1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden: Armëpushimi në luftën e Gazës tepër afër

17 Gusht 2024

Edhe pse marrëveshja përfundimtare për armëpushim në Rripin e Gazës nuk është nënshkruar ende, negociatorët e Lindjes së Mesme kanë nisur përgatitjet për zbatimin e saj.

https://p.dw.com/p/4jZRA
Demonstrate pro-palestineze kunder ofensives ne Rafah
Marrëveshja përfundimtare për armëpushim në Rripin e Gazës në prag të nënshkrimitFotografi: Michael M. Santiago/Getty Images

Bisedimet për armëpushim në luftën në Rripin e Gazës duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare. Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, qëndron sot (17.08) personalisht nëIzrael për të vazhduar "përpjekjet intensive diplomatike" atje, tha zëdhënësi i ministrisë Vedant Patel. Qëllimi është që të arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila është e nevojshme për të gjitha palët në rajon në mënyrë që patjetër të shmanget përshkallëzimi i gjendes në Lindjen e Mesme.

Netanjahu falënderon Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpreson tek presioni i ndërmjetësve për t'i çuar në përfundim bisedimet për armëpushim në Gazë me Hamasin. Në një deklaratë ai falënderoi Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të bindur islamistët që të heqin dorë nga refuzimi i një marrëveshjejes për pengjet.

Antony Blinken dhe Benjamin Netanjahu
Antony Blinken dhe Benjamin Netanjahu Fotografi: Amos Ben-Gershom/GPO/dpa/picture alliance

Izraeli shpreson se presioni i tyre do ta bindë Hamasin të pranojë propozimet e bëra në fundit të majit në mënyrë që detajet e marrëveshjes të mund të fillojnë të zbatohen.

Përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes ndërkohë kanë nisur

Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve AP negociatorët e Lindjes së Mesme kanë nisur madje përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit për Rripin e Gazës edhe para arritjes së marrëveshjejes përfundimtare. Propozimi aktual për marrëveshjen mbyll thuajse çdo çështje të mbetur hapur mes Izraelit dhe Hamasit, tha një burim i mirëinformuar për statusin e negociatave.

Tel-Aviv: Protestë pro marrëveshjejes për pengjet
Tel-Aviv: Protestë pro marrëveshjejes për pengjetFotografi: Mostafa Alkharouf/Anadolu/picture alliance

Sipas burimit në Kajro është ngritur tashmë një grup i posaçëm pune që merret me çështjet logjistike lidhur me zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit. Sipas burimit, bëhet fjalë për lirimin e pengjeve të militantëve islamikë Hamas, për ndihma humanitare për banorët e Rripit të Gazës dhe për mbikqyrjen e respektimit të marrëveshjes.