Berlinalja e 65-të: Art dhe artificialitet në Berlin
8 Shkurt 2015E akullt nisi Berlinalja e 65- të, me një grua në Polin e Veriut, por të premten pasoi një program tërësisht kontrastes. Sërish një grua që udhëton në zona të pashkelura, por të nxehta, sërish një figurë historike në ekranin e kinemasë që tërheq një artist filmi. Këtë herë regjisorin gjermani Werner Herzog, i cili në filmin "Mbretëresha e shkretëtirës" portretizon historianë britanikë dhe shkrimtaren Gertrude Bell, një arkeologe që më pas u bë e famshme si punonjëse e shërbimit sekret britanik në Lindjen e Afërt. Regjisori gjerman në "Mbretëresha e shkretëtirës" angazhon vërtet aktorë të njohur botërorë, filmi paraqitet në Berlinale si kontribut amerikan.
Berlinalja me gra të zonja
Një britanike nga shoqëria e lartë shëtit nëpër botë, e motivuar nga pasioni për të zbuluar gjëra të reja dhe dëshira për t'u emancipuar nga roli i saj si femër. Herzog përdor si skenë të parë një episod nga veprimtaria e Gertrude Bells në vitet para shpërthimit të Luftës së I Botërore. Kanë qenë këto figura femrash që e bënë drejtorin e Festivalit, Dieter Kosslick të fliste për një Berlinale " të grave të zonja". Që historia e grave të zonja nuk do të thotë patjetër edhe filma të arrirë, këtë e tregoi edhe filmi i Werner Herzogut.
Nicole Kidman në shkretëtirë
Në rolin kryesor luan aktorja e njohur, Nicole Kidman e cila shëtit nëpër shkretëtirat e Lindjes së Afërt dhe të Mesme, ku takon burra që bien viktimë e bukurisë së saj ndër ta edhe edhe James Francon. "Mbretëresha e shkretëtirës" është si një film historik i dekadave të shkuara. Britanikët paraqiten aty të ftohtë dhe gjuhëshpatë, ndërsa princët e fiseve arabe si dredharakë dhe naivë. Në mesin e kësaj bote burrash dhe pushtuesish arrin të mbijetojë Gertrude Bell - Nicole Kidman përkundër të gjitha pengesave. Ka të ngjarë që regjisori Werner Herzog donte t'i ngrinte një monument filmik zonjës së guximshme, BEll, por filmi është një spektakël i lodhshëm historik me panorama të bukura shkretëtire dhe dialogë të mësuar përmendësh. Risia më e bukur është se ky film u relizua nga Herzog - një regjisor që i njeh në detaj shumë rajone të botës, dhe ka kontribuar jo pak për të zbuluar humnerat e shpirtit njerëzor. Megjithatë kjo nuk e shpëton filmin nga artificialiteti.
Gertrude Bell braktis vendlindjen e saj Anglinë dhe merr rrugën për në Teheran, aty ku zhvillohen edhe ngjarjet e filmit "Taxi" të regjisorit iranian Jafar Panahi. Filmi i Panahit nuk mund të kuptohet pa njohur historinë e jetës së vetë regjisorit, që bën filma nga mesi i viteve 90-të dhe shumë shpejt u vu në shënjestër të rojeve të revolucionit. Filmat si "Rrethi" dhe "I përjashtuar" e izoluan regjisorin që e vinte gishtin në plagët e shoqërisë iraniane duke përshkruat nevojat dhe dëshirat e bashkëkombasve të tij.
Punë pa pushim megjithë ndalimin e profesionit
Konflikti mes shtetit dhe artistit kulmoi në vitin 2010 kur Panahi u dënua me gjashtë vjet burg, dënim që vetëm pas protestave ndërkombëtare nuk u bë realitet. Pas kësaj regjisorit iu ndalua ushtrimi i profesionit për 20 vjet, një ndalim ky që nuk ndiqet aq rreptësisht. Panahi nuk lejohet të udhëtojë jashtë, megjithatë ai nuk lejon t'ia marrin mjetin e punës - filmin. "Me kinemanë unë shprehem, është jeta ime", thotë ai. "Megjithë kufizimet në këtë mbyllje të brendshme nevoja për të të bërë filma kthehet në një frymëzuese gjithnjë e më të madhe". Para dy vitesh një film i Panahit "Perdja e mbyllur" u nderua me Ariun e Argjendtë. Në këtë Berlinale shfaqet filmi i tij "Taxi".
Art i vërtetë filmik
Si "Perdja e mbyllur" edhe "Taxi" është një xhevahir i përmasave të vogla. Spektatori shoqëron regjisorin dhe shoferin e taksisë në makinë në një udhëtim nëpër qytet. Disa pasagjerë e njohin regjisorin e ndaluar. Me labirintin e rrugëve të kryeqytetit ai nuk njihet aq mirë, por nga klientët nuk merr para për shërbimin e taksisë. Art filmik me mjete të vogla. Në taksi është fiksuar një kamera që tregon pasagjerët pa ndërprerje: Një tregtar videosh ilegale, një avokate, një vajzë e vogël, dy gra të moshuara që transportojnë një peshk akuariumi e shumë të tjerë. Bisedat mes shoferit dhe pasagjerëve rrotullohen rreth politikës dhe fesë, prekin edhe tema të së përditshmes.
Panahi e lë të hapur për spektatorin nëse pasagjerët janë aktorë apo vërtet klientë. Filmi ka humor dhe origjinalitet. Madje edhe moszbulimi i sekretit mes fiktives dhe reales të ndjell për meditime filozofike. Një automjet, një regjisor, një grusht aktorësh, një kamera e thjeshtë digjitale - Panahi nuk ka nevojë për më shumë për të rrëfyer për vendin e tij. Këtu qëndron arti i vërtetë filmik.