„Anëtare e një komandoje vrasëse“
15 Maj 2013
Pas shumë kërkesash, që paraqitën në ditën e dytë të gjyqit, merret me të vërtetë në pyetje e akuzuara. Beate Zschäpe refuzon të dëshmojnë të dhënat për personin e saj. Prandaj gjyqtari Manfred Gëtzl lexon nga aktakuza: beqare, së fundi banuese në rrugën Frühling 26 në Zwickau. André Eminger nga ana e tij pohon se jeton në Zwickau. Holger Gerlach dhe Carsten Schultze theksojnë se janë aty thirrur nga Zyra Federale e Kriminalistikës, BKA. Ralf Wohlleben nga Jena pohon se mbahet burgun Stadelheim të Mynihut.
"Motive tinzare dhe ulëta"
Me zë të qartë Herbert Diemer, prokuror federal në Gjykatën Federale në Karlsruhe, kërkon të lexojë aktakuzën. Gjyqtari Gëtzl dominon mbi disa lëvizje shahu të mbrojtjes, i jep fjalën Diemer-it. Kur ngrihet për të lexuar aktakuzën, ai merr me vete rrobën e kadiftë ngjyrë vishnje. Diemer akuzon ndër të tjera Zschäpe-n se ka vrarë në nëntë raste njerëz për motive tinzare dhe të ulëta. Zschäpe luan me nervozizëm me gishtërinjtë e saj, duke goditur brenda shuplakës së dorës.
I pandehuri André Eminger akuzohet se ka mbështetur një organizatë, qëllimi i së cilës kanë qenë vrasje të ulëta dhe dëmtimi i shtetit. Eminger mban krahët të kryqëzuar mbi gjoks dhe vështron me zemërim Diemerin. Wohlleben, i cili akuzohet për ndihmë në nëntë raste vrasjesh, e dëgjon akuzën kundër tij në heshtje dhe i menduar. Ai i mban duart e lidhura në prehër, sikur po lutet dhe sytë i ngul në një dosje, që ndodhet e hapur para tij. Treshen e përbërë nga Beate Zschäpe, Uwe Bëhnhardt dhe Uwe Mundlos, që sipas prokurorisë federale ka vepruar që në vitin 2001 me emrin NSU, Diemer e akuzon se me veprat e tyre kanë dashur t'i detyrojnë të huajt, që të largohen nga Gjermania. Viktimë të motos së tyre “Vepra në vend të fjalëve” kanë rënë të paktën dhjetë njerëz, përveç nëntë personave me sfond migracioni edhe një police gjermane.
Rrethanat e vrasjeve
Prokurori Diemer përmend rrethanat e vrasjeve. Ai përshkruan, se si anëtarët e “Ilegalitetit Nacionalsocialist” (NSU) qëllojnë me nëntë të shtëna luleshitësin Enver Simsek, i cili po rregullonte lulet në dyqanin e tij në Nuremberg. Ndërsa Diemer flet për detajet e përgjakshme të ekzekutimit, Zschäpe dridhet. Pastaj Diemer shpjegon, se si punëtori me turne Abdurrahim ëzüdoğru u ekzekutua me dy të shtëna në kokë në Nuremberg. Diemer përshkruan pastaj, se si shitësi i frutave dhe perimeve Süleyman Taşkëprü u vra me tre plumba në Hamburg. Zschäpe ul kokën. Tani Diemer përshkruan, se si tregtari Habil Kılıç u vra në dyqanin e tij në Mynih. Zschäpe ia ngul sytë laptopit të saj. Numërimi i vrasjeve vazhdon: Diemer tregon, se si Mehmet Turgut vdiq në një qebaptore në Rostock nga disa të shtëna në kokë. Zschäpe lëviz dy herë me nervozizëm në karrigen e saj portokalli. Diemer përshkruan, se si anëtarët e NSU ekzekutuan biznesmenin Ismail Jashar në dyqanin e tij në Nuremberg me pesë të shtëna në kokë dhe në zemër. Zschäpe nuk bën më asnjë lëvizje.
Diemer përshkruan, se si Theodore Boulgarides, bashkëpronar i një dyqani bravandreqësish, u ekzekutua me pistoletë në Mynih nga një distancë e afërt. Zschäpe nuk lëviz. Diemer rrëfen, se si Mehmet Kubasik, pronar i një kioske, është ekzekutuar në Dortmund nga një afërsi fare e vogël. Zschäpe drejton me dorë copën e pantallonave të kostumit të saj. Diemer tregon, se si Halit Yozgat, pronar i një kafeneje interneti në Kassel, u vra me të shtëna në kokë. Konkluzioni i tij është: “Beate Zschäpe ka qenë anëtare e komandos vrasëse." Zschäpe ul sytë. Të pandehurit e tjerë rehatohen në karrigat e tyre.
Një jurist përpiqet të vetëpërmbahet
Diemer, i cili punon prej 25 vjetësh për prokurorinë federale dhe që nga viti 2004 ka funksion drejtues në sektorin e hetimeve për terrorizmin, duket se e ka të vështirë për t'i përshkruar këto krime. Disa herë ai bën pushim dhe pi një gllënkë ujë. Edhe 100 spektatorët në galeri janë të tronditur. Në këtë moment ata mësojnë nga goja e prokurorit federal njëherësh të gjitha detajet e tmerrshme të kësaj serie vrasjesh. Ata ofshajnë të neveritur, kur Diemer përshkruan pasojat e sulmit me bombë në Këln. Një spektatore vë dorën para gojës e tmerruar. Sytë e saj vështrojnë të përhumbur dhe të trishtuar.
”Kështu”, thotë Diemer në momentin, kur mbaron së përshkruari sulmet dhe bastisjet e NSU. Kjo “kështu” e shkurtër përmban gjithë fajin, me të cilin keqbërësit kanë ngarkuar veten, por edhe përpjekjen e prokurorit federal për ndëshkim. Masa e dënimit, që Diemer kërkon për Zschäpe, është burgim i përjetshëm dhe nën masa të rrepta sigurie. Zschäpe kryqëzon duart dhe kafshon buzën.