1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin: Hapet rruga për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

20 Janar 2020

Me ndërhyrjen e SHBA, të hënën, 20.01.20, u nënshkrua në Berlin dokumenti i dakordësimit mes Lufthansës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës për një linjë ajrore të drejtpërdrejtë Prishtinë - Beograd.

https://p.dw.com/p/3WUj6
Berlin US Botschaft | Pressekonferenz zu Direktflügen zwischen Serbien und Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Është vetëm dokumenti i dakordësimit, por një hap i parë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në fushën e qarkullimit ajror mes Prishtinës dhe Beogradit. Të hënën (20.10)kompania ajrore gjermane, Lufthansa, nënshkroi me dy drejtorët e autoriteteve përkatëse të dy shteteve, një dokument, për të rihapur linjën e parë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. Ceremonia u zhvillua në prani të medias në mjediset e ambasadës së SHBA-së në Berlin.

Normalizim ekonomik

Për Richard Grenell-in, ambasadorin amerikan në Berlin dhe njëherazi i ngarkuari i administratës së Trump-it për për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, ky siglim është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve tregtare që nënvizon edhe njëherë qasjen e administratës së Trumpit në politikën e jashtme: "Ne duam t'i anashkalojmë çështjet politike dhe të përqendrohemi te zhvillimi ekonomik. Kjo është edhe ajo që e karakterizon administratën e Trump-it", shpjegoi Grenell para gazetarëve. Ai shtoi se ka qenë dëshirë e komunitetit të biznesit në Serbi dhe Kosovë që të normalizohen strukturat tregtare, çka nuk mund të bëhej pa pasur një linjë të drejtpërdrejtë ajrore. "Ne donim pikërisht të mundësonim një lidhje të drejtpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, për herë të parë pas 21 vitesh në mënyrë që të hapim shanse pune për të rinjtë nëpërmjet zhvillimit ekonomik", tha Grenell.

Berlin Unterzeichnung eines Abkommens zwischen Kosovo und Serbien über Luftverkehrsdienst mit Richard Grenell in US Botschaft
Fotografi: DW/Anila Shuka

I pranishëm në ceremoni ishte edhe këshilltari i presidentit amerikan për çështjen e sigurisë, Robert C. O'Brien, i cili u tha dy përfaqësuesve të qeverive përakatëse t'u transmetonin presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Vuçiç dhe Thaçi, edhe përshëndetjet e presidentit Trump. O'Brien kishte ardhur në Berlin së bashku me ministrin e Jashtëm Mike Pompeo për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për Libinë, zhvilluar një ditë më parë në Zyrën e Kancelares, Angela Merkel.

Lufthansa do të jetë e para

Që Lufhansa do të jetë linja e parë ajrore që do të rilidhë Prishtinën dhe Beogradin, kjo ka të bëjë ndër të tjera edhe me faktin, që Eurowings, kompania bijë e gjigantit gjerman, është e pranishme që tani me fluturime në Prishtinë dhe Beograd. "Ne si Lufhansa jemi shumë krenarë të mbështesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gëzohemi që po bashkojmë njerëzit me njëri tjetrin dhe ekonomitë e dy vendeve", tha përfaqësuesi i Lufthansa Group, Michael Knitter, i cili është edhe anëtar i bordit në sipërmarrjen bijë të Lufthansas-s, Eurowings, e cila udhëton rregullisht në Prishtinë.

Një fluturim i drejtpërdrejtë do të ishte interesant edhe për shtetasit e Kosovës, i tha DW, Eset Berisha, drejtori përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit të Kosovës, pasi, sipas tij, kjo do t'u mundësojë shtetasve të Kosovës ta përdorin aeroportin e Beogradit edhe për fluturimet tranzit. Deri tani udhëtimet të drejtpërdrejta nga Beogradi në Prishtinë mund të bëhen vetëm në itinerarin tokësor me autobusa të linjës. Koha e udhëtimit zgjat gati 5-6 orë.

Se kur do të ngrihet avioni i parë i linjës Prishtinë Beograd, Michael Knitter tha se do të duhet ca kohë derisa të zgjidhen çështjet teknike: "Por tani dyert janë të hapura dhe unë jam shumë optimist se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt"