Beogradi dhe Prishtina të gatshëm për dialog, por...
22 Gusht 2012Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq morën pjesë për herë të parë në ndonjë seancë të Këshillit të Sigurimit ku u debatua për gjendjen në Kosovë. Kryeministri Thaçi tha në Nju Jork se "Kosova është një model i mirë i ndërtimit të shtetit demokratik dhe multietnik". Sipas tij, qeveria e Kosovës është e interesuar për normalizimin e raporteve me Serbinë por pa rrezikuar shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vendit.
Statusi i zgjidhur
“Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt të 2008-ës. Ne jemi të përkushtuar për dialog por në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranojmë hapjen e dialogut për shtetësinë e Kosovës”, theksoi Thaçi.Sipas tij Serbia po vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ndërkohë që ende nuk ka tërhequr as forcat paralele dhe ato të sigurisë nga pjesa veriore e Kosovës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë
Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiq ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. "Në negociata duhet të ketë vullnet politik edhe për kompromis. Nuk është e mundur që Serbia vetëm të japë e Kosova të marrë”, theksoi kryeministri serb i cili mbështeti idenë për ngritjen e dialogut në nivel më të lartë politik. Daçiq tha se kjo ide është mirëpritur nga të gjithë pjesëmarrësit. Ai kundërshtoi edhe një herë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Qëndrimet e ndara në KS
Gatishëmëria e palëve për vazhdimin e dialogut është mbështetur nga të gjithë pjesëmarrësit në debat. Por ambasadorët e vendeve të shteteve me të drejtë vetoje edhe kësaj radhe kishin qëndrime të kundërta.
Në seancë u panë dallimet mes ambasadorëve të shteteve perëndimore të cilët mbështetën Kosovën dhe heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë dhe përfaqësuesve të Moskës dhe Pekinit të cilët ishin kundër.
Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mund më së shumti vëmendje i është kushtuar përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, problemeve në veri dhe dialogut Prishtinë-Beograd. Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif ka bërë thirrje për një angazhim urgjent më të madh të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në veçanti atë në veri të Kosovës.