SHBA kampione në vaksinim

8 Prill 2021

Ndërsa shumë gjermanë dyshojnë se do të kenë një ofertë për vaksinim deri në shtator, SHBA po e tejkalon vetveten. Brenda dy javësh të gjithë të rriturit do të kenë një ofertë për vaksinim.

https://p.dw.com/p/3reze
USA Coronavirus - Ansprache Joe Biden zur Covid-19 Impfung
Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Presidenti i SHBA Joe Biden vëri të ditur në Shtëpinë e Bardhë se të gjithë të rriturit në Amerikë mund të vaksinohen deri me 19 prill - pavarësisht nga mosha, profesioni dhe sëmundjet e mundshme të mëparshme. Në të njëjtën kohë, Biden përsëri i bëri thirrje popullatës që të ketë kujdes dhe të respektojë masat në luftën kundër pandemisë. Më parë presidenti kishte vënë si pikësynim për vaksinimin e grupeve të rrezikuara datën 1 maj. Por vaksinimi në SHBA po shkon me një shpejtësi shumë më të madhe nga sa është menduar. Biden e vlerësoi shumë punën e guvernatorëve të 50 shteteve të SHBA-së në këtë drejtim.

"Fushata e shpejtë e vaksinimit"

"Fushata jonë e vaksinimit po zhvillohet me shpejtësi", tha Biden. SHBA është vendi i parë që ka dhënë 150 milionë vaksina, ndërsa plotësisht janë vaksinuar rreth 63 milionë njerëz. "Ne vaksinuam më shumë vetë se çdo komb tjetër në botë", tha presidenti.

USA Coronavirus - Covid-19 Impfung in Oakland
Qendër vaksinimi në OaklandFotografi: Pat Mazzera/SOPA Images/ZUMA Wire/picture alliance

Kohët e fundit, mesatarisht janë vaksinuar rreth tre milionë njerëz në ditë, e të shtunave madje deri në katër milionë. Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në dhjetor, më shumë se 108 milionë vetë kanë marrë të paktën një dozë vaksine, më shumë se 63 milionë prej të cilëve janë imunizuar plotësisht kundër virusit Corona. Kjo do të thotë që 42 përqind e popullsisë së rritur dhe 76 përqind e atyre mbi 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë.

Biden kërkon kujdes

Përparimet e shpejta të vaksinimeve kanë rritur shpresat e amerikanëve për një kthim të shpejtë në normalitet. Por qeveria dhe ekspertët janë të shqetësuar nga rritja sërish e numrit të personave të infektuar javët e fundit. Ata kanë frikë nga variantet e reja të virusit dhe zbehja e kujdesit të njerëzve.

Biden paralajmëroi, se shumë njerëz po besojnë se "ne tashmë kemi arritur në vijën e finishit". Por nuk është kështu: "Ne jemi akoma në një garë kundër virusit dhe po luftojmë për jetë ose vdekje". Njerëzit duhet të vazhdojnë të lajnë duart, të mbajnë maska ​​mbrojtëse dhe të mbajnë distancën nga të tjerët, tha presidenti. Gjatë një vizite në një qendër vaksinimi në Virginia, Biden u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejtë.

Në SHBA kanë vdekur nga Corona më shumë se 556.000 vetë, ndërsa janë infektuar më shumë se 30.800.000 syresh. Këto janë shifrat më të larta në botë.

Heqja e kufizimeve

Shumë vende të SHBA-së kanë pezulluar ndërkohë një pjesë të kufizimeve. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom paralajmëroi të martën (06.04) shfuqizimin e masave deri me 15 qershor. Por kjo mund të realizohet vetëm nëse fushata e vaksinimit vazhdon të përparojë.

Corona Impfzentren in den USA
Fotografi: Win McNamee/Getty Images

"Tani mund të fillojmë të planifikojmë jetën tonë pas pandemisë", tha politikani nga Partia Demokratike e Bidenit. "Drita në fund të tunelit nuk ka qenë kurrë më e fuqishme." Kalifornia ishte shteti i parë amerikan që aplikoi një lockdown të plotë në mars 2020.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar deri tani propozimet për një certifikatë vaksinimi. Zëdhënësi i Biden, Jen Psaki tha se qeveria nuk mbështet një "sistem" që u kërkon qytetarëve të kenë një certifikatë vaksinimi. "Në nivelin e shteteve nuk do të ketë ndonjë bazë të dhënash për vaksinimet. Nga qeveria federale nuk do të ketë ndonjë urdhër që të gjithë duhet të kenë me vete ndonjë certifikatë vaksinimi."

Vaksinat për vendet e varfëra

Kur flitet për furnizimin e vendeve të tjera me vaksina, Biden tha se shpreson shumë që para fundit të verës të mund të thotë se SHBA ka më shumë vaksina sesa ju duhen, e kjo ofron mundësinë e furnizimit të vendeve të tjera të varfra. Pa pasur vaksina në mbarë botën, nuk mund të thuhet se virusi është mundur. "Pa u realizuar ky synim, nuk mund të jemi plotësisht të sigurt", tha Biden. Qeveria amerikane e ka shpallur si prioritet vaksinimin e popullsisë së vet. Presidenti Biden është akuzuar se po vazhdon doktrinën e Trumpit "America First" dhe se kjo doktrinë u ka pamundësuar vendeve të varfëra që të furnizohen me vaksina.

bc/bri/fab (afp, dpa)